Ndikimi i masave të reja në Kosovë: Sot mbi 5 mijë persona kanë udhëtuar për në Shqipëri
Sot është festë zyrtare, rrjedhimisht ditë pushimi. Andaj kosovarët duket se e kanë bërë një matematikë të mirë, pra ata e kanë lidhur të premten me vikendin dhe e kanë shfrytëzuar për pushim.
Pasi në Kosovë prej të mërkurës janë vendosur masa të reja shtrënguese, që sipas tyre gastronomia mbyllet dhe vendoset ora policore, kosovarët kanë gjetur ngushëllim tjetër kund.
E si zakonisht, vendi më i frekuentuar për kosovarët është Shqipëria. Sot gjatë ditës, Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka raportuar se në pikën kufitare në Vërmicë ka pasur fluks të madh të veturave.
Kolona të gjata në kufi, qytetarët ikin nga Kosova e “izoluar” (Foto)
Mirëpo më saktësisht, nga Policia e Kosovës, tregojnë se sot pas mesnatës e deri në orën 11:00 kufirin e kanë kaluar 5498 persona.
“Datë 09.04.2021 duke filluar nga ora 00:00 deri ne ora 11:00, kanë dal nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë përmes PKK Vërmicë dhe PKK Morinë 5498 persona,”, thuhet në përgjigjen e PK-së dhënë FaktePlus.
Ndërsa nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë kohore në ditët e mëparshme, atëherë shihet qartë se numri është katërfishuar.
Policia e Kosovës ka thënë që për periudhën kohore të njëjtë, në ditën e mërkurë kufirin e kanë kaluar 1475 persona, ndërsa të enjten 1845.
“Datë 07.04.2021 duke filluar nga ora 00:00 deri ne ora 11:00, kanë dal nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë përmes PKK Vërmicë dhe PKK Morinë 1475 persona. Datë 08.04.2021 duke filluar nga ora 00:00 deri ne ora 11:00, kanë dal nga territori i Kosovës në drejtim të Shqipërisë përmes PKK Vërmicë dhe PKK Morinë 1845 persona,”, kanë thënë nga PK.
Masat e reja që filluan të zbatohen më 7 prill (e mërkurë) janë që gastronomia, fitneset dhe qendrat tregtare mbyllen për 11 ditë, ora policore është prej orës 22:00 deri në 05:00 dhe institucionet universitare të kalojnë në formën online.
Këto masa u vendosën nga Qeveria e Kosovës, pas numrit të madh të rasteve pozitive dhe të vdekjes për shkak të infektimit me koronavirus./FaktePlus/
Hyjnë në fuqi masat e reja: Orë policore, mbyllet gastronomia…