Kolona të gjata në kufi, qytetarët ikin nga Kosova e “izoluar” (Foto)
Qeveria e Kosovës prej të mërkurës (7 prill) ka filluar zbatimin e masave të reja për mbrojtjen ndaj COVID-19. Këto masa janë marrë pas rasteve të shumta pozitive dhe rasteve të vdekjes si pasojë e infektimit me koronavirus.
Disa nga masat kryesore janë ora policore prej orës 22:00 deri në orën 05:00 dhe mbyllja e gastronomisë për 11 ditë, pra për periudhën 7-18 prill lejohen vetëm shërbimet takeaway.
Përveç gastronomisë, janë mbyllur edhe qendrat tregtare dhe fitneset.
Gjithashtu institucionet publike dhe private parauniversitare do të kalojë online nga 12 deri më 18 prill, ndërsa ato universitare nga 7 deri më 18 prill.
Hyjnë në fuqi masat e reja: Orë policore, mbyllet gastronomia…
Mirëpo këto masa si duket po i orientojnë qytetarët e Kosovës jashtë kufijve.
Sot është Dita e Kushtetutës, pra festë zyrtare. Andaj shumë qytetarë iu janë vërsulur qyteteve shqiptare për pushim.
Sipas disa fotografive, që lexuesit e FaktePlus i kanë dërguar në redaksi, shihet fluks i madh i veturave në pritje për të kaluar kufirin.
Në Vërmicë shihen që radhët për pritje janë të gjata, por ajo që është shqetësuese është fakti që koronavirusi është prezent edhe në Shqipëri dhe rreziku për tu infektuar është i madh..
Ndonëse nga të gjitha shtetet kërkohet testi PCR negativ, Kosova e Shqipëria nuk kërkojnë test nga njëra- tjetra për të kaluar kufirin.
Kështu ka deklaruar edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Si në drejtim të Kosovës, ashtu edhe në drejtim të Shqipërisë për shtetasit Kosovës nuk do të ketë nevojë për teste apo PCR”, u shpreh ambasadori.
Fluks i madh i kosovarëve nisen drejt Shqipërisë, ambasadori tregon a ju kërkohet testi PCR
Minxhozi foli edhe për marrëveshjet mes qeverisë së Shqipërisë edhe asaj të Kosovës, për të cilat tha se kanë qenë një shtysë e madhe për ekonominë.
“Marrëveshjet nga viti 2014 deri më sot me te gjitha mangësitë që kanë pasur, kanë një qenë një shtysë e madhe sidomos në fushën e ekonomisë”, u shpreh ambasadori.
“Trendi i rritjes së shkëmbimeve ka pasur një rritëm, kjo falë edhe punës së madhe të institucioneve, por duhet ta pranojmë që ende ka burokraci, ende ka qëndrime të dyfishta sidomos në vonesat që bëhen ne transportimin e mallrave drejt Shqipërisë dhe Kosovës”, përfundoi ai.
Masat në fuqi janë deri më 18 prill, e nëse rriten rastet, mundësitë për tu shtyer masat janë të mëdha.