Zoti në “Heshtje“
Filmi i Martin Scorsese, “Silence“ (Heshtje), trajton një nga temat që kanë qenë dhe janë preokupim i përhershëm i regjisorit legjendar. Ky është filmi i tij i tretë që merret drejtpërdrejt me religjionin, pas atij “Tundimi i fundit i Krishtit” (1988) dhe “Kundun”(1997).
Ben Apolloni
“Silence” (Heshtje) tregon historinë e dy priftërinjëve jezuit që nisen në mission për të gjetur mësuesin e tyre për të cilin flitet se ka mohuar fenë kristiane. Udhëtimi i dy priftërinjëve rishtarë në lindjen e largët, në vendin ku i besohet diellit, është udhëtim i rrezikshëm. Atje të krishterët që shpërndanin religjionin e ri, por edhe ata që e kishin pranuar këtë religjion dënoheshin nga autoritet e vendit, të cilë t konsideronin se e kishin fenë e tyre, kishin traditën e tyre dhe nuk donin që një religjion i ri të ua prishte terezinë.
Filmi fillon me një skenë ku shihet se si torturohen kristianët e prirë nga At Ferreira (Liam Neeson), skenë kjo që aludon në Golgotën biblike. Torturat e bëjnë At Ferreirën që të gjunjëzohet. Dhe mandej rrëfimi kalon tek prifëtrinjët e rinj që kërkojnë të nisen në mission, nga Evropa, për ta kërkuar ish mentorin e tyre zërin e të cilit e dëgjojmë në fillim si narrator që përmes një letre rrëfen se çfarë po u ngjanë besimtarëve të krishterë në Japoni. Mandej narratori ndryshohet dhe rrëfimi kalon tek narratori i gjithëdijshëm, i cili më vonë këtë rol ia përcjellë At Rodriguesit ( Andrew Garfield), por më vonë narratori sërish ndërrohet dhe këtë rol e merr një tregtar holandez, i padukshëm në film por për të cilin flitet, e i cili e kishte njohur personalisht At Rodriguesin dhe historinë e jetës së tij. Dhe sërish, krejt në fund të filmit, rrëfimi kalon në “duart” e narratorit të gjithëdijshëm.
Martin Scorsese, është një nga regjisorët më të mire në histori të kinematografisë dhe edhe në këtë film magjia e tij regjisoriale është evidente. Ai ka zgjedhur që filmin e tij ta rrëfejë në një mënyrë të qetë, pa muzikë shoqëruese, pa montazhë të shpejtë , e lë vizje atraktive të kamerë s. Ai do që heshtjen e Zotit, që e ndjejnë personazhet, ta ndjejnë edhe shikuesit e filmit sepse në heshtje gjërat kuptohen më mirë. Por për kundër asaj që ai di të rrëfejë bukur, te ky film duket sikur ka bërë një shpenzim të kotë të talentit të tij. Krijohet pë rshtypja se ka bërë një film që tregon besimin dhe besnikërinë e të krishterëve ndaj Zotit edhe atëhere kur ky nuk u përgjigjet, si dhe brutalitetin e Budistëve. Kjo tendencë duket në skenat e para të filmit dhe dominon deri kah fundi i filmit dhe sikur e dëmton artin e gjeniut të filmit, që duket se ka rrëshqitur në një proklamues të një religjioni, që sulmon një religjion e një kulturë tjetër, më të vjetër dhe të themeluar mirë në vendin ku ngjarjet ndodhin. Por gjatë rrjedhës së filmit shohim që debatet mes kristianëve dhe Inquisitorit dhe përcjellësve të tij, janë shumë mire të balancuara dhe sa duket se njëra anë ka të drejtë menjëherë tjetra merr të drejtën në anën e vetë.
E veçantë dhe esenciale për këtë film është skena kur takohen At Ferreira dhe At Rodrigues. Ky i fundit e kupton se thashethemet për ish mentorin e tij kishin qenë të vërteta dhe i dëshpëruar e me lotë në sy e ofendon At Ferreiren, i cili tashmë kishte edhe emër tjetër dhe dukej se kishte arritur paqen shpirtërore dhe mençurinë që ta kuptone se më shumë se sa propagandimi i një feje, një ideologjie dhe kokëfortësia, kishte rëndësi paqja me njerëzit dhe në këtë mënyrë edhe me Zotin, krijuesin e të gjithë njerëzve që kanë krijuar të gjitha fetë. Ferreira mundohet që këtë t`ia spjegoje edhe priftit të ri, i cili i prekur edhe nga torturat që u bëhen ndjekësve të tij, dorëzohet dhe shkelë mbi portretin e Jezusit, zërin e të cilit e dëgjon para se ta vendosë këmbën mbi figurën e zotit të krishterë.
At Rodrigues bëhet si mësuesi i tij. Ai jeton i qetë, bashkëpunon me autoritet e vendit dhe kurrë më nuk e përmend religjionin, misionar i të cilit ishte dikur.
Filmi përfundon duke na e treguar se si ai ishte plakur dhe vdes e varroset sipas traditave budiste. Por krejt në fund, narratori i gjithëdijshëm futet në zjarrin ku digjet trupi i Rodriguesit dhe aty në duart ende të pa pëfrshira nga flaka, shohim një kryq të vogël, që dikur ia kishte dhuruar një japonez i krishter. Rodrigues e kishte kuptuar rëndësinë e heshtjes. Ai kishte ruajtur besimin, por e kishte ruajtur në heshtje dhe duke e ruajtur në këtë mënyrë, ai kishte fituar edhe paqen shpirtërore e fizike. Atëherë kur ai e kishte heshtur, atëherë vërtetë e kishte dëgjuar Zotin dhe heshtjen e tij dhe e kishte kuptuar religjionin.
“Silence“ është një film që nuk do të ketë ndonjë rëndësi të veçantë në krijimtarinë e Martin Scorsese, por që gjithësesi ia vlenë të shikohet. Nëse jo për ndonjë arsye tjetër, për hatër të fotografisë së mrekullueshme të realizuar nga, tashmë bashkëpunëtori i rregulltë i Scorsese, Rodrigo Prieto. Ana vizuele është pika më e lartë e këtij filmi që adhuruesit e Scorseses paksa i ka trembur se mos regjisori i tyre i preferuar është plakur aq shumë sa ka filluar të bëhet religjioz./FaktePlus