Babë, më mori malli!
Suzanë, çika e babës!
Suzanë, bijë, edhe unë kam provu shumë me folë me ty, kam brohoritë shumë, por zani nuk ka mbërri me dalë mbi dheun që më ngroh aq fort.
Babë, provova të çmallesha me fotografitë e tua, me kujtimet e tua, me piedestalet e tua, së fundmi erdhi edhe shtatorja jote, në freskinë e Parkut Karagaç në Pejën tande të bukur, por kot, babë, kot, asgjë nuk mbante aromën tande.
Babë, nuk qenka plakur, i bukur, shtatlartë, si një kapedan i vërtetë. Shokët e tu, të vërtetë, ata pak çka kanë mbetë, i lashë mirë andej, ke të fala prej secilit veç e veç, dhe nuk të kanë koritë babë, janë t’u ta çu në vend amanetin.
Moj bijë, qenke rritë e sa e ëmbël qenke bërë, gëzimi im i parë! Po të tjerët si janë, Tina e Genci?
Janë rritë babë, janë martu e janë ba prindër, por po mërziten shumë për ty, e kur kësaj do t’i shtohet edhe malli që e kanë edhe për mu, ka me rëndu shumë mbi krahët e tyre. Por ata e dinë se jam me ty, në prehrin tand, në përqafimet e tua.
Suzanë, shpirti i babës, pse erdhe këtu?!
Babë, rashë në gjumë me të ëndërru ty, pashë ëndrra të bukura dhe nuk desha me u zgju, dhe erdha te ti. E lashë beben 7 muajsh, e di që ka m’i mungu shumë gjini i nanës, prehri e aroma ime, por ka me u mesu, sikurse unë që u mësova pa ty, edhe pse kurrë s’u pajtova me mungesën tande, por s’kisha zgjidhje.
Mirë se erdhe Suzanë, bijë, shpirti i babës!
Mirë se të gjeta, babë, arsyeja ime!
(Shkrimi i kushtohet Suzana Agim Qelajt, bijës së Komandant Colit, me rastin e vdekjes së saj në moshën 35 vjeçe.)
Autor:
Mehdi Mulaj