Vetëm edhe sot pranohen aplikimet për 650 ushtarët e rinj të Kosovës
Ushtria e Kosovës ka nisur pranimin e aplikimeve për të interesuarit që të bëhen ushtarë të rinj nga data 11 shkurt deri më sot.
Pas miratimit në Kuvend të tri projektligjeve që lidhen me zgjerimin e përgjegjësive të FSK-së, për herë të parë është hapur konkursi për pranimin e ushtarëve të rinj.
Ushtria e Kosovës do t’i ketë rreth 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe 3 mijë rezervë.
E konkursi i tashëm për pranimin e ushtarëve të rinj do të qëndrojë i hapur vetëm edhe sot deri në orën 15:00.
Që nga fillimi i hapjes së konkursit për t’u bërë pjesë e FSK-së aplikuan mijëra persona.
Kujtojmë, se Kuvendi i Kosovës miratoi tri projektligjet për FSK-në më 14 dhjetor të vitit të kaluar.
Kjo shkaktoi reagimin e komunitetit ndërkombëtar, e sidomos të NATO-s, sipas të cilëve kjo nuk ishte koha e duhur për formimin e ushtrisë së Kosovës.
Në ndërkohë, siç parashihet përmes ligjeve, tanimë ministria e FSK-së është transformuar në ministri të Mbrojtjes.