FSK tregon sa ushtarë të rinj do të pranojë
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës nga 11 shkurti ka shpallur zyrtarisht konkursin publik për rekrutimin e rekrutëve, respektivisht ushtarëve që do të shërbejnë në komponentën aktive të Ushtrisë së Kosovës.
Afati i konkurrimit për gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) do të jetë i hapur deri më 22 shkurt 2019, shkruan FaktePlus.
Drejtor i personelit në Ministrinë e Mbrojtjes, Skënder Zhitia tha se konkursi është shpallur mbi bazën e Planit të Veprimit 2019 të ministrisë dhe bazuar në këtë plan do të zhvillohet edhe procesi i shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes së rekrutëve të rinj që do të pranohen në FSK.
“Departamenti ka hartuar planin për rekrutimin e ushtarëve të rinj duke u bazuar në planin 10 vjeçar”, tha ai, duke shtuar se janë marrë të gjitha masat e duhura që konkursi të shkojë mbarë.
Zhitia tha se kësaj radhe do të pranohen 650 të rinj të FSK-së.
Kurs kujtojmë se kriteret e përgjithshme për t’u bërë ushtar janë këto: Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të këtë të përfunduar shkollën e mesme; të jetë i moshës 18-23 vjeç; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të zotërojë aftësitë e nevojshme shëndetësore e fizike për vendin e shërbimit si dhe të mos jetë i dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë.