Ushtria e Kosovës kërkon ushtarë të rinj
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës pritet që më datë 11 shkurt 2019 të shpallë zyrtarisht konkursin publik për rekrutimin e rekrutëve, respektivisht ushtarëve që do të shërbejnë në komponentën aktive të Ushtrisë së Kosovës.
Afati i konkurrimit për gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen ushtarë të Kosovës do të jetë i hapur deri më 22 shkurt 2019, shkruan FaktePlus.
Konkursi do të shpallet mbi bazën e Planit të Veprimit 2019 të Ministrisë së Mbrojtjes dhe bazuar në këtë plan do të zhvillohet edhe procesi i shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes së rekrutëve të rinj që do të pranohen në FSK.
Kriteret e përgjithshme për t’u bërë ushtar janë këto: Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të këtë të përfunduar shkollën e mesme; të jetë i moshës 18-23 vjeç; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të zotërojë aftësitë e nevojshme shëndetësore e fizike për vendin e shërbimit si dhe të mos jetë i dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë.
Ministria e Mbrojtjes do të ndjek këto procedura të shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes: Shqyrtimi fillestar i aplikacioneve; testi i aftësive; testi fizik; intervista me shkrim dhe me gojë; testi mjekësor; trajnimi; verifikimi; emërimi si dhe e drejta e ankesës.
Dokumentet e kërkuara për aplikim sipas konkursit do të jenë: Diploma (dëshmi) e shkollimeve të përfunduara; dëshmi; certifikata; mirënjohje (nëse posedon); certifikata e lindjes (jo me të vjetër se 6 muaj); certifikata e shtetësisë; vërtetimi nga gjykata që nuk është nën hetime apo i ndjekur penalisht; kopje e letërnjoftimit apo pasaportës si dhe dy fotografi të formatit (5 cm x 5 cm).
“Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët konkurrojnë mund të pranohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës pasi të kenë plotësuar kërkesat dhe kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes. Pranimi në FSK konfirmohet pas përfundimit të trajnimit bazik dhe gjatë kësaj kohe kandidatët do të cilësohen si rekrutë (OR1). Pas përfundimit të trajnimit bazik rekrutët marrin gradën e ushtarit”, thotë Ministra e Mbrojtjes.
Formularët për aplikim do të jenë në dispozicion në të gjitha kazermat e FSK-së, si dhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, www.mksf-rks.org, apo www.rks-gov.net/mfsk, ku do të publikohet edhe konkursi.
Formularët duhet të dorëzohen personalisht, në të gjitha kazermat e FSK-së, në çdo ditë pune nga ora 09:00-15:00 deri në afatin e fundit për konkurrim./FaktePlus