Trepça duhet të mbyllet
Por, ky gjigant i dikurshëm Metalurgjik duhet parë e analizuar pa emocion edhe tani kur një pjesë e punëtorëve janë në grevë dhe Qeveria duket se ka filluar një luftë për të shtypur çdo zë sindikal në vend.
Duhet ta pranojmë pa emocion se Trepça duhet të mbyllet përkohësisht.
Kjo është më e mira për të gjithë
– Për 1,621 punëtorët e tanishëm të gjitha njësive funksionale e jo funksionale të Trepçës më mirë do të ishte të marrin 70 për qind të pagës deri në pension se të punojnë në kushte të rënda të punës. (Gati gjysma e të punësuarve janë mbi moshën 55 vjeçare)
– Për aksionarin (Qeverinë e Kosovës) më mirë është t’ia vë drynin ndërmarrjes e cila sipas raportit të Auditorit operon me mbi 600 mijë euro humbje në muaj dhe të përgatis një plan investimi strategjik afatgjat të domosdoshëm. (Investimi fillestar i nevojshëm për funksionalizim sipas planit të fizibilitetit të vitit 2016 llogaritet të jetë 300 milionë euro)
Përse?
Sipas raportit të auditorit, Trepça ballafaqohet me probleme dhe sfida të shumta. Sfidë kryesore e kësaj ndërmarrje është teknologjia e stërvjetëruar në miniera dhe flotacione. Shumica e makinerive dhe pajisjeve prodhuese janë të viteve të ’60-70-ta, mirëpo ka makineri edhe të viteve më të hershme.
Flotacioni në Kishnicë dhe Flotacioni në Tunelin e Parë kanë rrjedhje të mëdha të metaleve në steril gjatë procesit të flotimit të xeheve në koncentrate. (humbje)
Rrjedhjet e mëdha të metalit në djerrinë (steril) kanë ndikim direkt në humbjet e kompanisë, duke marrë parasysh se të hyrat nga prodhimi dhe shitjet e kompanisë varen direkt nga përmbajtja e sasisë së metalit në koncentrate.
Shkruan: Zekirja Shabani