Talebanizmi kërkon një përgjigje shtetërore
Nga Mero Baze
Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, po përballet me një fushatë linçuese nga përfaqësues zyrtarë të klerit mysliman në Kosovë dhe më tej, për shkak se ai ka shpërndarë një raport të gazetës franceze “Le Figaro”, në të cilin bëhej një kronologji e ngjarjeve lidhur me masakrat që kanë pasur botimin e karikaturave të profetit Muhamed, duke marrë shkas nga krimi i fundit i prerjes së kokës së një mësuesi. Raporti i gazetës franceze është tërësisht korrekt, pasi është thjeshtë një kronologji ngjarjesh dhe pëlqimi i saj nga ana e ambasadorit të Kosovës, përveçse nuk është krim, është standart i një qytetari normal.
Reagimi nga Kosova, por dhe më tej nga hapësira shqiptare, tregon se në shoqëritë shqiptare në Ballkan, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ka një problem me të pranuarit e shtetit laik dhe akoma më keq po zë vend një kulturë linçimi, e ngjashme me atë të ISIS, edhe nga disa emra që prezantohen në publik si gazetarë apo opinionistë.
Së pari, ambasadori i Kosovës në Francë duhet të mbrohet nga Ministria e Jashtme e Kosovës dhe Qeveria e Kosovës, për t’i prerë rrugën spekullimeve dhe për të mos e përballur atë me militantët islamikë, që janë gati të presin koka njerëzish dhe në Kosovë për fenë e tyre. Qeveria dhe Ministria e Jashtme, duhet t’ua bëjnë të qartë se shteti i Kosovës, nuk merr rekomandime për punësim nga ISIS dhe se është e gatshme të mbrojë laicitetin e vet, që e garanton Kushtetuta.
Së dyti, Bashkësia Islame e Kosovës, e cila po gjeneron sulme ndaj ambasadorit, duhet së pari të dënonte aktin e ekzekutimit të prerjes së kokës së një mësuesi, që është bërë shkas për reagimet e shtypit ndërkombëtar për këtë çështje. Duke mos dënuar mënyrën se si është reaguar ndaj viktimës, dhe akoma më shumë, duke sulmuar një zyrtar të Qeverisë së Kosovës, i cili ka shfaqur pëlqimin për një raport korrekt gazetaresk, dëshmon se ata kanë si standart në mendjen e tyre, ndëshkime të tilla. Kjo është më së paku një premisë për vepër penale. Kërcënimet ndaj ambasadorit, duhet të hetohen edhe si përpjekje për të minuar shtetin laik të Kosovës dhe përdhosjen e Kushetutës së saj.
Së treti, ka reagime publike të frikshme nga njerëz që paraqiten në opinion dhe si gazetarë dhe shkrimtarë, të cilët e quajnë fatkeqësi të kombit shqiptar, reagimin e ambasadorit në fjalë, dhe bëjnë po ashtu thirrje për linçim të tij. Kim Mehmeti, që në Shqipëri njihet si kontributor i një televizioni të djalit të Sali Berishës, bën thirrje për ‘ta lidhur” ambasadorin në fjalë, që “edhe nëse leh”, të mos “kafshojë” më. Ai e cilëson ambasadorin si “monstër” të papërgjeshëm dhe të padenjë për shqiptarët. Për shumë militantë islamik, ndoshta ky tekst është në rregull.
Mund të jetë në rregull dhe për ushtritë ilegale të ISIS në Europë, Maqedoni të Veriut apo Kosovë, por duhet të biem dakord, se nëse dikush duhet lidhur në këtë histori, është ky tipi, i cili nuk dihet pse i është mbushur mendja që shqiptarët fyhen nga ambasadori në fjalë dhe jo nga ky, që duke qenë taleban, imponohet si shqiptar. Dhe meqë ra fjala, këtë e kap dhe ligji shqiptar, se është tek ajo lista e pasaportave të Ilir Metës që janë dhënë për “interes kombëtar” (të ISIS).
Mos reagimi ndaj këtyre zërave dhe institucioneve fetare që po udhëheqin fushatën e linçimit ndaj ambasadorit në fjalë, është një tolerim i rrezikshëm dhe një inkurajim i talebanizmit në shoqëritë shqiptare në Ballkan. Dhe në krye të kësaj beteje duhet të jetë shteti i Kosovës, ai që po agresohet nga idhtarët e islamit politik, që duan të gjunjëzojnë laicizmin dhe lirinë e shqiptarëve. Por as Tirana nuk duhet ta injorojë këtë histori. /Marrë nga: http://www.gazetatema.net/.