Si e mposhta virusin COVID – 19?!
Shkruan: Demir Reshiti
Pas 17 ditësh të qëndrimit në Spitalin rajonal të Prizrenit (një ditë në repartin e mushkërive dhe 16 në repartin infektiv) u lirova në shtëpi me gjendje të përmirësuar shëndetësore.Ishin këto 17 ditë ankthi, lufte e shprese për jetë qëdo të mbeten përgjithmonë të pashlyera nëmbamendjen time.
Siç edhe ju pata njoftuar, rreth orës 24 të datës 29 qershor 2020, derisa isha ende i shtuar në repartin e mushkërive, nga IKSHP e mora konfirmimin se jam i infektuar me covid-19! Ishte një konfirmim të cilin edhe e kisha pritur për faktin se që nga data 18 qershor 2020 më ishin shfaqur vështirësi shëndetësore të përcjellame humbje të oreksit, probleme në frymëmarrje, ethe, temperaturë, plogështi… Rreth 10 me radhë kam vazhduar trajtim shëndetësor në shtëpi me terapi që m’i kishin caktuar mjekët në ambulancën e fshatit por edhe specialisti pulmolog në Prizren. Për fat të keq, sëmundja sa vinte e rëndohej dhe të dielën (28.06) në gjendje shumë të rënde më shtruan në repartin e mushkërive të Spitalit rajonal të Prizrenit ku të hënën (29.06) m’i bënë analizat për covid-19 dhe rezultoi që jam pozitiv.
Menjëherë pas konfirmimit më transferuan në repartin infektiv të këtij spitali ndërsa familjarët e mi u urdhëruan të futen në vetizolim…
I izoluar në një dhomë bashkë me një pacient tjetër nga një fshat i komunës së Prizrenit, i lutesha Zotit që ta përballoj me sukses këtë sëmundje të shekullit që ka përfshirë tërë rruzullin. Mjekët që vinin nëkontrolle, duke qenë se ishin tërësisht të maskuar, as që i njihja kush janë dhe as që prezantoheshin. Ata kryenin punën e tyre gati rutinë, ndërsa me ne pacientet më tepër punë kishin infermierët të cilët sa herë që kishim nevojëpa as më të voglën vonesë vinin në dhomë. Madje me këta të dytët (infermierët) u familjarizuam dhe e thërrisnim në emër njëri-tjetrin. Do ta veçoja këtu (pa i nënvlerësuar të tjerët) infermierin zemërbardhë Getoar Berisha i cili na shëronte jo vetëm me ilaçe por edhe me fjalë të mira e sjellje shembullore! Me Getoarin, pasi fillova ta marr pak veten, (me kërkesën e tij dhe dëshirën e pëlqimin tim) e bëmë një fotografi bashkë të cilën e postova nëfacebook me përshkrimin: “…Jemi me fat që kemi të tillë mantelbardhë. Zoti i ruajtë!”.
Me mjekët ishte më ndryshe. Ata vinin një herë në ditë e në rast të ndonjë komplikimi edhe më shpesh. Madje një ditë pas një gabimi që do të mund të më kushtonte me jetë, pata një përplasje serioze me ta duke i “kërcënuar” se nëse nuk janë të gatshëm t’i zgjidhin problemet që ishin evidente e që na rrezikonin ne pacienteve, do t’i jepja jehonëmediale këtij problemi por edhe do të inicioja procedurëtek organet kompetente… Kjo përplasje doli të jetëme dobi për te dyja palët por edhe për tërë pacientet me Covid -19 të shtrirë në këtë spital ngase shumë gjera ndryshuan për të mirë!
Krahas personelit mjekësor, ndihmë të jashtëzakonshme në përballimin me sukses të sëmundjes, kanë dhënë edhe familjarët, pastaj shumë miq e dashamirë të cilët e kanë marrë me shqetësim të madh rastin dhe me këshillat e kurajën e tyre më kanë dhënë forcë që ta përballoj këtë sfidë. Janë shumë të tillë, jeni secili nga ju që po i lexoni këta rreshta e që së paku me një mesazh nëfb dhe rrjetet tjera sociale, njësms apo një telefonatë jeni lutur për shërimin tim dhe me keni dhënë forcë e kurajë… Megjithatë disa më duhet doemos t’i përmendi me emra me shpresën se nuk do të ma zënë për të madhe shumë të tjerë që e kam të pamundur t’ua përmendi emrat në këtë shkrim…
Engjëlli im mbrojtës – dr. Jan A. Kosova!
– Mjeku specialist dhe poeti i mirënjohur me emrin artistik Jan A. Kosova, ilindur në fshatin Çubrel të Drenicës, i diplomuar për mjekësi në Universitetin e Bonit nëGjermani ku që nga viti 1993 jeton dhe punondhe është shquar në aktivitetin e tij mjekësor e human duke u bërë një nga personalitetet më të respektuara në Bon dhe më gjerë.Me dr.Janin jam njohur në gusht të vitit 2019 kur e kisha mysafir në emisionin “Më afër” dhe që nga ajo kohë na ka ngelë një miqësi konstante…
Jo rastësisht e quajta engjëlli im mbrojtës. Kjo për faktin se që nga momenti kur e kam bërë publike se jam infektuar me Covid-19, me është gjendur pranë me këshilla të bazuara nëpërvojën e tij në trajtimin e pacienteve me Covid -19 në Spitalin e Bonit ku punon si specialist i kardiologjisë. Në së paku dy momente, ishin vendimtare ndërhyrjet e tij që më shpëtuan nga rreziku që më kanosej e që unë nuk isha në dijeni për këtë rrezik. Është i vetmi njeri me të cilin kam pasur komunikim të vazhdueshëm virtual ditën e natën, sa herë që kisha nevojë. Shkruheshim, bënim biseda të gjata telefonike, më jepte këshilla e kurajë(më jep edhe tani që kam dalë nga spitali), këshilla këto që më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë për ç’gjë do t’i jem përjetësisht mirënjohës!
– Prof.dr.Selami Sylejmani, bashkëvendës dhe mik i imi, një nga kuadrot më të avancuara shkencore i shkolluar e specializuar në universitetet më prestigjioze të Evropës…Ndoshta për shkak të njohjes dhe miqësisë reciproke prej disa dekadash, nga doktor Selamiu nuk kam hezituar kurrë të kërkoj këshilla mjekësore. Këshilla kërkova edhe këtë radhë kur mu paraqiten problemet shëndetësore, madje disa ditë përpara se tërezultoja pozitiv me Covid-19. Në bazë tësimptomave që ia kisha treguar, kishte dyshuar që në fillim se ishte fjala për Covid -19, ndonëse nuk ma kishte thënë (më tregoi më vonë kur e mora veten). Sidoqoftë, këshillat e tija, telefonatat dhe mesazhet që nuk janë ndalur gjatë ditëve sa popërballesha me sëmundjen, paraqesin për mua ndihmesë të jashtëzakonshme për ç’gjë i jam shumë mirënjohës!
– Duke qenë se nisa me mjekët, do ta veçoja këtu edhe kontributin e dr. NaserAjupit, specialist i pulmologjisë dhe shef i repartit të mushkërive në Spitalin rajonal të Prizrenit. Dr. Naseri që e kam edhe mik që nga koha e studimeve, duke i njohur problemet e mia të mëhershme shëndetësore, u angazhua jashtëzakonisht shumë që të më ndihmojë gjatëpërballjes me sëmundjen. Falëpërkujdesit dhe terapisë së caktuar nga ai, unë sot po ndihem shumë mirë për ç’gjë i jam shumë mirënjohës!
– Një falënderim tëveçantë kam për familjen time të cilët të shqetësuar për shëndetin tim, u detyruan të qëndronin për më shumë se dy javë nëvetizolim. Falë zotit, asnjëri nga 12 anëtarët nuk kishin simptoma të sëmundjes dhe sa herë komunikonim e më tregonin se janë shëndosh, mua më lehtësoheshin dhimbjet dhe vuajtjet. Faleminderit për sakrificën që bëtë, familja ime e shenjtë!
– Nuk mund t’i lë pa i falënderuar nipin tim Gurin dhe birin tim të vogël Ditëlindin të cilët fati deshi që të jenë jashtë izolimit (Guri punonte në Prishtinë ndërsa Ditëlindi në Prizren). Gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në spital, këta vinin 3-4 herë në ditë dhe mi plotësonin nevojat që kisha (blerja e barërave, ushqimit, ndërrimi dhe pastrimi i rrobave, etj.). Duke qenë djem të rinj dhe sportistë, ata ende pa përfunduar telefonata, “vizatoheshin” te dritarja e dhomës dhe nuk më shërbenin vetëm mua por edhe pacientë tjerë që kishin nevojë. Faleminderit shumëdjema!
– Falënderim tëveçantë kam për mijëra miqtë e mi realë e virtualë nga të katër anët e globit (Amerikë, Australi, Zelandë e Re, Kanada, Turqi, nga të gjitha shtetet e Evropës dhe tërë gjeografia shqiptare)miq të mi mërgimtarë të cilët me mesazhet dhe telefonatat e tyre, krahas shprehjes së shqetësimit për shëndetin tim, më jepnin kurajë e forcë për tu përballur me sëmundjen.
– Falënderoj gjithashtu kolegët e mi të punës të cilët përveçse patën mirëkuptim, vazhdimisht shprehnin brengosjen e tyre për shëndetin tim dhe më uronin shëndet. Përjetësisht mirënjohës!
Si në të vërtetë e mposhta sëmundjen?!
Përveç kontributit tëjashtëzakonshëm tëtë gjithë atyre që i përmenda e i falënderova më sipër, do t’i përmendja edhe nja tre faktorë që për mendimin tim ishin vendimtar për tëmë nxjerrë fitimtar nga përballja me Covid -19.
E para, besimi im i palëkundur në Zot dhe bindja që e kisha krijuar se do të dal fitimtar. Kjo bindje nuk ishte ngulitur vetëm në mendjen time por nëçdo qelizë të trupit tim dhe i tërë organizmi ishte mobilizuar për t’i ndjekur e zhdukur viruset e kurorës që bënin presion të vazhdueshëm në organizëm;
E dyta, përdorimi që nga dita e parë e shtrirjes në spital të një ilaçi të rekomanduar nga miqtë e mi – mjaltë origjinale të përzier me vaj të farave të zeza! Këtë ilaç, e kam përdorur çdo ditë (vazhdoj ta përdori edhe sot) nga një lugë të gjellës në mëngjes dhe në mbrëmje përpara gjumit. Qysh gjatë gëlltitjes e vëreja se po më bën mirë!
E treta, ecjet e mëngjesit. Javën e fundit të qëndrimit në spital, si pasojë e mosaktivitetit fizik (gjatë gjithë kohës i shtrirë në shtrat), filluan të më veniteshin damarët. Infermierët e kishin të vështirëtë ma vendosnin gjilpërën për infuzion ngase nuk e gjenin dot enët e gjakut! Duke u preokupuar me këtë problem, më lindi ideja që të filloja të ecja. Ecja ishte i vetmi aktivitet fizik që mund ta bëja edhepse kushtet ishin shumë të kufizuara. Fillova të eci nëpër dhomë dhe nganjëherë (fshehurazi) edhe nëpër një pjesë të korridorit. Zgjohesha në orën 6 të mëngjesit kur nuk kishte shumë lëvizje të personelit shëndetësor e as të pacienteve. Ditën e parë, me shumë mund i bëra 500 hapa! Të nesërmen i dyfishova hapat dhe çdo ditë që kalonte arrija rekord të ri. Pas ditës së dytë fillova të dal edhe në rrugicën prapa repartit dhe bëja ecje herë normale e herë më të shpejtë dhe rezultatet mi tregonte aplikacioni “samsunghealth”. I shtoja hapat e kilometrat. Pas ecjes ndjehesha shumë më i relaksuar dhe kur e matja saturimin e oksigjenit sillej nga 95 – 98 që nga mjekët konsiderohej super i mirë!…
Me ecjen jam duke vazhduar edhe pas daljes nga spitali. Madje në ditën e parë të qëndrimit në shtëpi, u zgjova herët dhe bëra ‘garë’ me diellin për t’i prekur kurorat e malit Sharr!Vendosa rekord të ri. Distanca që përshkova ishte 6.17 km dhe këtë e kalova për 1 orë e 23 minuta. Për dallim nga ecja që bëja derisa isha në spital ku shfrytëzoja një pistë me distancë 200 m dhe terreni ishte i rrafshët, terreni në fshat ishte i pjerrët me një diferencë 143 m lartësi mbidetare (fillimi 1104 m dhe pika më e lartë 1247m).8298 ishte numri i hapave ndërsa shpejtësia e ecjes 4.4 km/h – 7.4 km/h.Për dikë ky ‘rekord’ mund të konsiderohet i pa përfillshëm por për mua është super rekord kur kihet parasysh fakti se vetëm 6 ditë më parë, me shumë mund arrita t’i bëj 500 m ecje nëpër dhomën ku isha i izoluar!!!
Më duhet ta ndaj me ju konstatimin se nëse ia kam parë ndonjë ‘hajër’ të vetëm virusit të kurorës, ishte pikërisht ky vendim i prerë që të eci!
Për fund, më duhet të theksoj se që nga fillimi i përballjes me sëmundjen, kam humbur 11 kilogramë peshë (tetë ditë nuk kam futur fare ushqim në gojë)! Edhe ashtu i kisha të tepërta ata kilogramë, madje me ecje do të përpiqem t’i humbi edhe nja 15 kilogramë të tjerë për të arritur në një peshë solide që përputhet me gjatësinë e trupit dhe me moshën time!
Të gjitha hollësitë për peripecitë e mia gjatë përballjes me Covid-19, kam planifikuar t’i hedh në letër dhe shpresoj së shpejti do t’i keni në dorë në formë libri!
Këtë rrëfim (ndoshta pak të zgjatur) dëshiroj ta përmbylli me një thirrje drejtuar të gjithëqytetarëve, KUJDES se Covid-19 nuk është lojë. Mos e neglizhoni. Mua më solli në prag të vdekjes e shumë të tjerë edhe e paguan me jetë. Covid-19 është realitet. Me një kujdes të shtuar mund të mbrohemi. Vendosja e maskës, respektimi i distancës, larja e shpeshtë dhe dezinfektimi i duarve janëgjëra fare të lehta që mund t’i bëj secili. Me këtë e mbroni veten dhe të tjerët!
Më premtoni se do ta bëni!
Uroj nga zemra që të jem i infektuari i fundit nga ky virus!
Ju dua shumë!
Bresanë, 16 korrik 2020