Shteti i dënon me nga 10 mijë euro IPKO-n dhe VALA-n
Autoriteti për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka nisur t’i gjobitë operatorët e telefonisë mobile në Kosovë, IPKO-n dhe VALA-n, pasi këto të fundit nuk kanë larguar ende nga përdorimi kodet e huaja telefonike.
Këta operatorë kanë qenë të obliguar që nga viti i kaluar të përdorin kodin shtetëror +383. Mirëpo pas kërkesave të tyre ARKEP u kishte dhënë afat shtesë.
Data e fundit për tërheqjen e kodeve +377 dhe +386 dhe zëvendësimi i tyre me kodin shtetëror të Kosovës +383 ka qenë 15 janari.
Zyrtarë të ARKEP-it kanë treguar për FaktePlus se operatorët e telefonisë mobile nuk kanë bërë largimin e kodeve të huaja sipas afatit të përcaktuar, gjë që ka rezultuar me hyrjen në fuqi të gjobës ndaj tyre me shumën prej 10,000 euro.
“Me vendim, ARKEP ka gjobitur operatorët për mos-respektim të afatit për largim të kodeve të huaja dhe gjoba mbetet në fuqi në baza mujore deri në një vendim tjetër”, kanë treguar në ARKEP.
Në ARKEP kanë thënë se zbatimi i kodit, përveç se përbën element me rëndësi për sovranitetin në fushën e telekomunikimeve është në dobi edhe të vet operatorëve.
“Duke pasur parasysh se zbatimi teknik i kodit telefonik është detyrë e operatorëve të telefonisë, AKREP është në komunikim me operatorët e telefonisë të cilët janë duke ndërmarrë hapa për kryerje sa më të shpejt të këtij obligimi. Zbatimi i kodit, përveç se përbën element me rëndësi për sovranitetin në fushën e telekomunikimeve është në dobi edhe të vet operatorëve”, thuhet në përgjigjet e Autoritetit.
Në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Ligji bazë Nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike, ARKEP thotë se mbetet i përkushtuar në vazhdimësi për përmbushjen me sukses të këtij procesi me rëndësi nacionale dhe nëse është e nevojshme do të ndërmarr edhe hapa tjerë në përputhje me kompetencat që ka.
Ditë më parë zyrtarë nga IPKO dhe VALA kanë treguar për media se ende nuk i kanë larguar plotësisht kodet që i kanë përdorur deri më tash.
“… arsyeja që kodi +386 nuk është mbyllur tërësisht është që të mos shkaktohen pakënaqësi te klientët nëse operatorët e vendeve të largëta që nuk e njohin kodin e ri shtetëror”, kanë thënë në IPKO.
Kurse, në Telekomin e Kosovës, patën deklaruar se në praktikë ka kohë që ka filluar së implementuari kodin e ri +383, dhe se në telefoninë fikse veç se ka përfunduar së jetësuar kodin shtetëror.
Ndërsa sa i përket telefonisë mobile kanë treguar se ka mbetur edhe detaje të vogla teknike, por të cilat e pamundësuan implementimin e plotë në afatin e dhënë.
Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në muajin dhjetor të vitit 2016 pati lëshuar kodin telefonik për Kosovën.
Ishte paralajmëruar se brenda një periudhe 18 mujore të bëhet ‘migrimi’ i sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 (kodi i përdorur nga Vala) dhe +386 (që përdoret nga operatori IPKO) si dhe largimi i menjëhershëm i kodit për telefoni fikse +381.
Zyrtarisht përdorimi i kodit +383 filloi të përdoret nga marsi i vitit 2018, ndërkohë që përdorimi i kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundojë në muajin qershor.
Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata t`i hapin ‘routat’, për thirrje ndërkombëtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri. Kjo nuk u krye me sukses.
Operatorët telefonikë kishin kërkuar që afati për këtë implementim deri në tetor të vitit të kaluar. Për këtë ARKEP caktoi 15 janarin e këtij vitit si afati i fundit që operatorët telefonikë të largojnë kodet telefonike +377 dhe respektivisht +386 përndryshe pasojnë dënimet monetare./FaktePlus