ARKEP jep detaje për kodin e Kosovës +383, kodet e tjera funksionale vetëm edhe nesër
Qytetarët e Kosovës kanë vetëm edhe dy ditë kohë që të komunikojnë mes vete përmes telefonave me kodet +377 dhe +386. Nga data 15 e këtij muaji kodi i vetëm zyrtar i shtetit për komunikim telefonik është +383.
Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka bërë të ditur për FaktePlus se operatorët që përdorin ende prefikse telefonike të huaja në Kosovë do të vazhdojë të vlejë gjoba bazuar në vendimin e ARKEP nr 1263.
“Për këtë qëllim operatorët janë gjobitur me shumën prej 10,000 eurosh, e cila gjobë është e caktuar në baza mujore deri në një vendim tjetër të ARKEP apo në largimin e plotë të kodeve të huaja në përdorim në Kosovë”, thuhet në përgjigje për FaktePlus.
ARKEP potencon se siç është bërë e ditur më herët implementimi teknik i kodit telefonik të Republikës së Kosovës +383 është përgjegjësi e vet operatorëve të telefonisë në Kosovë, shkruan FaktePlus.
“Aktualisht kodi +383 është funksional, por operatorët e telefonisë mobile nuk kanë larguar nga përdorimi ende kodet e huaja, që ka qenë obligim të ndodhë deri me datën 15 janar 2019. Aktualisht kemi zotimin publik të operatorit Telekomi i Kosovës se ndërprerja e kodit të Monakos 377 për përdorim në Kosovë do të ndodhë deri me datën 15 shkurt 2019. Ndërprerja e këtij kodi është një hap shumë me rëndësi dhe një sukses i këtij operatori në drejtim të implementimit të plotë të kodit 383”, thekson ARKEP.
Po ashtu, në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare kanë thënë se qytetarët të cilët nuk ndërrojnë prefiksin për thirrjet që ata bëjnë në drejtim të numrave të operatorit Telekomi i Kosovës dhe vazhdojnë të bëjnë thirrje me 377 do të njoftohen nëpërmjet sekretarisë telefonike se këta numra nuk janë më të qasshëm prandaj duhet të përditësohet lista e përdorueseve me prefiksin 383.
“Ju bëjmë thirrje edhe operatorëve të tjerë të bëjnë ndërprerjen e kodeve të huaja sa më shpejtë. Përndryshe për operatorët që përdorin ende prefikse telefonike të huaja në Kosovë do të vazhdojë të vlejë gjoba e pacaktuar nga ARKEP bazuar në vendimin e ARKEP nr 1263”.
Gjatë ditës së sotme është raportuar se të gjithë shfrytëzuesit e Facebook dhe Instagram-it duhet të përditësojnë numrin e telefonit nga prefikset +377 në prefiksin shtetëror +383.
Mentor Hoxhaj, ish-mbikëqyrës shtetëror në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ekspert i sigurisë së informacionit ka thënë se secili rrezikon të mos keni qasje në këto dy rrjete sociale apo në e-mailin tuaj.
“Te gjithë shfrytëzuesit e Facebook dhe Instagram, dhe kudo që keni 2FA ( si në gmail etj) duhet të përditësoni numrin e juaj të telefonin nga prefikset +377/+386 në prefiksin shtetëror +383.
Kjo duhet të kryhet brenda ditës së sotme 13 shkurt 2019. Ne të kundërtën do rrezikoni të mos keni qasje në Facebook & Instagram apo në e-malin tuaj. Ngase nga 14 shkurti i vetmi prefiks që do jetë në shërbim do jetë prefiksi +383”./FaktePlus