Veç edhe pesë ditë afat për +383, kush s’e zbaton dënohet
Operatorët telefonik në Kosovë që ende s’e kanë ndërruar kodin e hyrjes kanë afat vetëm deri me datën 15 të këtij muaji ta bëjnë këtë. Pas kësaj date asnjë operator nuk do të lejohet të përdor kode të shteteve tjera brenda territorit të Kosovës dhe do të gjobitet me nga 10 mijë euro në muaj.
Zyrtarët e Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), kanë treguar për FaktePlus se operatorët që nuk e përfillin rregulloren dhe nuk ndërpresin përdorimin e kodeve të huaja telefonike do të gjobiten.
“Më së voni deri më datë 15 janar 2019 të përfundojnë implementimin e kodit E.164: 383 në rrjetet e telefonisë mobile. Për operatorët, të cilët nuk e përfundojnë në tërësi implementimin e kodit E.164: 383 sipas afatit të specifikuar më lartë dhe largojnë kodet, të cilat kanë qenë në përdorim deri më tani, do të ndërmerren masa sanksionuese në përputhje me Kornizën Rregullatore në fuqi, respektivisht do t’u shqiptohet sanksioni ekonomik në vlerë prej 10,000 (dhjetë mijë euro) në baza mujore, duke filluar nga data 15 janar 2019”, thuhet në përgjigjen e ARKEP.
ARKEP sqaron se pas shqyrtimit të ecurisë së deritashme rreth përmbushjes së procesit të implementimit të kodeve të caktuara nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU), me Vendimin nr.1263 (Ref. Nr.Prot.057/B/18 ka shqiptuar vërejtjet përfundimtare dhe se gjithashtu ka obliguar operatorët të respektojnë këtë vendim.
“ARKEP në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Ligji bazë Nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike, mbetet i përkushtuar në vazhdimësi për përmbushjen me sukses të këtij procesi me rëndësi nacionale dhe nëse është e nevojshme do të ndërmarr edhe hapa tjerë në përputhje me kompetencat që ka”, bëjnë të ditur tutje zyrtarë nga ky Rregullator për FaktePlus.
Kujtojmë se edhe pse ishte paraparë qysh në qershor të vitit 2018 që t’i jepet fund operimit të kodeve të huaja telefonike dhe të përdoret vetëm kodi +383 i Kosovës, kjo nuk arriti të realizohej.
Sfidë për fillimin e zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës +383, sipas operatorëve të telefonisë mobile Vala dhe Ipko ishin relacionet e tyre me operatorët ndërkombëtarë.
Aktualisht në Kosovë ekzistojnë dy operatorë të telefonisë mobile të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile Vala shfrytëzon kodin e Monakos (+377), kurse ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386). Për këto kode të huaja Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.
Në mungesë të kodit telefonik, vetëm Telekomi i Kosovës, që shfrytëzon linjën +377, i ka paguar për shfrytëzim të kodit 3 milionë euro Telekomit të Monakos, kurse për humbjet komerciale deri në 6 milionë euro.
Kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, i kanë kushtuar humbje vendit deri në mbi 200 milionë euro.
Republikës së Kosovës i është ndarë kodi telefonik nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) në dhjetor të vitit 2016./FaktePlus