PDK-ja deklarohet për mosdekretimin e Cakës nga Presidenti Meta
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka reaguar për mos dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm në Qeverinë e Shqipërisë.
Përmes një postimi në Facebook, Ismaili ka thënë se duartrokitjet e atyre që i gëzohen mosavancimit të një figure me aq shumë potencial politik janë dëshpëruese.
Sipas Ismailit, skena politike në Kosovë dhe Shqipëri ka ditur të prodhojë politikanë të rinj të cilët kanë arritur të ofrojnë zgjidhje në paqe dhe në situata ta krizave.
“Duartrokitjet e atyre që i gëzohen mosavancimit të një figure me shumë potencial politik, siç është Gent Cakaj, janë dëshpëruese. Skena politike në Kosovë dhe Shqipëri ka ditur të prodhojë politikanë të rinj, të cilët, përkundër moshës së re, kanë ditur të ofrojnë zgjidhje në paqe dhe në situata të krizave. Politika duhet të bëjë vend për figurat e reja politike me potencial të madh të lidershipit, e jo t’i dekurajojë ato. Parimisht, askush nuk do të duhej t’i gëzohej pamundësisë që një djalë nga Kosova, me vullnetin e tij të mirë patriotik, t’i shërbejë Shqipërisë”, ka thënë Ismaili. FaktePlus