Me kërkesë të ministrit suspendohet kirurgu që ofendoi pacientin
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka njoftuar se është suspenduar nga puna kirurgu në Prizren, i cili ofendoi një pacient.
Fillimisht ministri Ismaili tha se është e papranueshme gjuha që ka përdorur kirurgu në Siptalin e Prizrenit ndaj pacientes që ishte në dhimbje.
Ai kërkoi që të merren masa menjeherë., pasi kjo thyen besimin e qytetarëve dhe i hedhë hije të keqe tërë sistemit shëndetësor.
“Pacienti dhe sistemi shëndetësor duhet të mbrohet nga të gjithë që e keqpërdorin besimin tonë, fyejnë pacientin dhe vet profesionin e mjekut. Merrni masa sonte. Nesër është vonë”, ka thënë ministri Ismaili.
Dhe brenda orës menaxhmenti i Spitalit të Prizrenit e ka quar në vend fjalën e ministrit, duke suspenduar kirurgun në fjalë.
“Sapo u njoftova që kirurgu në Prizren është suspenduar nga menaxhmenti i Spitalit të Prizrenit. Ky reagim duhet të jetë mësim për të gjithë ata që abuzojnë me pozitat dhe besimin e dhënë”, ka dhënë lajmin ministri Ismaili.
Në këtë rast, ai tha se institucionet do të vazhdojnë të investojnë në sistemin shëndetësor dhe që të gjithë punëtorët shëndetësorë të jenë me integritet dhe etikë të lartë, porse nuk do të ketë tolerancë ndaj abuzimeve./FaktePlus