A bëhemi sivjet me sigurime shëndetësore në Kosovë?
Ndonëse Ligji për Sigurime Shëndetësore (2013/04-L-249), është miratuar në Kuvendin e Kosovës qysh në vitin 2013, e përsëri me disa ndryshime e plotësime në vitin 2014, ai ende nuk po gjen zbatim në praktikë.
Janë ndërruar disa qeverisje e ministra të Shëndetësisë, që nga Ferid Agani, Imet Rrahmani e tani edhe me ministrin aktual Uran Ismaili dhe procesi me ligjin për sigurime vazhdon të zvarritet.
Që ky ligj të jetësohet në praktikë, i cili ka për qëllim të sigurojë qasje universale të qytetarëve dhe banorëve të Republikës së Kosovës ndaj shërbimeve kualitative të kujdesit themelor shëndetësor, është krijuar Fondi për Sigurime Shëndetësore.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se për funksionalizimin e plotë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore është duke u punuar vazhdimisht nga të gjithë akterët me rëndësi në këtë ministri.
Në një përgjigje dhënë me shkrim nga zyra për informim e ministrisë për FaktePlus thuhet se sigurimet do të jenë prioritet i ministrit Uran Ismaili, në këtë vit të dytë të mandatit të tij në krye të kësaj ministrie.
“Derisa në vitin e parë të qeverisjes ministri Ismaili është marrë me investime kapitale, blerje të pajisjeve, rinovime të klinikave, ndalje të korrupsionit në blerjen e barnave, në vitin e dytë një nga prioritet kryesore do të jetë funksionalizimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, është përgjigja e zyrës për informim në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në mungesë të sigurimeve shëndetësore dhe punës së pakët që është bërë në realizimin e këtij projekti me shumë rëndësi për qytetarët e Kosovës dhe shëndetin e tyre, këta të fundit janë varfëruar vazhdimisht pasi që të gjitha shërbimet shëndetësore është dashur e vazhdojnë t’i paguajnë nga xhepi i tyre.
Mirëpo në Ministri të Shëndetësisë thonë se hapat drejt jetësimit të këtij projekti tashmë janë të dukshëm.
“Ka pasur zhvillime pozitive në funksionalizimin e Fondit. Tashmë Fondi është në një objekt të veçantë, duke shtuar stafin, dhe me politika të qarta për këtë vit që të jetë në kohë me të gjitha detyrat”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e ministrisë.
Madje sipas ministrisë, nga fundi i këtij viti planifikohet që të fillohet me mbledhjes e premiumeve, pasi edhe bëhet funksionalizimi i plotë i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Premiumet janë pagesat që bëjnë qytetarët në bashkëpjesëmarrje me sektorin publik apo privat varësisht se ku janë të punësuar.
Sipas disa llogaritjeve të mëhershme thuhet se në sektorin publik në bazë të pagës mesatare, kostoja duhet të jetë 18 milionë euro në vit për të punësuarit, si dhe 18 milionë euro për qeverinë.
E në sektorin privat, në ndërmarrjet të cilat paguajnë TVSH, ashtu siç edhe është e theksuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore, në bazë të pagës mesatare, kostoja vjetore do të jetë 19 milionë euro për punëdhënësin, ndërsa për punëmarrësin 19 milionë euro. Pra përqindja e premiumeve është e ndarë në mënyrë të barabartë, si për punëtorët ashtu edhe për punëdhënësit.
Grupi i tretë i popullsisë janë ata që nuk janë të regjistruar në këto kategori. Këta qytetarë do të paguajnë nga 2 euro në muaj. Prej tyre pritet të mblidhen rreth 6 milionë euro në vit, dhe më pas këta qytetarë do ta fitojnë statusin e të siguruarit shëndetësor./FaktePlus