Pas fitoreve të Skënderbeut, fitoret ushtarake i ringjalli UÇK-ja
Skënder Berisha
Fituesit e shkruajnë historinë. Fitoret, vetvetiu nënkuptohen fitoret në luftë, fitore është aty ku ngulet flamuri, nga fitimtarët. Këto fitore ishin edhe përcaktor të jetës së brendshme të popullit që i takonte fitorja. Vijimësia Ilire-shqiptare, pas Pirros, dy Batove, Bardhylit, Glaukut, Teutës, traditës së lashtë nga Iliada e Odiseja, mbyllën pa përgjigje një kapitull sa tragjik, aq paradoksal. Paradoksal sepse, një popull apo njëra pjesë u zhduk, ndërsa një tjetër u lind.
Paksa të çuditshme këto hove të palejueshme dhe të panjohura nga historia. Ne, pa mëdyshje, themi se vijimësia që do të trashëgoheshin me fillin e të bëmave të shënuara sot, kontribut për historinë botërore, fillojnë së paku nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke mos arritur të mbrojmë dhe instalojmë në librat e historisë globale vijimësinë ilire-shqiptare.
Trashëgimia me gropat e historisë botërore, e cila nuk arrin të dalë nga skematizimi dhe animit nga fitimtarët, ende nuk e pranon vijimësinë pellazge, në ilire dhe normalisht në trashëgiminë shqiptare. Këto gropa historike, janë evidente, jo vetëm për historinë tonë, madje, edhe vijimësinë e aspektit shpirtëror të trashëgimisë. Kjo duket qartë në vijën e origjinës së papëve, duke mbajtur shënime për katër papë zyrtarë ishin shqiptarë që sipas studiuesve janë tetë apo njëmbëdhjetë, Shën Eleuteri, Shën Urbani I, Shën Kai, Shën Pali IV, Papa Gjoni IV, Papa Sisti V, Papa Klementi XI dhe Klementi XII. Pra, zyrtarisht i kemi katër, papët tjerë, janë përjashtuar nga kjo vijë.
Historia e popujve të vegjël, kalon nëpër dyert e tragjedive të mëdha, ka cekur Ismail Qemali. Fillimet e tragjedisë së popujve të vegjël do kërkuar në gjenezë. Sa më e veçantë gjeneza, tragjedia më e madhe, kjo dëshmohet me historinë e popujve që u ndëshkuan dhe ende historia është duke i ndëshkuar. Andaj, Skënderbeu paraqet kapitullin më të ndritur nacional të kodit, adn-së dhe njësisë dalluese në Evropë e më gjerë, si popull, kulturë e traditë, e veçantë, e vetme, unike, e papërsëritshme, unitetit shqiptar, njësisë shqiptare. Mbase njësi, popull sui generis, thjeshtë, shqiptarë si në fitore, edhe në disfata.
Kjo histori shembullore e Skënderbeut, sa farfuritëse aq epike dhe e pabesueshme e rezistencës dhe fitoreve, për mbi pesë shekuj e gjysmë, do të jetë e fjetur, për t’u zgjuar në kapërcyellin e shekujve, me vajzat dhe djemtë më besnik e më të devotshëm të mbamendjes së kultivuar historike skënderbejane, UÇK-ja.
Gjergj Basta, do të korrte njëqind fitore dhe Evropa ia dha vlerësimin sepse, ishte gjeneral që shpërndau vlerat mbi të cilat sot pushon Evropa, pushtimin, sundimin, fitoren ushtarake, kolonitë dhe ndikimin e forcës. Vlera këto që kombit shqiptar, si trashëgimi skënderbejane nuk ia pranoi kur nga mbi 85 mijë kilometra katror, e rrëgjoi trungun, trupin dhe hapësirën shqiptare në një të tretën e asaj që ishte, është. Në këtë hapësirë jetësore, historia e konfirmon praninë dhe gjenezën shqiptare.
Perandoria Otomane, pas thyerjes së qëndresës së Kryeheroit tonë, shqiptarët i joshi dhe shtrëngoi duke i integruar në superfuqinë që po lindte, për gati pesë shekuj, duke e shndërruar në mall për kusuritje deri pas rënies së kësaj perandorie, edhe në konferencën ku mbyllej harta e re e sotme e botës.
Shqiptarët, kurrë nuk u pajtuan me okupimin, paçka u nënshtruan me zjarr e hekur, me topa e bajoneta, me hallvë e mëndafsh, por rrethanat nuk e lejuan të ngrihej në këmbë si në epokën legjendare të Skënderbeut. Trimat e fisit të Skënderbeut, për gati pesë shekuj e rikonfirmuan origjinën e fisme e të veçantë, në Kajro, Damask, Romë, Athinë e Stamboll, por Shqipëria, gjuha shqipe dhe kultura kombëtare, nuk arriti ta fitojë shkëlqimin që i takonte krahas kombeve evropiane.
Lidhja e Prizrenit do të jetë gurë themeli i kërkesave të njësisë së veçantë nacionale, sa legjitime, aq të drejtë, por, mungonte fuqia dhe kryeheroi Skënderbe, munguan Lekë Dukagjinët dhe Gjergj Arianitët, munguan Spanët e Dushmanët, Zakariajt e Pal Engjëjt. Lidhje e cila filloi dhe u shkri, pa arritur të sendërtonte njësinë për të cilën u zotuan me besa-besë.
Pavarësia në Vlorë, do të ishte rikonfirmim i asaj çka mund të mbrohej. Nuk mund të bënte punë as një Isë e as njëqind Isë të tjerë, sepse, superfuqitë të cilat luftonin për balansa, ndikim e hakmarrje anti osmane, përmbyllje të orekseve panortodokse, nuk flinin. Ne, nuk patëm engjëll mbrojtës, sepse, Austro-Hungaria pësoi nga madhështia e vet, dhe ne mbetëm jetim deri sa nuk u shfaq Presidenti amerikan, Wodrow Wilson dhe konceptet e “botës së re”.
Kombi ynë, Luftën e Dytë Botërore e zhvilloi në dy binarë, duke mbrojtur veten dhe duke mbrojtur ide të panjohura deri atëherë. Lufta bëhej kundër nazizmit me armë por edhe rezistencë kundër komunizmit si dukje, mendësi dhe propagandë. Ishte joshje vdekatarë që vinte nga lindja, jashtë kodit të mbamendjes, moralit dhe traditës, kjo në të shumtën e rasteve i atribuohet veriut tradicional brenda trungut nacional.
Ajo ushtri e madhe me yll, nuk e lëvizi asnjë pëllëmbë të Shqipërisë londineze. Kosova dhe trojet tjera shqiptare mbetën peng i bindjeve, ideologjisë, pamundësisë dhe inercionit historik. Rezistenca e Drenicës e personifikuar me Hasan Prishtinën, Azem Bejtën dhe Shaban Polluzhën, ishte kurorëzim i pengut të vulave të rënda të padrejtësisë, hartave të gabueshme, Jaltës dhe përkatësisë së bllokut lindor.
Kapërcyelli gjeti bijat e bijtë më të çmuar të kombit, të gatshëm të rinisin vrullin e Skënderbeut. Ia nisën betejës për liri deri në vdekje. Komandanti legjendar Adem Jashari, kishte lindur, ishte rritur me atë zjarr dhe destinimit të fatit historik, duke ia vënë gjoksin okupatorit shekullor, me tërë familjen. I tërë kombi, u hodh në rreshtim të ri, pas tij, me frymën skënderbejane. Deri në fitore.
Nga gjashtëqind vjet histori, fitore të shënuara në faqet më të ndritura në historinë e përbotshme të fitoreve shqiptare, dykrenorja e Skënderbeut sërish ka valuar pas fitoreve ushtarake, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke ngulur flamurin, mbi kullat e pallatet e djegura të Kosovës. Sërish, flamuri dykrenor, u ringjall, rimori veten dhe valoi i lirë, si simbol i fitores ushtarake.
Sot, prijësit e UÇK-së, ushtrisë së lavdisë dhe dinjitetit, ushtrisë së popullit që mëtonte çlirim, janë të ndaluar. Po ajo Evropë e cila me shekuj u përpoq ta ndalte orën shqiptare për ndikimin e vet, sërish fuqishëm kapën akrepat për ta ndalur orën me akuza të origjinës nga veriu dhe stepat.
Por, krenari e këtij populli, është më e madhe, se sa ndalimet euro-ruse, sepse, pas Skënderbeut, UÇK-ja sërish korri fitore ushtarake dhe mban kufijtë e saj, megjithëse me ndihmën e fuqive të mëdha, frytin e fitores së saj, shtetin e lirë e të pavarur.
Një vështrim i fitoreve, disfatave dhe arritjeve tona ndër shekuj, na japin të drejtë të themi me plot gojën se Skënderbeu ishte pasqyrimi themeltar i çlirimtarit që sot ndëshkohet. Ai ka ecur fuqishëm gjurmëve të Skënderbeut, duke rikthyer nderin, besimin dhe krenarinë e një kombi, të dënuar e të ndarë nga kongreset e konferencat e padrejta të fuqive të mëdha ndër shekuj. Me UÇK-në, kombi ynë rigjeti aleatin te po ato fuqi, të cilat me strategjitë e veta, korrigjuan më në fund një pjesë të gabimit sa tragjik aq të pafalshëm.
Kombi shqiptar, institucionet e sotme, shkëlqimin e fitores së ushtrisë së vet, UÇK-së, ende as ia ka dhënë meritën, as nderimin e as vendin që i takon, aty, pranë krahut të djathtë të Skënderbeut si pasardhëse e shëmbëllim i denjë pas tij, sot e përgjithmonë, deri sa të ketë shqiptarë!
Si dje, Skënderbeu, edhe sot, UÇK-ja, jeton e bashkëjeton në skenën globale me miq e shumë armiq!