Kujdes nga monedhat dhe kartëmonedhat e falsifikuara
Shkruan: Fehmi Mehmeti
Të dhënat e fundit të disponueshme tregojnë se ka vazhduar rritja monedhave-kartëmonedhave në qarkullim që janë të falsifikuara.
Por, ndonëse nuk mund të ketë të dhëna të sakta se sa paratë tilla janë në qarkullim, në këtë rast tregtarët, qytetarët janë në kontakt të vazhdueshëm me paratë, i kanë jo të panjohura eksperiencat me paratë e falsifikuara.
Sipas mendimit tim qytetarët janë pak të informuar mbi elementët e sigurisë së një monedhe apo kartmonedhe dhe metodat që përdorin për identifikimin e tyre, në anën tjetër tek institucionet bankare përballja me këto lloj monedhash-kartëmonedhash është e shpeshtë, por metodat që përdoren për identifikimin e tyre, padiskutim janë tejet të sofistikuara.
Mund të themi që ka tentativa, sidomos në Kosovë që është një ekonomi që qarkullon me vlera të larta në kesh, në ndryshim me shtetet e tjera, ku janë të zhvillura edhe metoda alternative të tjera dhe paraja fizike ka ardhur në rënie si vlerë.
Tentativat për para të falsifikuara mund të jenë të shpeshta, por masat që merren gjithashtu duhen të jenë të shpejta.
Kujdes me paratë ‘cash’!
Përgjithësisht klientët nuk janë në dijeni, që janë duke futur një monedhë- kartëmonedhë të falsifikuar në bankë.
Sektori bankar në Kosovë përdor identifikimin e kamerave apo me aparatet e numërimit të kesh-it, që përveç numërimit bëjnë dhe identifikimin e elementëve të sigurisë.
Por, në këto raste thirrja ime për qytetarët është që duhet të shmangin pagesat me ‘cash’, pasi mundësitë për të rënë në kontakt me monedhë- kartëmonedhë të falsifikuara janë më të mëdha.
Çdo biznes, por edhe qytetari do të duhet të jetë i kujdesshëm në qarkullimin e kartëmonedhave. Veprimet financiare me monedha-kartëmonedha duhet t’i bëjnë nëpërmjet bankave për të evituar keqkuptimet, për të evituar mundësinë që dikush në një moment të caktuar t’i pasojë një monedhë- kartëmonedhë të dyshuar si të falsifikuar.
Trajnime për sigurinë
Trajnimet mbi elementët e sigurisë së monedhave-kartëmonedhave do të ishin të domosdoshme të mbahen nga institucione të specializuara.
Në këtë rast edhe vet institucionet që kanë qarkullime të mëdha të parave ‘cash’ duhet të investojnë në trajnime të stafeve të tyre mbi elementët e sigurisë së monedhave- kartmonedha, dhe njëkohësisht kushdo që qarkullon apo ka lidhje me përpunimin e ‘cash’-it të pajiset me të njëjtat makineri dhe të përditësohet çdo vit, në këtë rast kjo mund të ju duket si kosto, por kjo do të mbajë larg këta persona që duan të kanalizojnë monedha-kartëmonedha false.
Parandalimi i monedhave-kartëmonedhave të dyshuara false është në të mirë qytetarëve , bizneseve etj. se përveçse krijon një kosto monetare, në momentin që një subjekt ka arkëtuar monedha-kartëmonedha dhe banka e njofton që disa prej tyre janë false, atij i cenohet dhe besueshmëria, që është edhe më e rëndësishme
Në fakt, edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës duhet vazhdojë me marrjen e masave për mbrojtjen nga falsifikimi, në këtë rast edukimi financiar duhet që nëpërmjet trajnimeve, kualifikimeve dhe pjesëmarrjes në seminare dhe workshop-e, të bëjë vetëdijesimin e qytetarëve, për t’i informuar, orientuar dhe trajnuar ata, lidhur me elementet e sigurisë të kartëmonedhave, si dhe të faktorëve që sjellin minimizimin e falsifikimit të tyre.