Heroi Fadil Vata
Shkruan: Brahim Thaqi
Në këtë vit, megjithëse në rrethana aktuale nuk mund të shkojmë bashkë në masë të madhe, të jemi përballë madhështisë së tij, ne jemi bashkë në qëllimin e njejtë për ta nderuar si gjithmonë veprën e tij.
E në vazhimin e kësaj i kam fjalët e shkruara sikurse më parë, në një tentativë që të shkund në tundim për ti gjetë fjalët e duhura mbase, për heroin që i emocionoi qëndresa dhe largëpamësia e tij të gjithë.
* Ka kurreshtje natyrisht, për një djalosh i cili skalitun në bronz, qëndron i drejtë e i pamposhtun.
Mund ta vëreni në shtatore edhe shtrëngimin e dorës e cila fletushkën e mban të sigurtë e me gatishmëri.
Duart e tij kanë shtrënguar hekura burgu. Dikur në një kohë kur jashtë qelive ishte edhe më keq, mbase edhe njejtë, ku shtypja e terrori ishte mekanizëm që vepronte kudo.
Ai nuk e ndjente më besimin e thyer. Kishte lindur si i tillë, por tash rrezatonte frymëzim në gjenerata. Qetësia dhe qartësia në mendime vinte me vigjilencë, prapa leximit të librave.
Natyrshëm, sipas vullnetit e besimit të tij, do të vinte fuqia e popullit. Kjo ishte e pashmangshme deri te liria, dhe sigurisht pas vdekjes së tij. Duart e kapura në zingjir burgu, ishin paraqitja e një ideologu i cili kishte arritur t’ia shkund themelet mekanizmit të robërisë.
Në një kohë kur të “mençurit” e “intelektualët”, raportonin në masa popullore fuqinë e robërisë dhe pafuqinë e popullit, ai besonte të kundërtën, pafuqinë e robërisë përballë popullit.
Fuqi e besim për popullin, i kishin dhënë edukata familjare, afërsia e shokëve, historitë e lavdishme, e mbi të gjitha vullneti i tij i pathyeshëm.
Jeta e tij nuk është e zakonshme, sepse veprimet e tij për jetën janë të jashtëzakonshme.
Leximin e studimin e gjejmë në fjalimet dhe platformën e tij politike.
Angazhimin e sinqertë e shohim në rrëfimin e përmallshëm të shokëve të tij.
Rezistencën e kuptojmë në vitet e burgut dhe torturat në të.
Rezultatin e punës së tij e mësojmë, në rrugëtimin ushtarak të atyre që ranë për liri.
Madhështor e unik e bën epitafi mbi varrin e tij – “E përkujton Populli”.
Populli nuk vdes. Edhe historia e tij natyrisht jeton me Heroin Fadil Vata.