Flet Egzona Jetullahi për planet e zhvillimit ekonomik në Drenas
Erdhi pak më muaj më parë në krye të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në komunën e Drenasit, me ambicien për të punuar në zhvillimin e këtij qyteti në mënyrë që ta shndërrojnë Drenasin në qytet të dëshirueshëm për të punuar dhe jetuar nga qytetarët e kësaj ane.
Egzona Jetullahu, e cila mori drejtimin e kësaj drejtorie, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, thotë se prioritet i saj është funksionalizimin e Qendrës së Re të biznesit, iniciativat e reja për krijimin e vendeve të reja të punës, aplikimi pranë fondeve të BE-së dhe fondeve tjera për zhvillim rajonal, lokal dhe mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
FaktePlus: Janë bërë më shumë se një muaj që kur jeni emëruar drejtoreshë e Drejtoratit për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Drenasit. Si ka shkuar puna deri me tash?
Jetullahu: Deri më tash, puna në krye të Drejtorisë së zhvillimit ekonomik, ishte mjaft premtuese. Përvoja ime e deritashme, synimet dhe mundësitë e kësaj drejtorie përball nevojave të qytetarëve të Drenasit, janë në testim dhe në sfidën e gjetjes së zgjidhjeve sa më të mira. Andaj, ndjehem e nderuar se mund të angazhohem maksimalisht për këtë drejtori dhe të mirën e qytetarëve.
FaktePlus: Pse vendoset të jeni drejtoreshë në këtë komunë?
Jetullahu: Vendosa të jem në krye të kësaj drejtorie pas bashkëbisedimit me kryetarin Lladrovci dhe njohjes me disa nga drejtoreshat e komunës se dijet e mia mund të jenë në funksion të zhvillimit dhe mund t’i kontribuoj komunës time, një vizioni dinamik për zhvillim të cilin e mirëpresin qytetarët si dhe vizionit tim për një Drenas të zhvilluar.
FaktePlus: Cilat janë planet konkrete të drejtorisë suaj për vitin 2019?
Jetullahu: Në pajtim me dokumentet relevante për zhvillim afatmesëm dhe afatgjatë në nivel qendror i bëjmë të përshtatshme dhe të qasshme për nivelin lokal si funksionalizimin e Qendrës së Re të biznesit, iniciativat e reja për krijimin e vendeve të reja të punës, aplikimi pranë fondeve të BE-së dhe fondeve tjera për zhvillim rajonal, lokal, mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, është hapësira ku do t’i orientoj prioritetet e mia si drejtoresh. Takimi dhe promovimi i kapaciteteve të Drenas te investitorët strategjik apo potencial në komunën tonë, informimi i drejtë i shoqatave të biznesit në vend dhe më gjerë si dhe motivimi i tyre të investojnë në Drenas, është pjesë e punës time. Gjithsesi, ofroj edhe mbështetje të plotë për biznesin vendas i cili gëzon përkrahje të gjithanshme në komunën tonë.
FaktePlus: Si është të punosh në komunën e Drenasit që drejtohet nga Ramiz Lladovci?
Jetullahu: Puna në Komunën e Drenasit, është përtej pritjeve të mia. Është tepër dinamike, transparente dhe me agjenda të shumta, gjithsesi mjaft tërheqëse dhe me iniciativa pozitive në drejtori, për të bërë ndryshimin, sepse e meritojnë qytetarët tanë. Të zbatojmë zotimin për zhvillim ekonomik, edhe përtej mundësive tona si administratë në shërbim të biznesit dhe zhvillimit ekonomik, me vizion të qartë, për komunën tonë e cila me tërë mundësitë po krijon kushte të mira për zhvillim ekonomik, nëpërmjet infrastrukturës dhe lehtësirave të tjera maksimale, brenda ligjit.
FaktePlus: A keni mbështetje të kryetarit të Komunës për zbatimin e planit tuaj?
Jetullahu: Po, e kam mbështetjen e plotë të Kryetarit Lladrovci, për të bërë më të mirën e mundshme për zhvillimin ekonomik. Gjithsesi, gjej përkrahje për përshpejtimin e realizimit të planeve, për shtimin e kontakteve dhe iniciativave që çojnë drejt zhvillimit ekonomik, fondeve të mundshme për këtë si dhe lehtësimin e qasjes në këto institucione, bashkëpunim e përkrahje që do të japë rezultat.
FaktePlus: A ka presione nga grupet e interesit për tu kryer punë apo favore?
Jetullahu: Në asnjë rast nuk ndjej presion, jo nga grupet e interesit, por as nga individët, sepse puna jonë është plotësisht e bazuar në ligj, me mandat ligjor për ta zbatuar atë, pavarësisht interesave të ngushta apo grupeve të interesit. Për zhvillim ekonomik, ligjet ofrojnë favore, rrugë tjetër nuk ka, përpos rrugës ligjore. Transparenca dhe llogaridhënia në komunën tonë është në nivel, në këtë drejtim, falënderoj kolegët e mi drejtorë, në veçanti drejtoreshat që jemi shumicë në komunë, për të ofruar zgjidhje dhe përkrahje në fillimin tim në krye të drejtorisë për zhvillim ekonomik. Do të punojmë shumë që Drenasi të bëhet qytet i dëshirueshëm për të punuar dhe për të jetuar. /FaktePlus