Ramiz Lladrovci: Zgjate Zot, por duhet pasur kujdes…
Premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore po realizohen dhe ato do të tejkalohen deri në fund të mandatit qeverisës. Kështu ka deklaruar kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka folur edhe për procesin zgjedhor brenda PDK-së, mandej për hapat që ka ndërmarrë komuna lidhur me rastin e fundit të abuzimit me një 16 vjeçare, nga mësuesi e pastaj nga një pjesëtari i Policisë, si dhe për tarifën 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë.
I pari i Drenasit ka deklaruar se premtimet që ka bërë gjatë kohës së fushatës tani janë projekte që po realizohen dhe deri në fund të mandatit ato do të përmbushen plotësisht.
“Premtimet unë i realizoj. Një pjesë janë në realizim e sipër dhe besoj deri në fund të këtij mandati, do të jem faqebardhë në realizimin e secilit premtim, duke i tejkaluar ato”, ka thënë ai.
Lladrovci ka shtuar se komuna përveç buxhetit të saj vetanak, ka kërkuar buxhet shtesë edhe nga ministritë si dhe ka fituar donacione për projektet e ardhshme që do të realizohen në Drenas.
Ai ka folur gjithashtu edhe për procesin zgjedhor brenda Partisë Domokratike të Kosovës (PDK), e që vlerëson se është duke shkuar si duhet dhe pa ndonjë telashe.
“Procesi zgjedhor në komunën tonë po ecën sipas programit të paraparë … deri më tani nuk ka pakënaqësi. Konsideroj se Drenica meriton të jetë unike, ashtu siç ishte dje, në kohën më të vështira…”, është shprehur Lladrovci.
Kreu i Drenasit është deklaruar edhe për tarifën 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë.
“Për taksën kam deklaruar, zgjate Zot, por duhet pasur kujdes se miqësia me ShBA-në është e shenjtë dhe e paprekshme”.
Mes tjerash kryetari Lladrovci ka treguar edhe për hapat që ka ndërmarrë komuna lidhur me rastin e fundit të abuzimit me një 16 vjeçare, nga mësuesi e pastaj nga një pjesëtari i Policisë.
Intervista e plotë me kryetarin Ramiz Lladrovci:
FaktePlus: Z,Lladrovci, prej 24 premtimeve tuaja gjatë fushatës zgjedhore, 5 prej tyre i keni të përfunduara, 4 gjysmë të përmbushura, 13 të filluara dhe dy prej tyre nuk kanë filluar. A besoni se deri në fund di t’i përmbushni këto premtime?
Lladrovci: Përtej atyre premtimeve kam realizuar edhe më shumë projekte. Kjo shihet nga buxheti shtesë për komunën tonë në shumë fusha duke marrë këto dy vjet disa herë kemi përfituar donacione nga ministritë dhe donatorë të ndryshëm. Premtimet unë i realizoj. Një pjesë janë në realizim e sipër dhe besoj deri në fund të këtij mandati, do të jem faqebardhë në realizimin e secilit premtim, duke i tejkaluar ato.
FaktePlus: Komuna planifikon që gjatë vitit 2019 të nis ndërtimin e njërës nga katër çerdhet. Ku do të hapën këto çerdhe, në cilat vende?
Ramiz Lladrovci: Çerdhet janë problem i diktuar edhe nga niveli qendror. Pa na e lejuar rritjen e stafit të punonjësve në çerdhe nga niveli qendror nuk mund të zhvillojmë procedura, megjithatë ne jemi të gatshëm të hapim çerdhe, sepse vetëm një çerdhe publike me dy njësi (Drenas dhe Komoran) nuk mund t’i plotësoj nevojat e qytetarëve. Jemi duke shpresuar se niveli qendror do të na ndihmoj në këtë drejtim duke lejuar shtimin e numrit të punonjësve për këtë qellim.
FaktePlus: Gjithashtu në kuadër të përmirësimit të arsimit në Komunën e Drenasit keni premtuar edhe sigurimin e laboratorëve nëpër shkolla përmes donacioneve, kur pritet të nis ky plan?
Lladrovci: Disa ndryshime pozitive i kemi arritur, unë kam premtuar se përmes donatorëve do të siguroj edhe kabinete për shkollat tona dhe besoj që nëpërmjet donatorëve të kemi së shpejti edhe laboratorët e parë të pajisura edhe me mjete të konkretizimit për shkolla. Ndërsa shkollat i kemi pajisur me inventar të ri shkollor si banka, karrige, për nxënës e mësimdhënës, si dhe te gjitha shkollave ua kemi rregulluar infrastrukturën e jashtme si fusha sportive dhe rrethoja të shkollave.
FaktePlus: Është thënë se ngrohja e qytetit të Drenasit të bëhet nga Ferronikeli dhe ky projekt të realizohet përmes donacioneve të Bashkimit Evropian. Deri ku keni shkuar me këtë projekt?
Lladrovci: Tashmë projekti i ngrohjes është në studim dhe presim që nga ai studim fizibiliteti të gjenden mënyrat për instalimin e ngrohjes, kur kihet parasysh edhe puna në Ferronikel, besojmë që kjo të sjell lehtësim për komunën tonë. Ne jemi duke e parë mundësinë që ta bëjmë studimin e fizibilitetit dhe sjelljen e ujit të ngrohtë nga KEK-u përmes infrastrukturës së ndërmarrjes së Ferronikelit të cilët i ka të shtrirë deri në objektet e KEK-ut, gypat rezervë për transportimin e gazit nga KEK-u në Ferronikel.
FaktePlus: Në fillim keni thënë që për 3 vitet ardhshme nuk do të ketë asnjë lagje në komunë pa asfalt, pa rrjet të kanalizimit e të ujërave të zeza, si dhe pa ujësjellës. Sa keni bërë progres në këtë pjesë të premtimit?
Lladrovci: Jemi në finalizim të këtij premtimi, puna është shumë intensive dhe ne nuk do të ndalemi deri sa nuk e realizojmë. Ishte premtim që besoj ta realizojmë duke pasur parasysh edhe miratimin dhe zbatimin e kërkesave tona nga niveli qendror. Ne jemi gati dhe po punojmë çdo ditë që ky premtim të realizohet. Mbi 90% e lagjeve në fshatra kanë asfalt dhe kanalizim e gjithashtu edhe rrjeti i ujësjellësit, po vazhdon të shtrihet në secilën lagje.
FaktePlus: A është duke funksionuar shërbimi i rëntgenit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare?
Lladrovci: Po, rëntgeni është duke funksionuar si dhe presim mamografin të jetë funksional, donacion nga Qeveria Japoneze si dhe pajisjet tjera që tashmë pritet t’i pranojmë nga Ministria e Shëndetësisë.
FaktePlus: Janë bërë ankesa nga stafi mjekësor në këtë qendër, të cilët janë kundër idesë që dhomat e fëmijëve ku jepen terapi-infuzione të bëhen bashkë me ato të personave të rritur. Sipas këtij stafi, fëmijët duhet që të mbahen veç kontaktit me të rriturit të cilët potencialisht mund të bartin viruse të rrezikshme për fëmijët. Ata ju fajësojnë Ju që si kryetar për ndërhyni në këtë lloj mbarëvajtje në këtë qendër. A qëndron kjo?
Lladrovci: Ndërhyrja ime në çështjet shëndetësore, ku nuk disponoj përvoja nga kjo fushë, është e panevojshme. Unë përkrah plotësisht menaxhmentin për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke e vënë prioritet edhe në buxhet edhe në donacione. Konsideroj se ka vend për përmirësim dhe kënaqshmëria e qytetarëve në shëndetësi duhet të rritet, në shëndetësi si në arsim, kurrë nuk është mjaftë të bëhet. Ndërsa sa i përket aludimit tuaj rreth ankesave nga stafi mjekësor ndaj meje, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, po ashtu as unë, nuk kemi pranuar asnjë ankesë të tillë.
Ky projekt për cilin po flisni ju, është ende në implementim e sipër si projekt i Mjekësisë familjare, ku pjesa e digjitalizimit të sistemit unik shëndetësor të financuar nga Ministria e Shëndetësisë, është në harmoni të plotë sipas Nenit 18 nga paragrafi 1 deri të paragrafi 13 të Ligjit Nr.04/L-125 për Shëndetësi si dhe Nenit 49 të po këtij Ligji, dhe Udhëzimit Administrativ Nr 08/2017 ku përcaktohet organizmi, struktura, përcaktimi i shërbimeve dhe veprimtarisë së Institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor nenit 2, 3, 4 dhe 14 të këtij udhëzimi. Çdo qytetar ka të drejtë të përzgjedhë mjekun familjar brenda zonës së përfshirjes që përcakton Komuna. Porta hyrëse e çdo qytetari i cili kërkon shërbimin shëndetësor është ekskluzivisisht mjeku familjar (pa paragjykuar moshën, gjininë etnicitetin etij).
FaktePlus: Rasti i fundit i abuzimit me një 16 vjeçare, nga mësuesi e pastaj nga një pjesëtari i Policisë ka tronditur opinionin e gjerë. Çfarë hapa do të ndërmerrni në mënyrë që të parandalohen raste të tjera të ngjashme në të ardhmen në komunën tuaj?
Lladrovci: Kemi ofruar bashkëpunim si dhe kemi ftuar organet për transparencë në mënyrë që kushdo prek në ndershmërinë e arsimit, të largohet nga procesi si dhe me punëtorët social, psikolog dhe institucionet tjera të jenë syçelë e të parandalojnë çdo dukuri negative në arsimin e komunës tonë. Nuk do të tolerojmë asnjë devijim nga misioni i shenjtë që ka shkolla, mësuesit, arsimtarët dhe profesorët tanë, ata që na mësuan abc-në e lirisë.
FaktePlus: Zgjedhjet e brendshme në PDK po zhvillohen. Si po shkon ky proces në Drenas?
Lladrovci: Procesi zgjedhor në komunën tonë po ecën sipas programit të paraparë dhe Komisionit të zgjedhjeve të brendshme. Është agjenda dhe orari i tubimeve zgjedhore e qasshme për të gjithë qytetarët, simpatizantët dhe organet e nivelit lokal e qendror. Besoj se nga këto zgjedhje, dega e PDK-së në Drenas do të jetë shumë e fortë, e konsoliduar dhe me parime të konfirmuara demokratike.
FaktePlus: Në zgjedhjet e kaluara ka pasur disa thyerje, e mandej largime nga PDK shkaku që ju u zgjodhët kandidat i partisë për kryetar. A ka tani këso lloj pakënaqësie?
Lladrovci: Jo, deri më tani nuk ka pakënaqësi të tilla. Konsideroj se Drenica meriton të jetë unike, ashtu siç ishte dje, në kohën më të vështirë, gara le të bëhet brenda strukturës, për mendim sa më progresiv, por assesi me pakënaqësi që nuk i kanë hije as politikanëve që pretendojnë të zgjedhën, as qytetarëve të dëgjojnë përçarje.
FaktePlus: Edhe pse nuk është në fushën tuaj të përgjegjësisë na intereson mendimi juaj për tarifën 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë. Jeni që kjo taksë të hiqet, pezullohet përkohësisht apo të vazhdojnë të mbetët kështu si është?
Lladrovci: Për taksën kam deklaruar, zgjate Zot, por duhet pasur kujdes se miqësia me ShBA-në është e shenjtë dhe e paprekshme.