Haradinaj: BERZh-i do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me ministrat Bedri Hamza dhe Valdrin Lluka, kanë pritur një delegacion të Bankës Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim, me të cilët kanë diskutuar për projektet zhvillimore që kjo bankë do t’i përkrahë.
“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mbetet partner strategjik i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Me delegacionin e bordit të drejtorëve të BERZh, diskutuam mbi investimet e deritashme të kësaj banke në Kosovë dhe për projektet zhvillimore në periudhën e ardhshme”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit ka shtuar se përkrahja në realizimin e shumë projekteve në infrastrukturë, energji, miniera dhe në sektorin privat, do të bëjnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
“Thellimi i bashkëpunimit me BERZh për realizimin e projekteve infrastrukturore, të energjisë së ripërtëritshme, minierave, zhvillimin e sektorit privat nëpërmjet financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe mbështetjen e investimeve të huaja direkte do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”, ka shtuar Haradinaj. /FaktePlus