Ditëlindja e 54-të e gjen në Hagë, Gjykata Speciale tregon a do të festoj sonte Kadri Veseli
Kadri Veseli sot i ka mbushur 54 vjet. Por, këtë herë Veseli ditën e lindjes së tij nuk e pret në kushte të zakonshme. Ish-kryetari i PDK-së tani e shtatë muaj ndodhet në Hagë, ku po qëndron i paraburgosur bashkë me themelues të tjerë të UÇK-së. Në Gjykatën Speciale kanë treguar për FaktePlus se a do ketë ftesë sonte Kadri Veseli.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sot feston ditëlindjen kështu duke mbushur plot 54 vjet.
Ai këtë datëlindje kësaj radhe do ta festoj larg familjes dhe të afërmve të tij.
Veseli tash e shtatë muaj ndodhet në Hagë, ku po qëndron i paraburgosur bashkë me themelues të tjerë të UÇK-së, pas një aktakuze të ngritur nga Gjykata Speciale në nëntor të vitit 2020.
Ndonëse ditëlindja e Veselit po festohet në Kosovë nga partiakët e tij, Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka pyetur Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës se si do të festohet edhe atje.
Zyra për media nga kjo Gjykatë ka thënë për FaktePlus se festa të tilla lejohen së bashku me paraburgosurit e tjerë varësisht nga zgjedhja e personit në fjalë.
Duke mos e komentuar zgjedhjen e Veselit në këtë rast, Dhomat e Specializuara në këtë Gjykatë kanë pohuar se Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit e administron objektin kështu duke ua mundësuar atyre një mjedis të sigurt edhe në raste festash.
“ Në përgjithësi, Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit e DHSK-së e administron objektin e paraburgimit duke mbajtur parasysh mirëqenien e të paraburgosurve dhe duke u mundësuar atyre një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur. Të paraburgosurit kanë mundësinë të kalojnë kohë së bashku dhe të festojnë festat dhe rastet e veçanta në përputhje me Rregullat dhe Rregulloret e objektit të paraburgimit. Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të komentojmë lidhur me atë se si ka zgjedhur z. Veseli që të festojë ditëlindjen e tij”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media nga Gjykata Speciale për FaktePlus
Nga Gjykata tutje kanë lënë të kuptohet që prezenca fizike e familjareve të paraburgosurve, ende është e pamundur. Në lidhje me këtë, bëjnë të ditur se për momentin takimet me familjarët do të zhvillohen vetëm virtualisht.
Sipas gjykatës kjo masë është në diskutim për të ardhmen e afërt.
“ Ne e kuptojmë që për të paraburgosurit dhe familjet e tyre rifillimi i vizitave personale është i një rëndësie të madhe. Duke pasur parasysh këtë fakt këto masa të përkohshme janë nën rishikim të vazhdueshëm, në dritën e situatës së përgjithshme të shëndetit publik dhe situatës specifike brenda objekteve të paraburgimit, për shembull në lidhje me vaksinimet”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.
Ndryshe Kadri Veseli është i lindur në Mitrovicë më 1967, ai prapa vetes la një histori të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës për liri dhe pavarësi.
Kadri Veseli ishte vetëm 14 vjeç kur iu bashkua demonstratave të vitit 1981, me të cilat po artikuloheshin kërkesat fundamentale për të drejtat e mohuara të shqiptarëve të Kosovës. Për shkak të moshës, të tjerët provonin ta largonin nga turmat e mëdha të demonstruesve – mbi të cilët po ushtrohej dhunë.
Por, kjo ishte rrugë njëkahëshe e tij, të cilën e vazhdoi me angazhimin në lëvizjen studentore të vitit 1988, me organizimin e grupeve të armatosura në Kosovë dhe Shqipëri më 1991, si dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Veseli, i cili udhëhoqi Kuvendin e Kosovës për dy mandate dhe Partinë Demokratike të Kosovës për katër vjet, ditën e udhëtimit për në Hagë ka deklaruar se ky proces është hapi i fundit në rrugëtimin historik të Kosovës drejt shtetndërtimit të plotë dhe se kjo duhet konsideruar si një mundësi për të vënë në duke luftën e drejtë e të ndershme. /FaktePlus
PDK feston ditëlindjen e Veselit, Hoxhaj: Do të kthehesh fitimtar e faqebardhë