Ditari i Albinit, 7 prill
Shkruan: Albin Mehmeti
Virusi Korona ka filluar ta tregojë ashpërsinë e tij. Ai po na tregon se nuk do të jetë i mëshirshëm as ndaj nesh. Bomba me sahat që e kurdisëm vetë ne me daljet tona pa nevojë (lexo: për budallallëk) dhe për azginllëk (përsëri lexoje: budallallëk) po shpërthen çdo ditë e më tmerrshëm. Numri i të infektuarve ka arritur në njëqind e tetëdhjetë e katër. Më e rënda është se këto dy ditë kemi edhe të vdekur. Deri tani, pesë familje kosovare janë duke vajtuar për më të dashurit e tyre.
Eh, po të ishte e vetmja tragjedi në familjet kosovare. Derisa pesë familje po vajtojnë për të dashurit e tyre, të cilët humbën jetën nga COVID-19, qindra-mijëra familje kosovare po vuajnë nga virusi, të cilit që njëzet vjet s’i është gjetur ilaçi. E kam thënë edhe një herë tjetër diku në këtë ditar se virusi korona do të kalojë, por çfarë t’i bëjmë virusit POLIKOS (politika kosovare). Politikanët, bartësit kryesorë të virusit POLIKOS, po i thonë virusit korona: “Ti je zero ndaj nesh. Ne vrasim më shumë sesa ti. Ti nuk di të vrasësh shpresën. Ne dimë, ti nuk di. Dështak!”. Kam thënë se nuk do të flas për politikën, por të detyrojnë të flasësh. Nuk mundem të duroj. Po më pëlcet barku. Tregohet se një plak e kishte zakon që ta thoshte të vërtetën në sy. Ndodhte që të vinte ndonjë mysafir dhe sapo ta thoshte një gënjeshtër, plaku i thoshte në sy: po gënjen. Një ditë, dy bijtë i thanë plakut se kështu po i turpëron mysafirët dhe e lutën që mos t’u thoshte më ashtu. Plaku pranoi. Një ditë, erdhi një mysafir, i cili gënjente në çdo fjalë që e thoshte. Plaku vetëm gjëmonte. Dikur, mysafiri tha: “I kam dëgjuar këlyshët duke lehur në barkun e bushtrës.”. Këtu, plaku s’u durua dhe tha: “Po gënjen. Boll gjëmova, s’po mundem të duroj përball kësaj rrene.”. Edhe unë sikurse plaku, s’mund të duroj më. Çka është boll është boll.
Fatkeqësia e pandemisë kë përfshirë gjithë Kosovën. Të gjithë jemi nën shënjestrën e virusit, por është qyteti i Malishevës, ai që kë pësuar më së shumti. Më dhimbset Malisheva sepse u la në harresë. Politikanët që marrin vesh nga politika dhe mirëqenia e qytetarëve, aq sa marr vesh unë nga dirigjimi i një kori, po akuzojnë njëri-tjetrin për mospunë. Malisheva po vuan shkaku i luftës së egër për karrige. Qytetarët po luftojnë me sëmundjen vetëm. Shpresoj që ky rast të jetë mësim për ne, se këta janë dreqër nga i njëjti thes, vetëm se dallojnë nga emri, mbase edhe versioni. Më dhimbset Malisheva, sinqerisht. Kur e shoh Malishevën e sotme më kujtohet Drenica e djeshme. Drenica e harruar në luftë. Më kujtohet si sot refreni më i urryer për veshët e zemrën time. Atë kohë isha vetëm shtatë vjeçar, por mbaj mend shumë mirë. Të ligën, mbase nuk mund ta harrosh lehtë. Pas një ofensive që morën forcat serbe në Skenderaj, u detyruam të largoheshim nga shtëpitë dhe ikëm në drejtim të Mitrovicës. Skenderajn e lamë me tym, flakë e lot kurse Mitrovicën e gjetëm me hare, gëzime e njerëz që bridhnin të lirë. Vetëm njëzet kilometra ndahej lufta nga liria. T’i thënçim liri! Nuk na mjaftonte dhimbja që na shkaktuam forcat serbe, të cilët na dëbuan e plaçkitën, por për të na shtuar dhimbjen u kujdesën bashkëkombësit tanë, të cilët nga dashuria e tyre për ne, na kushtuan këngë e bejte. Ende e kam në vesh dhe i shoh para syve teksa këndonin: “Drenica po han’ pluma, Mitrovica llokuma”. Eh, as mos pafsh e as mos njefsh!