Ditari i Albinit, 31 Maj
Shkruan: Albin Mehmeti
Sot gjendemi në ditën e fundit të fazës së dytë të lehtësimit të masave dhe të lëvizjes. Nesër fillon faza e tretë e hapjes së madhe të bizneseve, por që nuk duhet të nënkuptohet si fitore dhe triumf ndaj virusit korona. Kemi shumë për të bërë. Sot, njëlloj si edhe ditëve të tjera u paraqitën raste të reja. Deri më tani, janë shënuar njëmijë e tetëdhjetë e tre të infektuar, prej të cilëve tetëqind e tetëdhjetë e tre janë shëruar dhe tridhjetë kanë ndërruar jetë. Në fillim të pandemisë, duke i ndjekur informacionet për trendin e përhapjes së virusit në Evropë, si dhe duke e parë numrin e madh të viktimave, ta them të drejtën se kisha frikë për një përhapje të tillë edhe tek ne. Por ja, lavdi Zotit, siç duket triumfuam mirë, gjithë kjo si rezultat i punës së palodhshme të mjekëve dhe kujdesit qytetar. Ndoshta, më vonë do ta shohim se kjo është vetëm një fitore e Pirros, atëherë kur do t’i shohim pasojat ekonomike e psikologjike që la pas vetës kjo pandemi. Mbase, këto të fundit janë duke u parë që tani. Ndoshta, më vonë në narrativën globale do ta hasim edhe termin fitore pandemike Ku i dihet!
Këto ditë më shumë po i ngjajnë pranverës së hershme sesa asaj të vonë. Nga çasti në çast nga qielli presim të bie shi. Pavarësisht kësaj, pas shtatëdhjetë e shatë ditëve (me numra: 77), dje dola në kafene. Teksa shkoja të takohesha me mikun që më ftoi për të pirë kafe, më rastisi ta shoh një ngjarje që më bëri të mendoj gjatë. Një ngjarje që më bëri të mendoja për të ardhmen tonë si popull. Mbase, nuk ishte hera e parë që shihja raste të tilla. Më ka rastisur të shoh shumë herë raste të tilla gjatë jetës sime. Para vetës pashë katër-pesë fëmijë. Në mes tyre ishte një djalë, i cili, ishte i vetmi që kishte blerë lëng. Ai pinte kurse të tjerët e shikonin. Por, këtu nuk mbaron historia. Derisa po i parakaloja, pasi nuk mund ta shihja atë skenë të tmerrshme, dëgjoja “bossin” e ri, i cili u qiste kushte fëmijëve të tjerë në këmbim të një gllënjke lëng. Nëse e ardhmja jonë ka mbetur në çiftin e këtij fëmije atëherë vaj halli për ne. Paramendojini, që në fëmijëri fillon të përfitojë mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Rritet e edukohet e fatin e vet mëton ta ndërtojë mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Rritet e edukohet që të jetojë mbi dhimbjen e atyre që e rrethojnë. Mjerë për ne! Ajme!
Skena politike vazhdon të jetë e tendosur. Vazhdojnë të na fyejnë rëndë me veprimet e tyre dhe ta ndërtojnë karrierën duke na shkatërruar të ardhmen. Këtu nuk duhet ta drejtojmë gishtin tek askush. Fajtorë për këtë jemi ne. Ne jemi ata që i mësuam ata se ku duhet të na godasin që të na shkaktojnë më shumë dhimbje. U besuam dhe vazhdojmë t’u besojmë, madje verbërisht. Në një tregim popullor thuhet se në një fshat e panë për herë të parë një breshkë. Nuk e dinin se çfarë ishte. Dikur pandehen se është melaqe. Fshatarët, duke besuar se me të vërtetë ishte e tillë, të gjithë njëzëri vendosën që, pasi që ajo ishte melaqe, ajo duhet të ketë dritë, dhe kështu mbi rrashtën e saj ia vendosën një qiri. Teksa breshka ecte me qiri mbi rrashtë kaloi pranë një pojate, të cilës i hyri flaka. Fshatarët thanë, se këtë zjarr e shkaktoi melaqja, dhe ajo sikurse që e ndezi, ajo edhe do ta shuaj atë. Besuan ashtu dhe nuk vrapuan ta fikin zjarrin, i cili, u zmadhua e u zmadhua, derisa e bëri shkrumb e hi gjithë fshatin. Ashtu vepruam dhe po veprojmë edhe ne. U japin atribute hyjnore liderëve duke i shpërblyer me vota, dhe më pastaj, besojmë se ata siç po dinë ta shkatërrojnë këtë vend, ata do të dinë edhe ta ndërtojnë atë. Do të vazhdojmë kështu derisa Kosova jonë e dashur do të shkatërrohet. Ndoshta atëherë do të reagojmë, por do të jetë tepër vonë. Kosovës do t’i mbetet vetëm skeleti. Ajme!