Ditari i Albinit, 30 Prill
Shkruan: Albin Mehmeti
Iku prilli. Sonte po i japim fund njërit prej muajve më të gjatë që kam jetuar ndonjëherë. Mbase, ky muaj zgjati po aq sa të gjithë muajt e tjerë të njëzet e tetë vjetëve të mia. Ndoshta, Tomas Ellioti e kishte fjalën pikërisht për prillin e dymijë e njëzetës, kur tha se “prilli është muaji më mizor”. Ky prill zgjati e stërzgjati, por që për fat po ikën me ditë më të mira sesa që kishte nisur. Ditëve të fundit, lakorja e infektimeve nuk ka ngritje të mëdha siç kishte në fillim e në mes të muajit.
Tani, po jetojmë në ditët kur numri i të shëruarve është dy e trefish më i madh sesa numri i të infektuarve. Deri më tani, sipas statistikave të IKSHP, numri i të infektuarve ka arritur në tetëqind e gjashtë, përball dyqind e shtatëdhjetë e një të shëruarve dhe njëzet e dy viktimave. Siç duket, drita në fundin e tunelit nuk na qenka vetëm një mirazh, por një dritë e vërtetë. E kam një frikë të madhe se do ta fikim këtë dritë, me histerinë e dalldisjen tonë të një triumfi të paqenë. Ndoshta, edhe do t’i thurim bejte ngadhënjimit tonë ndaj virusit me kurorë. Do ta çmojmë lart kontributin e racës sonë pellazge-ilire, e cila triumfon në çdo luftë.
Korona virusi po merr rrugën për në theqafje. Ashtu po thonë ekspertët. E kam fjalën për ekspertët e vërtetë, pasi që të gjithë jemi bërë ekspert këto ditë. Thonë se më të keqes i kemi shpëtuar. Nga virusi korona, i kemi shpëtuar më të keqes, ashtu shpresojmë dhe i lutemi Zotit, por jo edhe virusit që e krijuam me duart tona, madje edhe me këto duar që po shkruajnë në ty, ditari im. Edhe sot, sikurse dje (dhe sigurisht edhe sikurse nesër e pasnesër), ata vazhdojnë me fyerjet për trurin e inteligjencën tonë. Shkollat janë mbyllur që një muaj e gjysmë, por nuk po mbesim pa mësim. Lum për ne që kemi derset e liturgjitë për moral nga politikanët tanë. Secili më i moralshëm se tjetri! Secili më patriot se tjetri! Secili prej tyre ka veshur petkun e një shenjtërie që më duart tona ua kemi dhuruar. Tregohet në një rrëfenjë popullore, nënkuptohet joreale se një hoxhë e kishte hobi gjuetinë. Kur doli në gjueti, e pa një orl në lis dhe thotë me vete se nëse nuk qohet nga vendi, do të ma sheh sherrin. Kurse, orli thotë në vete se ky qenka hoxhë dhe nuk kam sherr prej tij. Në ato mendime, hoxha e gjuan me çifte dhe e plagos rëndë orlin, duke ia këputur krahun. Orli shkon tek gjykatësi për t’u ankuar. Kur shkuan në gjykatore, gjykatësi e pyeti hoxhën se pse e gjuajti orlin. Hoxha iu përgjigj, se ai më pa dhe nuk iku nga unë. Më pas, gjykatësi e pyeti orlin se pse nuk u largua kur e pa. Orli iu përgjigj se unë kur e pashë me tespih e qitap në dorë, mendova se është njeri i mirë, dhe nuk vret kafshë. Gjykatësi dha vendimin që hoxha duhet të dënohet me prerje të krahut pasi orlit i është dëmtuar krahu. Orli tha: “Mos ia këputni krahun, por hiqjani shall, xhybe dhe tespih dhe vishjani teshat e katilëve që vrasin njerëz dhe kafshë, që ta njohin kur kalon aty pari, pasi që mua ma ka këputur krahun, por tjerëve mund t’ua këput edhe kokën. Unë besova në tesha të tij e nuk e shikova njeriun, e ajo punë mua ma theu krahun”. Paramendojeni sa e sa orlin dhe sa e sa pëllumbin e kanë vrarë deri më tani me petkun e shenjtërisë që bartin. Sa e sa orlit dhe sa e sa pëllumbit do t’ia gjymtojnë krahun e këmbën, pikërisht me atë petk shenjtërie që do ta veshin nesër. Ne do të vazhdojmë të heshtim e do të vazhdojmë të përkulemi dhe përulemi para shenjtërisë së petkut që ata mbajnë, si atyre dje dhe si këtyre sot!