Ditari i Albinit, 3 prill
Shkruan: Albin Mehmeti
03.04.2020, e premte
Pranvera siç duket ka filluar ta tregojë fuqinë e saj. Ajo ka filluar t’i shfaqë dhëmbët e saja karshi plakave pa dhëmbë që pardje u shkundën me dëborë. Borën e dy ditëve më parë nuk mund ta shohësh askund. As për ilaç, do të thoshte populli.
Edhe pse sot ishte një mot i ngrohtë, shumë pak dola në oborr. Mbase, tani jam mësuar duke qëndruar i mbyllur. Eh, i tillë është njeriu. Shpeshherë dashurohet me robërinë. Mbase, të tillë janë veçanërisht disa njerëz. E duan apo janë mësuar të jenë të robëruar, dilemë e madhe. Robërohen nga të huajt dhe robërohen nga vetja. Edhe atëherë kur nuk ka kush që t’u rrijë mbi supe e t’i sundojë, gjithsesi se do ta gjejnë një të tillë. Gjejnë partinë e liderin e saj, partinë e sekretarin e saj, partinë e nënkryetarin e saj, partinë e nën-nën-nënkryetarin e saj. Dikush duhet t’i robërojë ata. Për ta, lideri e partia janë nëna e babai, madje për disa-disa janë edhe vetë zoti e profeti. Të tillët u japin fuqi të pabesëve, të cilët më pas sillen ndaj nesh sikur ne të jemi robërit e skllavët e tyre. Të tillët ta sjellin rendin e skllavopronarisë, edhe pse ai sistem ka shekuj që është shuar. Mbase dikur në botë ky rend ka kaluar, por, jo të ne. Jo, deri sa kemi njerëz që duan të bëhen robër të dikujt.
Teksa lexoja mbrëmë librin “Nga folklori ynë”, më rastisi ta lexoj një tregim shumë domethënës, personazh i së cilit ishte profeti Musa. Ky rrëfim nuk është ndonjë metanarracion i marrë nga librat e shenjtë të feve monoteiste. Ishte sajim i popullit tonë, që jepte kuptim të madh. Tregimi rrëfente për një njeri i cili gjatë gjithë kohës lutej: “O, Zot, hiqe xhehenemin!”. Lutej e lutej çdo çast. Një ditë, Zoti i dha urdhër profetit Musa dhe i tha se në filan vendin është një njëri që lutet “O, Zot, hiqe xhehenemin!”, shko aty dhe godite me shuplakë. Profeti Musa veproi ashtu siç e porositi Zoti. Në çast, lutësi ndryshoi lutjen dhe tani tha: “O, Zot, mos e hiq xhehenemin!”. Këtë rast, profeti Musa e pyeti se pse tash e ndryshoi lutjen. Lutësi iu përgjigj: “Për çiftin tënd, si më godite shuplakë pa të bërë asnjë të keqe, Xhehenemi qenka i mirë.”.
Të jetosh në kohën e politikanëve që janë tani, doemos duhet të besosh në botën e përtejme. Të jetosh në kohën e mizorive të tyre doemos duhet të besosh në një ndëshkim hyjnor. Të jetosh në kohën e pabesive e paudhësive të tyre doemos duhet të besosh se ka botë tjetër, madje qofsh edhe ateisti më i madh. Duhet të besojmë që së paku do të jetë një dënim që do t’u vjen hakësh këtyre njerëzve. Nejse, mbase shpesh po dal nga ideja e fillimit të këtij ditari që e pata quajtur “Ditari i Korona Virusit”. Të më falësh i dashur ditar, por duhet të shfryhem diku. Këta njerëz (t’u thënçim njerëz) nuk të lënë as të gëzohesh në festa e as të pikëllohesh në pikëllime.
T’i harrojmë për pak çaste. Të kthehemi te virusi korona. Numri i të infektuarve ka arritur në njëqind e tridhjetë e pesë, kurse deri më tani janë shëruar gjashtëmbëdhjetë. Tani, jemi duke ecur në një fushë të minuar. Eh, i mbajmë mend mirë ne se çfarë janë fushat e minuara. Gjithë rezultati varet nga ne. Suksesi është në duart e këmbët tona. Gjithë suksesi varet se ku po i vendosim këmbët. Një lëvizje më e vogël mund të ketë pasoja të mëdha. Zot, falna neve për paditurinë tonë!