Ditari i Albinit, 3 Maj
03.05.2020, e diel,
Shkruan: Albin Mehmeti
Është hera e parë që po shihemi në maj. Kur kam filluar të shkruaj s’e kam kujtuar se unë e ti do të flasim mes vete edhe në muajin maj. S’e kam menduar se do të zgjasë kaq shumë kjo pandemi. Por, ja, që tani jemi ku jemi, duke kuvenduar njëri me tjetrin. Nejse, unë po flas e ti po më dëgjon. Ta kam lakminë se sa durimtar që je. Të më dëgjosh kaq shumë ditë dhe përsëri të jesh kaq durimtar, nuk e di se ç’ilaç ke përdorur! Por, marrëveshjen duhet ta mbash, deshe apo s’deshe. Kemi marrëveshje që të më dëgjosh deri në fund, së paku deri sa të përfundojë karantina.
Po vazhdojmë drejt ditëve të mira. Edhe këto ditë patëm një numër më të madh të të shëruarve sesa të infektuarve. Por, vikendin e bëri të trishtë vetëvrasja e një të riu në Qendrën e Studentëve, aty ku qëndronte i karantinuar. Sa e trishtë për familjen! Sa e trishtë për vendin! Dashtë Zoti që sa më shpejt të gjendet shkaku e fajtori. Mbase faji do të mbetet jetim, rëndom siç ndodhin gjërat tek ne. Mbase edhe do të vazhdojnë ditë, javë e muaj duke e përmendur, jo nga dhimbja, por për lojërat e ulëta politike. Se kush është fajtor nuk dihet. Ndoshta nuk do të zbulohet kurrë. U zbulua a s’u zbulua, jeta e një të riu nuk do të kthehet më.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike doli me shifrat e reja, që nën rreshta kuptohet me shifrra të një fitoreje, mbase të një fitore pirrike. Në statistikat e fundit, numërohen tetëqind e pesëdhjetë e një të infektuar, treqind e tetëdhjetë e një të shëruar dhe njëzet e pesë të vdekur.
Sapo përfundova së shikuari filmin “Tensioni i lartë”, me skenar të profesorit dhe mikut tim, Milazim Krasniqi. Në film rrëfehet historia e një babai dhe të një nëne që kishin mbetur pa asnjërin djalë, pasi njërin ia vrau shteti jugosllav në ushtri dhe tjetrin dora e ligë e një shqiptari të ligë. ”Tensioni i lartë” është rrëfim për zemrën e shkrumbuar të një nëne që kërkonte hakmarrje dhe të një babai që ishte në luftë me vetveten. Aliu i Milazim Krasniqit është shëmbëllim i Dodës së Ernest Koliqit, i cili kishte trysni për t’u hakmarrë dhe në fund të dytë detyrohen që ta marrin pushkën në dorë. Por, me dallim nga Koliqi, i cili personazhin e tij e bën vrasës, profesor Krasniqi e lë të lirë shpirtin e bardhë të personazhit të tij, nuk e bën vrasës edhe pse tenton të hakmerret, por që hakun për të e merr mali. “Tensioni i gjakut” është rrëfimi për dashurinë ndaj jetës dhe lakminë për pasurinë. “Tensioni i gjakut” është rrëfimi për Kosovën e kohëve të vështira, ku shqiptarët ishin nën tytën e pushkëve të armikut në njërën anë dhe nën tytën e pushkëve të njëri-tjetrit në anën tjetër. “Tensioni i gjakut” është rrëfim për ne dhe rreth nesh.
Tani po jetojmë në një kohë që kam menduar se ka perënduar. Dikur mendoja se Mesjeta është vetëm histori. Por, ja, tani po jetojmë në të. S’e kam menduar asnjëherë karantinën, dhe ja, ndodhi. Ndodhi, dhe për të kam shkruar në shumë faqe të këtij ditari. Gjuetia ndaj shtrigave, siç u quajt aksioni i kishës mesjetare, pata menduar se është gjë që ka filluar e mbaruar në Mesjetë. E kam menduar si diçka ireale të famshmin Gjyq të Salemit, të 1692, ku u dënuan katërmbëdhjetë gra e pesë burra, nën akuzën për shtrigëri. E kam menduar të palogjikshme edhe vrasjen e rreth gjashtëdhjetë mijë personave në Evropë, nën akuzën e njëjtë. Historia më vonë e vërtetoi se ato gjyqe dhe vendime ishin bërë me akuza të rreme, që në prapavijë e mbartnin idenë që përmes tyre popullatës t’ia fusnin frikën në palcë.
Inkuizicioni i ri dhe “gjuetia ndaj shtrigave” është duke ndodhur përsëri, tani, në shekullin XXI, në zemrën e Evropës. Por, tani ka një dallim të madh. Nëse në Mesjetë, kishte vetëm një adresë se kush dhe ku bëhej inkuizicioni, tash ka shumë adresa nga kush dhe ku bëhet. Çdo parti në çdo lagje e në çdo rrugicë ka inkuizitorët e vet. Çdokush mund të bëhet inkuizitor. Mjafton një shpëlarje e vogël e trurit, një telefon a kompjuter para vetës dhe, është rruga e lirë për ta filluar inkuizicionin dhe mund të shpallin heronj e tradhtarë, hajdutë e të pastër, kriminelë e burra të mirë dhe, mund të linçojnë, shajnë e dënojnë. Pse jo, anarki hesapi! Epokë mesjetare! Epokë inkuizicioni!