Ditari i Albinit, 27 Maj
Pandemisë globale siç duket po i vjen fundi. Ashtu po tregojnë shifrat e fundit nga terreni. Në fytyrat e të gjithëve është duke u vërejtur gëzim i madh. Njëjtë si e gjithë bota, ashtu po gëzohem edhe unë. E, si mos të gëzohem, kur tani një armik që na rrezikonte, po ikën. E, si mos të gëzohem, kur një armik që s’e shihnim po e merr rrugën e pa kthimit. Ashtu, lutemi. Ashtu, besojmë. Edhe arusha pat thënë se ka me pas mjaltë sivjet, dhe kur e pyetën se ku e dinte, ajo u përgjigj se nuk e di, por vetëm ia ka ëndja. Ashtu edhe ne. Njëlloj si arusha. Themi se virusi është duke shkuar me biletën njëdrejtimëshe, jo se e dimë, e që jemi alamet shkencëtarësh, por ashtu po na ka ëndja.
Sot, mendova edhe një gjë. Me fundin e pandemisë do të ndahem edhe prej teje, i dashuri ditari im. Ashtu kemi rënë dakord. Sapo të përfundojë pandemia, apo më mirë të themi frika prej pandemisë, ne të dy do të ndahemi. E di, se do të jetë një divorc i vështirë për të dy. Jemi mësuar me njëri-tjetrin. Por, ja, jeta i ka edhe ndarjet. Ta dish, se nuk do të harroj asnjëherë. Më je gjendur pranë në kohën më të vështirë. Ishe pranë meje në kohën kur kisha frikën nga virusi dhe kur ndieja mungesën e lirisë e njerëzve të zemrës. Për mua u bëre shok e psikolog. E di, mbase e kam tepruar shpesh me ty. E di, në ç’zavall ke qenë kur t’i përmendja politikanët. E di, sa e neveritshme është vetëm t’ua dëgjosh emrat, e lëre më të dëgjosh për veprimet e tyre idioteske e skizofrene. E di, që të kam ngarkuar tej mase. Por, ndoshta ke faj edhe ti këtu. Në fillim ia kemi dhënë besën njëri-tjetrit për miqësi. Dhe, për atë, këtë të keqe e bela, e ndava me ty. Thonë se mërzia kur ndahet, përgjysmohet. Por, pavarësisht gjithçkaje, të kërkoj falje, nga toka deri në qiell.
Sot, u shënua vetëm një rast me virusin korona, duke çuar kështu numrin e të infektuarve në njëmijë e dyzet e tetë. Sot, pati lajme të mira, pasi që u shëruan shtatë, duke çuar numrin e të shëruarve në tetëqind e një, krahas tridhjetë viktimave.
Siç duket teoria ime e disa ditëve më parë po del e saktë, dhe këtë e vërtetuan vetë ata, protagonistët e teorisë sime, që për mua atëbotë ishte më shumë konspirative, por që doli të jetë e vërtetë. Para disa ditëve pata thënë se po jemi rehat nga politikanët, pasi që është Ramazan dhe në këtë muaj lidhen djajtë. Dhe, ashtu doli. Fundi i Ramazanit, zgjidhi djajtë. U zgjidhën për ta sulmuar njëri-tjetrin, dhe kështu për të na vrarë edhe më shpresën për një Kosovë të ëndrrave. Po na vrasin ëndrrat e shpresat si çdo herë tjetër, dhe ne po heshtim. Teksa po shihja lajmet në portale, m’u kujtua një thënie e kolosit Mit’hat Frashëri, i cili duke njohur mentalitetin shqiptar, tha se “shqiptarët do ta fitojnë çdo luftë, atëherë kur do ta kenë mbaruar luftën me veten”.
Sa aktuale, edhe pse u tha shumë dekada më parë. Ndoshta, jemi populli i vetëm në botë që nuk mësoi dhe nuk po mëson nga gabimet e veta. Tragjikomike!