Ditari i Albinit, 20 prill
Shkruan: Albin Mehmeti
Asnjëherë s’e kam menduar se kjo do të ndodhte. Asnjëherë në jetë s’e kam menduar se do të vjen kjo ditë. Asnjëherë në jetë s’e kam menduar se një njeri që flet shqip do ta fyejë një luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga dje, ende jam i mbushur pezëm kur e pashë se si një shqiptar, t’i thënçim shqiptar (madje, t’i thënçim njeri), kishte fyer një invalid të UÇK-së, vetëm pse ai kishte shprehur një mendim ndryshe politik (mbase çfarë kishte thënë luftëtari i madh, ishte ajo çfarë mendonte pjesa më e madhe e popullatës). Hm! Për politikën e mallkuar e për politikanët karrieristë po shahemi e po shajmë edhe shenjtërinë. Ndoshta, për militantët, të cilësdo parti a lider qoftë, më e shenjtë është partia e më i shenjtë është lideri. Nuk thonë kot se Cezari nuk lindi Cezar, por të tjerët e kishin bërë të tillë.
Si për koincidencë, mbrëmë, u shfaq filmi “Heroi”, që mbase trajton historinë e njëjtë, atë të përçmimit të luftës dhe të akterëve kyç të saj. Në këtë film, ushtari i UÇK-së nuk u fye nga militanti që Zot, fe e profet e ka partinë e liderin, por nga ata që Zot, fe e profet e kanë paranë dhe famën. Kryeprotagonisti i filmit, Shkëmbi, një luftëtar që emri iu kishte dëgjuar në të gjitha anët ishte në situatë ekzistenciale. Pasi e larguan nga puna, ku me zell punonte si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë, ai tani me vështirësi siguronte ushqimin për gruan dhe djalin e tij. Pensioni nuk i mjaftonte as për barëra. Shkëmbi, luftëtari i madh, kishte mbetur nën mëshirën e atyre që ishin ngritur me emrin e lavdinë e tij. Shkëmbit, të cilin një shtet e një armatë e tërë nuk kishte arritur ta mposhtte, shokët ia vranë idealet. Shkëmbin, e lanë të harruar bashkëluftëtarët që ngritën pasuri në emër të luftës e të dëshmorëve. Shkëmbin, heroin e luftës e gjunjëzoi jeta në paqe. Jeta apo shokët, këtu ka dilemë! Shkëmbi, idealisti i madh, mbeti vetëm. Në fund, e lanë edhe dy shokët e vetëm që i kishin mbetur, njëri i cili iku në kurbet e tjetra mori rrugën e krimit, jo për t’u pasuruar, por për të mbijetuar. Filmi “Heroi” është pasqyrim i përditshmërisë sonë, i ndeshjes së idealistëve e karrieristëve. Në filmin “Heroi” do të ndeshësh njerëz me ëndrra të thyera në njërën anë dhe në anën tjetër, njerëz që ngritën ëndrrat e tyre mbi ëndrrat e thyera të të parëve. “Heroi” është pasqyrimi i turpit dhe hipokrizisë. “Heroi” mëton t’ua heq maskën zhvatësve të luftës. Pa dashur të kaloj në histeri e të dukem patetik, por dua të them një gjë, se as zhvatësit e luftës e as langonjtë e liderëve e ideologjive nuk do të mund ta përlyejnë luftën e kauzën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa UÇK s’kemi identitet. Pa UÇK shteti i Kosovës është pa themele. Pa UÇK s’mund të jemi ne, pasi ajo është vetë ADN jonë.
Këto dy ditë është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve. Tanimë, është bërë e zakonshme që numri i të infektuarve të jetë numër dyshifror. Edhe dy të infektuar do ta plotësojnë numrin prej gjashtëqind të infektuarve, krahas njëqind e njëzet e tre të shëruarve e pesëmbëdhjetë të vdekurve.
Sot, ishte ditë e vranët. Qielli rrallë lëshonte ndonjë pikë shiu. Nuk dola jashtë, pasi s’kisha arsye të dilja. Brenda, më priste proza e Qosjes. Tani radhën e ka studimi për romanin “Bijtë e askujt”, një roman që paraqet ndeshjen e intelektualit me totalitarizmin. Që nga fillimet e njerëzimit e deri më tani, kishte mijëra e miliona intelektualë që u ndeshën me diktatorë e diktatura. Ata mbetën fytyrëbardhë para popullit e në pjesët e ndritura të historisë. Në anën tjetër, kishte mijëra, miliona e mbase miliarda intelektualë që i ngritën dhe i ushqyen diktatorët e diktaturat. Të tillë janë në anën e errët të çdo historie të popujve të lirë. Mbase, janë aq të ligë dhe të padenjë saqë as ana e errët e historisë s’do t’i përmend. Zgjedhja është individuale e çdokujt. Ai a ajo zgjedh se ku dëshiron ta ketë emrin!