Ditari i Albinit, 18 Maj
Shkruan: Albin Mehmeti
U bë gati një javë që s’e kam hedhur asnjë shkronjë në ditar. Nuk e di pse, ndoshta kisha frikë se mos do ta përsërisja vetveten. Javën që kaloi u shqetësuam shumë për shkak të numrit të madh të të infektuarve. Kishim frikë se mos po rikthehemi në pikën zero dhe pandemia do të vazhdojë frikshëm dhe me të edhe izolimi. Frikësohemi nga izolimi pasi që është bërë i padurueshëm. Sot, filluan masat lehtësuese për lëvizje dhe me të u hapën edhe biznese të cilat deri dje e kishin të ndaluar të punonin. Sot, u pa një gjallëri më e madhe në qytet. Kam frikë që në ditët në vazhdim do të keqpërdoret liria e lëvizjes. Shpeshherë ditëm ta keqpërdorim lirinë që na është dhënë, jo një herë, por dhjetëra e qindra herë gjatë historisë. Kjo mbase është e meta jonë më e madhe. Durojmë e durojmë deri në pafundësi, ndonjëherë durojmë edhe kur nuk duhet të durohet, dhe vjen një moment kur durimi është më i rëndësishëm edhe se lufta, dhe ne dorëzohemi dhe shkatërrojmë atë që e ndërtuam me mundin dhe sakrificën tonë. Tani, siç po thonë edhe ekspertët jemi pothuajse në fund dhe nevojitet edhe pak durim. Por, qytetarëve po iu humb durimi, pak nga izolimi e më shumë nga politika dhe politikanët.
Sot, IKSHPK doli me rezultate tejet shpresëdhënëse. Përsëri u rikthyem në ditët kur ka më shumë të shëruar sesa të infektuar. Në shifrat e përgjithshme, që nga 13 marsi rezultojnë nëntëqind e tetëdhjetë e tetë të infektuar, prej të cilëve shtatëqind e pesëdhjetë e katër janë shëruar dhe njëzet e nëntë kanë ndërruar jetë. Momentalisht janë mbi dyqind raste aktive.
Për çudi, këto ditë nuk kishte zhvillime të mëdha politike, mbase edhe kishte por kam filluar një agjërim nga emisionet politike dhe nga politikanët. Them se nuk kishte zhvillime politike duke përdorur përqasjen dhe duke i krahasuar zhvillimet politike të kësaj jave me ato të javëve e muajve të kaluar. Këtu përjashtoj punën angari të militantëve idealistë, të cilët mendojnë se Mesia i Kosovës janë liderët e tyre. Ata vazhdojnë punën e tyre, njëzet e katër orë në njëzet e katër, duke lavdëruar e duke sharë. Dikur, një thënie e urtë popullore thoshte se “uji fle, armiku s’fle!” dhe po të ishte gjallë ai plaku i odës, do të thoshte “uji fle, militanti s’fle!”. Politikanët po heshtin këtyre ditëve. Mbase edhe pse gjendemi në Ramazan, dhe doktrina islame thekson se prej mirësive të Ramazanit është se gjatë kësaj kohe prangosen djajtë. Ndoshta jemi duke e shijuar këtë mirësi nga Zoti. Lutem që kjo të mos jetë vetëm qetësia para stuhisë së madhe!
Teatri Kombëtar i Kosovës, që nga fillimi i pandemisë është duke iu ofruar shikuesve shfaqje teatrale falas përmes rrjeteve sociale. Çdo natë ka nga një shfaqje. Para disa ditëve shikova shfaqjen “Bryma e vdekjes” me tekst të Milazim Krasniqit dhe regji të Burbuqe Berishës. E pata lexuar më herët si tekst të shkruar dhe më ka intriguar ta shihja të inskenuar. Ashtu, sikurse vepra, edhe inskenimi i saj më bëri ta përjetoja Bllacën, edhe pse asnjëherë në asnjë kohë s’kam qenë aty. Ashtu sikurse teksti, ashtu edhe inskenimi i saj më ktheu në të kaluarën për të më dhënë mësime për të tashmen. “Bryma e vdekjes” është thirrje e kujtesës sonë, për të mos harruar të djeshmen e për të mos harruar fytyrën e armikut.
Sot, mora lajmin e gëzueshëm se në Selanik u botua “Antologjia e tregimit ballkanik”, me gjashtëdhjetë e tetë autorë nga Ballkani. Jam i privilegjuar që në mesin e atyre tregimeve, gjendet edhe tregimi im “Shfaqja”. Është nder të jesh përkrah autorëve më të mëdhenj të Ballkanit. Për këtë sukses, duhet t’i jem falënderues mikut tim, studiuesit e prozatorit, Adil Olluri, i cili m’i hapi rrugët që puna ime t’i kalojë kufijtë kombëtarë. Padyshim që merita e madhe i takon Stavros Dagios, i cili me punën e tij të palodhshme bëri që kjo antologji ta shijojë botimin. Sa madhështor është arti. Sa madhështore është letërsia. Në një vend ku mohohet ekzistenca e Kosovës, përmes letërsisë u arrit që Kosova të jetë një entitet i veçantë dhe i pavarur, krahas shteteve e letërsive të tjera të Ballkanit.