Besueshmëria e politikave ekonomike në menaxhimin e krizave
Nga Adrian Civici
“Recetat e shërimit” dhe teoritë e Shkollës së re klasike të ekonomisë përballë sfidave aktuale të situatës post-covid dhe luftës në Ukrainë : inflacioni galopant, rreziku i stagflacionit, debatet për taksat, deficitin buxhetor dhe borxhin publik, roli i bankave qëndrore, investimet publike dhe private, roli i Shtetit dhe tregut në përballimin dhe daljen nga krizat, etj. Mjaft prezente dhe shumë në modë në vitet 1970-80-të, Shkolla e re klasike e konomisë është rrikthyer në debatet e sotme ekonomike me fokus besueshmërinë e politikave ekonomike në menaxhimin e krizave. Dishepujt e kësaj shkolle nuk kanë merita vetëm në fushën teorike e metodologjike, por në mënyrë të vecantë edhe në fushën politike, pasi ata kanë përcaktuar e konkretizuar dhe një sërë opsionesh e rregullash për funksionimin e ekonomisë në një shoqëri realisht demokratike. Ata kontribuan në kuptimin më të mirë të lidhjeve ndërmjet vendimeve private, tregjeve, pushteteve publike, qeverisë, bankës qëndrore, tregjeve financiare, etj.
Klasikët e rinj – analiza specifike e politikave ekonomike
Mbas luftës së II-të botërore, në Europën perëndimore, SHBA, dhe në disa vende të tjera të botës u zbatuan politika me frymëzim keynesianist. Shkolla keynesianiste ishte dominuese në gjithë periudhën 1950-70, c’ka reflektohet edhe tek deklarata e përbashkët e Presidentit amerikan Richard Nixon dhe këshilltari i tij, ekonomistit Milton Friedman se “ne jemi të gjithë keynesianistë”.
Por, në vitet 70-80-të të shek.XX-të në SHBA dhe Europën perëndimore u shfaqën mjaft probleme ekonomike e financiare që rezultuan me inflacion të lartë dhe recesion, pra me një nga stagflacionet më të forta në historinë e tyre, një fenomen dhe situatë që ekonomia keynesianiste nuk mund ta shpjegonte, pasi inflacioni i lartë duhet të zhdukte papunësinë dhe të krijonte rritje ekonomike.
Pikërisht në këtë periudhë lindi “Shkolla e re klasike” si një reflektim ndaj “paqartësive dhe dobësive të modelit keynesianist” për të shpjeguar stagflacionin. Mbas viteve 1970-të dhe dështimit të ekonomisë keynesianiste, kjo shkollë u bë shkolla dominuese makroekonomike.
E quajtur shpesh edhe si “makroekonomia e re klasike”, ka si objektiv kryesor të saj “krijimin e kuadrit të analizës për evolucionin e aktivitetit ekonomik të një vendi”. Ajo është ndërtuar mbi një vizion optimist të sistemit kapitalist dhe ekonomisë së tregut duke ju rikthyer modelit që mbronte dhe analizonte Adam Smithi në të cilën ai mbronte pikëpamjen se “ndjekja e interesave individuale nuk është aspak kontradiktore me interesin kolektiv”.
Kjo shkollë i kundërvihet vecanërisht analizës së fluktuacioneve të aktivitetit ekonomik që mbështeten tek “krizat” dhe të prishja e ekuilibrit ekonomik, të cilat shkaktohen si pasojë e konfliktit të interesave ndërmjet rentierëve dhe punonjësve, midis interesave të kapitalit dhe shpërblimit të punës. Në mënyrë më precize, ajo nënvizon rëndësinë e mbështetjes rigoroze tek mikro-ekonomia dhe pritjet racionale, si dhe synon të japë arsyetime mikroekonomike të shkollës klasike për analizën e re makroekonomike. Shkolla e re klasike është në kontrast me rivalen e saj, shkollën neo-keynesianiste e cila e përdor të njëjtat baza mikroekonomike për të gjeneruar modele makroekonomike të ngjashme, pra me shkollën keynesianiste.
Shkolla e re klasike konsiderohet si një “revolucion”, kryesisht për faktin se ajo i dha makroekonomisë të njëjtat baza e instrumente teorike si ato që përdoren për trajtimin dhe analizën e politikave ekonomike. Në fakt, në nivel metodologjik, shkolla e re klasike supozon se shkëmbimet në treg janë rezultat i konfrontimit ndërmjet ofertës dhe kërkesës, të cilat, dmth kërkesa dhe oferta, supozohen si rezultat i zgjedhjeve individuale që i japin agjentëve ekonomikë kënaqësinë apo përfitimet maksimale.
Nisur nga ky fakt, teoricienët e kësaj shkolle nënvizojnë se agjentët ekonomikë janë “racionalë”, sepse ata e përdorin teorinë ekonomike për të vepruar konkretisht në treg në interes të tyre. Dhe së fundi, nëse të gjithë këta agjentë ekonomikë veprojnë në kushtet e konkurencës perfekte në treg, atëherë të gjitha aspiratat e tyre individuale do të realizohen.
Por, dishepujt e kësaj shkolle nuk kanë merita vetëm në fushën teorike e metodologjike, por në mënyrë të vecantë edhe në fushën politike, pasi ata përcaktuan dhe konkretizuan dhe një sërë opsionesh e rregullash për funksionimin e ekonomisë në një shoqëri realisht demokratike. Ata kontribuan në kuptimin më të mirë të lidhjeve ndërmjet vendimeve private, tregjeve, pushteteve publike, qeverisë, bankës qëndrore, tregjeve financiare, etj. Një meritë të vecantë kanë dhe në përpunimin e instrumenteve të reja të vlerësimit sasior për analizën e ndikimeve të zgjedhjeve politike në evolucionin e agregatëve ekonomikë.
Shkolla neo-klasike e krijuar që në mesin e shek.XIX-të e dominoi mendimin ekonomik deri në kohën e “Depresionit të madh” të viteve 1929-33 në SHBA. Por, si pasojë e pamundësisë së kësaj shkolle për të shpjeguar shkaqet që cuan në këtë depresion që preku gjithë botën kapitaliste të kohës, dhe botimin nga J.M.Keynes të librit “Teoria e përgjithshme e punësimit, interesit dhe monedhës” në vitin 1936, shumë hipoteza të shkollës neo-klasike u braktisën.
Keynesi vlerësonte se teoria neo-klasike ishte e pa aftë që të shpjegonte shkallën e lartë të papunësisë, dhe për pasojë e kishte të pamundur që të formulonte propozime konkrete për politikat ekonomike pro zhvillimit dhe kundër papunësisë. Ai ofroi analiza e propozime alternative sipas të cilave “vendimmarrësit publikë, dmth qeveria, i kishin mjetet pëti mbrojtur ekonomitë e tyre nga kriza, për të stimuluar zhvillimin ekonomik e reduktuar papunësinë”. Modeli keynesianist ishte i thjeshtë : në një ekonomi ku shitjet përcaktohen vetëm nga kërkesat e ndërrmarjeve, një politikë monetare relaksuese që ul cmimin e parasë dhe zvogëlon përqindjet e interesit inkurajon investimet dhe konsumin, dhe për pasojë nxit zhvillimin ekonomik dhe redukton papunësinë.
Ky proces u shpjegua me kurbën e Filipsit që tegonte se kur inflacioni rritej, papunësia binte. Pra, formulimi i Keynesit ishte i thjeshtë dhe i qartë, dhe për rreth 40 vjet u bë dominues në politikat ekonomike të mjaft vendeve të zhvilluara e në zhvillim. Por, konteksti i viteve 1970 e përmbysi këtë ndërtesë kaq të bukur në teorinë dhe politikat ekonomike. Inflacioni u rrit së tepërmi dhe njëkohësisht me të edhe niveli i papunësisë, ndërkohë që modeli keynesianist nuk mund ta shpjegonte këtë fenomen, dhe nuk ofronte instrumentet e duhura për të dalë nga kjo situatë. Kriza e viteve 1970-80-të, u bë “kundërevolucioni” i klasikëve të rinj ndaj “revolucionit” keynesianist të ndodhur gjatë krizës së Depresionit të madh të viteve 1929-33.
Lindja e shkollës së re ekonomike u shënua nga tre artikujt fondamentalë që një ekonomist i ri amerikan, Robert Lucas botoi në vitet 1972, 1973 dhe 1976 , punimet e të cilit demostronin dy gjëra të rëndësishme: në nivel teorik, arbitrazhi ndërmjet inflacionit dhe papunësisë nuk egzistonte; në nivel empirik, modelet statistikore të përdorura për të parashikuar politikat ekonomike të conin në konkluzione të gabuara, dmth që devijonin shumë nga realiteti. Lucasi i detyroi makroekonomistët të pranonin se shoqëria përbëhej nga individët si aktorë ekonomikë, dhe ata mund të arsyetonin në mënyrë racionale. Në këtë sens, Lucasi e konsideronte keynesianizmin jo si një teori të mirëfilltë ekonomike, por si një praktikë qeverisëse që bazohej në naivitetin e agjentëve ekonomikë privatë.
Duke futur nocionin e “parashikimeve racionale”, shkolla e re klasike rinovoi tërësisht analizën e fluktuacioneve ekonomike dhe ripërcaktoi modalitetet e ndërhyrjes publike në ekonomi. Parashikimet (anticipimet) kanë zënë vazhdimisht një vend të rëndësishëm në teorinë e cikleve ekonomike. Keynesi evokonte valët optimiste dhe pesimiste të agjentëve ekonomikë për të shpjeguar fluktuacionet dhe aktivitetin ekonomik. Por, teoricienët e shkollës së re klasike kundërshtuan duke nënvizuar se një vizion i tillë për parashikimet nuk përputhet me realitetin ekonomik. Sipas tyre, parashikimet janë “variabla ekonomike” dhe duhet të trajtohen si zgjedhje korrente të agjentëve ekonomikë.
Në fakt, vendimet ekonomike janë ato të agjentëve ekonomikë që jetojnë shumë periudha, pasi zgjedhjet për sot varen nga ajo se cfarë këta agjentë mendojnë të bëjnë nesër. Nëse këta agjentë janë racionalë, ata janë të nxitur që të përdorin të njëjtin model si ekonomistët për të formësuar parashikimet e tyre, sepse është pikërisht ky model që tregon se si mund të arrihen përfitimet më të mëdha. Dhe, nëse teoria ekonomike e përshkruan në mënyrë korrekte realitetin, vlera thelbësore e këtyre parashikimeve racionale qëndron në faktin se nuk egziston realizimi i një ekuilibrit ekonomik që devijon sistematikisht nga ajo që agjentët ekonomikë kanë parashikuar.
Pikërisht, duke përdorur konceptin e “parashikimeve racionale”, Lucas-i provoi mospërputhshmërinë e modelit keynesianist në parashikimin e efekteve kur ndryshohen politikat ekonomike. Duke aplikuar një politikë të re, Qeveria ndryshon perceptimin që individët kanë për të ardhmen, atë që i orienton ata të ndryshojnë që nga ky moment sjelljet e tyre ndaj konsumit, investimeve, etj. Modeli keynesianist, duke e konsideruar të ardhmen si një të dhënë fikse jashtë sistemit, nuk krijon mundësi që të integrohen sjelljet dhe parashikimet e agjentëve, dhe për pasojë i orienton gabim vlerësimet e qëllimeve dhe efekteve te politikave ekonomike.
Shkolla e re klasike mbështet idenë se ulja e taksave nuk ka ato efekte pozitive që pretendojnë keynesianistët, të cilët arsyetojnë se “ulja e taksave con në rritjen e të ardhurave të disponueshme të agjentëve ekonomikë, shton mundësinë e tyre për shpenzime dhe për pasojë ndikon në rritjen e aktivitetit ekonomik”. Përkundrazi, nëse agjentët ekonomikë kanë parashikushmëri racionale, ata do ti integrojnë fitimet nga zvogëlimet e taksave në planet e tyre të konsumit, gjithnjë duke mbajtur parasysh karakterin e tyre tranzitor.
Pasi kritikoi parimet e politikave ekonomike keynesianiste, shkolla e re klasike shpalli parimet themelore të ekonomisë së re politike, thelbi i së cilës qëndronte tek nevoja e imponimit të rregullave të qarta për insitucionet publike në vend që ti lihej atyre dorë e lirë në përcaktimin e rregullave dhe politikave, gjë që mund të destabilizonte aktorët ekonomikë në parashikueshmërinë e tyre. Në mënyrë që institucionet publike të mos ndryshonin dot “rregullat kryesore të lojës” dhe të ishin të besueshme në sytë e agjentëve ekonomikë, ato duhet të vihen në situata ku ndryshimet janë të vështira apo dhe të pamundura. Mënyra më e mirë për ta realizuar këtë është dhënia e përgjegjësive të rëndësishme me natyrë makroekonomike institucioneve të pavarura, si p.sh., bankave qëndrore të pavarura kur është fjala për rritjen e masës monetare,etj.
Politikat ekonomike të rekomanduara nga shkolla e re klasike përbëhen nga katër elemente thelbësore: një rritje e rregullt por e limituar e masës monetare; mos-kushtëzimi i ndërhyrjeve publike në funksion të ciklit ekonomik; përqindje fiskaliteti fikse që krijojnë ekuilibra afat-gjata buxhetore; angazhimin e qeverisë që nuk do të veprojë menjëherë e në mënyrë mekanike sa herë ka variacione cmimesh apo pagash.
Finn Kydland – sa efektive janë politikat monetare
Finn Kydland, ekonomist amerikan me origjinë norvegjeze, profesor i ekonomisë në universitetin Carnegie-Mellon të Pittsburgh (Pennsylvanie), fitues i cmimit Nobel në ekonomi në vitin 2004 (bashkë me Edward C. Prescott), “për kontributin në teorinë e makroekonomisë dinamike, dhe vecanërisht për punimet mbi ciklet ekonomike dhe efikasitetin e politikave monetare”. Konsiderohet si një nga themeluesit e teorisë së “cikleve reale të biznesit”, si një nga ekonomistët e parë që analizoi besueshmërinë e politikave ekonomike dhe vecanërisht atyre monetare, dhe si krijuesi i “filtrit Hodrick-Prescott” i cili përdoret në makroekonomi për studimin e serive kohore dhe sjelljen e cikleve reale afatshkurtëra e afatgjata.
Vlerësohet për “zbulimin e një paradigme të re revolucionarizoi konceptimin e makroekonomisë, për kontributin në përmirësimin e politikave ekonomike e sociale, për kuptimi e drejtë të cështjeve që ndikojnë në zhvillimin e njerëzimit” . Punimet e Kidland frymëzuan vec të tjerave dhe krijimin e Bankave Qëndrore të pavarura, futjen në kushtetutën e SHBA të konceptit të ekuilibrit buxhetor, nxitjen për nënshkrimin e Paktit Europian të Stabilitetit,etj.
Sipas Kydland, oferta e parasë është endogjene dhe nuk ndikon në krijimin dhe evolucionin e cikleve, ndërkohë që goditjet reale janë shqetësime të vetë ekonomisë reale, si goditje që prekin funksionet prodhuese, madhësinë e popullsisë aktive, vendimet për konsumin apo kursimet, etj. Ai dallon qartë si të ndryshëm ndërmjet tyre “goditjet reale nga goditjet nominale”.
Ndërkohë që të parat, në kuadrin e modelit IS-LM, prekin vetëm kurbën IS, të dytët prekin e influencojnë vetëm kurbën LM. Megjithëse egzistojnë një numër i madh goditjesh (chocs) reale që mund të ndikojnë ciklin e biznesit, teoricienët e teorisë së cikleve reale të biznesit, rolin më të rëndësishëm ja atribuojnë goditjeve që prekin funksionet e prodhimit.
Këto lloj goditjesh nënkuptojnë shfaqjen e produkteve të reja, të metodave të reja të prodhimit e menaxhimit, të ndryshimeve në cilësinë e kapitalit apo punës, ndryshimet në rregullat themelore të administrimit e qeverisjes, modifikimin e ofertës së punës, etj., Pra, në thelbin e tyre nënkuptojnë ndryshimin e gjithë faktorëve që kanë ndikim direkt në treguesin e produktivitetit.
Kydland dhe Prescott kundërshtojnë mendimin e Keynesit që i paraqet fazat e recesionit dhe ekspansionit si periudha dizekuilibri. Teoria e cikleve reale të biznesit arriti të modifikojë modelin e rritjes të sintezës së Soloë-ut në tre elemente kryesore : 1)rritja e ofertës së punës nuk është egzogjene, dmth e pavarur nga paga reale; ajo varet nga sjellja maksimizuese ndërkohore e agjentëve ekonomikë; 2)niveli i kursimeve nuk është i fiksuar a priori; 3)progresi teknik shfaqet në mënyrë të crregullt.
Kydland nënvizon se parashikueshmëritë e agjentëve ekonomikë janë racionale duke mos pranuar idenë e Friedmanit për iluzionet monetare dhe parashikueshmëritë adaptive ose përshtatëse . Për pasojë, politikat ekonomike konjukturore të rregullimit të ofertës janë detyrimisht joefektive sepse ato janë të parashikueshme nga agjentët ekonomikë. E vetmja politikë ekonomike efektive është ajo që krijon “efekt surprizë”, ndërkohë që në shumicën e rasteve, pushtetet publike bëjnë të kundërtën e asaj që shpallin si objektiv të tyre.
Në këtë rast qeveria humbet besueshmërinë dhe mbas shuarjes së efektit të parashikueshmërisëi gjithë sistemi bëhet joefektiv. Pika më e fortë e demostrimit të Kydland & Prescott është këmbëngulja e tyre për efektet që shkaktojnë vendimet qeveritare në parashikueshmërinë dhe sjelljen e agjentëve ekonomikë.
Sipas tyre, politikat ekonomike duhet të përballen me problemin e besueshmërisë i cili në mjaft raste e redukton ndjeshëm eficencën e tyre. Ata treguan se politikat diskrete ose fleksibël (ndryshe nga ato me objektiva të fiksuara) paraqesin një “inkoherencë kohore” . Autoritetet publike mund të ndjekin rregulla të fiksuara apo në të kundërt, mund të zbatojnë politika diskrete duke i adoptuar zgjedhjet e tyre në funksion të situatave dhe rrethanave. Kydland & Prescott evidentuan faktin se është më e preferueshme që autoritet publike tu referohen rregullave të fiksuara, edhe pse këto në një farë mënyre i kufizojnë qeverisë lirinë e veprimit.
Që prej deklarimit prej Friedmanit në konferencën e “American Economic Association” të vitit 1967, në makroekonomi mbretëron konsensusi se politikat monetare, në periudha afatshkurtëra janë një arbitrim dhe dilemë ndërmjet inflacionit dhe papunësisë, ndërkohë që në periudha afatgjata politikat monetare nuk kanë ndikime reale qoftë mbi papunësinë qoftë mbi rritjen ekonomike.
Në këtë kontekst, qeveritë synojnë gjithmonë të veprojnë në një ambjent ekonomik me norma bazë interesi të ulta dke bërë presion mbi bankat qëndrore, në mënyrë që të reduktojnë papunësinë të paktën për periudha afatshkurtëra, megjithëse ato e dinë se kjo lloj politike jep efekte inflacioniste në periudha afatgjata.
Politika diskrete është një politikë që reagon “sy ndër sy”, është një politikë aktive që reagon ndaj ekuilibrit në funksion të informacioneve që disponon në cdo moment të dhënë, është një politikë që përcaktohet në cdo periudhë në funksion të vlerësimeve që i bëhen gjëndejes ekonomike, perspektivës së saj dhe instrumenteve që duhen përdorur për të ndikuar mbi këtë gjendje të ekonomisë.
Në të kundërt, “politikat e rregulluara” apo të fiksuara, janë politika që konsistojnë në përcaktimin e objektivave për periudha afatgjata (p.sh., rritjen e masës monetare prej 5% në vit për një periudhë 10 vjecare) dhe mbajtjen e tyre të pandryshuar. Mbrapa cdo vendimi të politikës monetare, p.sh., ka gjithmonë një debat doktrinal ndërmjet monetaristëve dhe keynesianistëve, ndërmjet atyre që mendojnë se bota ekonomike e gjen vetë harmoninë dhe ekuilibrin, dhe atyre që mendojnë se ekonomia ka nevojë për ndërhyrjen dhe rregullimin e Shtetit. Debati ndërmjet politikave të fiksuara dhe politikave fleksibël është tipik në këtë këndvështrim.
Ky konkluzion, në dukje paradoksal, buron nga fakti se politikat diskrete vuajnë nga fenomeni i “inkoherencës kohore” që i bën ato joefektive, fenomen që shfaqet, kur për të njëjtën cështje autoritet publike nuk marrin të njëjtin vendim në dy kohë të ndryshme. Me kalimin e kohës, autoritetet publike devijojnë nga politikat e shpalluara paraprakisht, duke vënë kështu në pikëpyetje kapacitetin e agjentëve ekonomikë për ti parashikuar këto devijime.
Për Kydland & Prescott, agjentët ekonomikë privatë i njohin parimet që rregullojnë sjelljen e autoriteteve publike, (përfshirë këtu objektivat, kufizimet dhe mjetet apo instrumentet e veprimit), dhe për pasojë, në kuadrin e hipotezës së parashikueshmërisë racionale, ata e përdorin këtë informacion për të marrë vendimet më të mira e racionale nga ana e tyre. Në këtë sens, politikat diskrete janë joefektive pasi ato e përjashtojnë mundësinë e veprimit të këtij mekanizmi influencues në sjelljen e agjentëve ekonomikë privatë.
Për të ilustruar këtë konkluzion, Kydland & Prescott ju referuan shembullit të sistemit të patentave ose mbrotjes së të drejtave të autorit. Patenta e mbrojtur i jep mundësinë autorit të saj që ta rentabilizojë investimin e tij, por ky sistem nuk mund të funksionojë nëse Shteti ndjek një politikë diskrete dhe i ndryshon rregullat sipas konjukturave, gjë që nën veprimin e llogjikës së favorizimit të përhapjes së saj, nënkupton dhe braktisjen e mbrotjes për këtë shpikje sapo ajo të jetë hedhur në treg.
Në këtë kontekst, investimet do të realizoheshin me vështirësi, apo dhe mund të mos realizoheshin fare, pasi agjentët ekonomikë privatë do të parashikonin se politikat mbrojtëse fillestare nuk do të respektoheshin në periudhat e ardhshme. Në mënyrë që të stimulohen sa më shumë investimet dhe inovacionet të mund të japin efektet e tyre, duhet që autoritetet publike të angazhohen në një mënyrë të besueshme se nuk do të devijojnë nga objektivat dhe politikat e shpallura, gjë që nënkupton një pozicionim drejt politikave të rregulluara dhe jo kundrejt atyre diskrete apo fleksibël.
E njëjta llogjikë përdoret dhe në rastin e taksave për IHD. Nëse qeveria fillimisht deklaron se këto taksa do të jenë të ulta për IHD për një periudhë shumëvjecare, natyrisht që kjo do ti stimulonte shumë hyrjen e tyre në këtë vend, por nqs qeveria, menjëherë pas instalimit të tyre ndryshon politika dhe kërkon rritjen e taksave, atëhere një pjesë e tyre mund të largohet nga vëndi, ndërkohë që IHD e reja bëhen gjithnjë e më të rrala e të kushtueshme.
E njëjta llogikë përdoret dhe në rastin e Bankave Qëndrore. Nëse ato janë në kontrollin direkt të qeverisë, vendimet e politikës monetare do të përballen në cdo cast me mungesën e besueshmërisë dhe do të paragjykohen si “vendime me natyrë e për interesa politike”. Imagjinoni një bankë qëndrore që varet nga qeveria apo vihet totalisht në shërbim të saj.
Nëse autoritetet publike njoftojnë për një politikë monetare rigoroze shtrënguese, agjentët privatë do të tentojnë menjëherë modifikimin e pagave apo do të kundërshtojnë rritjen e normës bazë të interesit duke parashikuar se kjo politikë monetare do stimulonte një nivel të ulët inflacioni. Por, sapo kjo parashikueshmëri e agjentëve të materializohet, qeveria, në kuadrin e politikave diskrete mund të praktikojë një politikë monetare lehtësuese, në kuadrin e së cilës inflacioni i lartë nga njëra anë con në uljen e pagës reale dhe nga ana tjetër në rritjen e punësimit.
Sipas Kydland & Prescott, kjo strategji është joefektive sepse : së pari, efekti mbi punësimin është tranzitor. Sapo agjentët perceptojnë humbjen e fuqisë blerëse, ata kërkojnë rritje pagash. Kjo të con në ulje të punësimit dhe rritje akoma më shumë të inflacionit; së dyti, agjentët ekonomikë do ta integrojnë menjëherë në parashikimet e tyre për pagat dhe përqindjet e interesit këtë efekt.
Në këtë mënyrë, qeveria, në kërkim të ndryshimit të këtyre efekteve, do të jetë e detyruar të ndjekë një politikë monetare akoma më rigoroze, pra më të kushtueshme në raport me rritjen ekonomike dhe punësimin, politikë që e bën akoma dhe më pak të besueshme qeverinë në sytë e agjentëve ekonomikë.
Nëse, mbasi ka shpallur një politikë anti-inflacioniste, një qeveri, sidomos në prag të zgjedhjeve, është e gatshme të pranojë rritjen e inflacionit në mënyrë që të favorizojë punësimin, kjo politikë do të rezultojë joefektive sepse ajo do të parashikohet nga agjentët ekonomikë që do kërkojnë menjëherë rritjen e pagave për të mbajtur të pandryshueshme fuqinë e tyre blerëse, që do bllokojnë punësimet e reja, si dhe do të rrisin primet e riskut të integruara në normat e interesit në mënyrë që të mbrohen kundrejt fleksibilitetit të qeverisë.
Sipas këtyre autorëve, ndryshimi nga autoritetet monetare i objektivave të luftës kundër inflacionit për të ulur papunësinë sjell dy pasoja të rëndësishme : 1)politika bëhet joefektive sepse ajo nuk mund të veprojë në mënyrë të qëndrueshme kundrejt papunësisë natyrale; 2)autoritet humbin besueshmërinë e tyre në sferën e stabilizimit të cmimeve, pasi ato devijojnë nga angazhimet fillestare të tyre.
Për Kydland & Prescott, ruajtja e besueshmërisë kalon nga adoptimi i rregullave të fiksuara dhe detyruese, edhe pse në një moment të dhënë këto rregulla mund të mos të cojnë në një situatë optimale. Mirëqënia sociale do të jetë më e mirë nëse politika monetare është e pavarur nga qeveria dhe ndjek rregulla të fiksuara në vend që të jetë fleksibël në varësi të konjukturave.
“Modeli Prescott” – sasia e punës bën diferencën dhe shpjegon diferencat reale në rritjen ekonomike ndërmjet vendeve
Në “modelin Prescott” rritja ekonomike është rezultat i kombinimit të punës, kapitalit dhe eficencës. Në vendet e zhvilluara perëndimore, si produktiviteti ashtu dhe shpërndarja e kapitaleve janë homogjene. Mbetet vetëm sasia e punës ajo që bën diferencën dhe shpjegon diferencat reale në rritjen ekonomike ndërmjet këtyre vendeve. Ai arriti në konkluzionin se, që prej viteve 1980-të, duke patur një produktivitet dhe shpërndarje kapitalesh të ngjashme me vende të tjera të zhvilluara, amerikanët punojnë më shumë dhe për pasojë pasurohen më shumë, ndërkohë që të tjerët që punojnë më pak pësojnë një “varfërim relative kundrejt amerikanëve” .
Këtë diferencë produktiviteti Prescott ja dedikon “sjelljes së qeverive në raport me sektorin industrial dhe inovacionin”. Shumë vende nuk janë aq të pasur sa SHBA sepse ato dekurajonë importimin e teknollogjive të reja që konkurojnë produktet kombëtare tradicionale. Kufizimet dhe barrierat e brendshme e të jashtëme që aplikohen për të kufizuar shpërndarjen e teknollogjive të reja, frenojnë dhe rritjen e produktivitetit të faktorëve kryesorë të prodhimit.
Prescott shtron pyetjen : përse duke filluar nga vitet 1970-të, amerikanët zgjodhën kolektivisht që të punonin më shumë ndërkohë që europianët bënë të kundërtën? Sipas tij, përgjigjia mund të përmblidhet në një fjalë të vetme : taksat. Deri në vitet 1980-të, amerikanët dhe europianët punonin pothujase njësoj dhe niveli i taksave mbi punën ishte identik. Në vitet 2000, amerikanët arritën të prodhojnë 40% më shumë se europianët të cilët, të cilët në kuadrin e moidelt të tyre specific social, përballonin një ngarkesë fiskale deri në 60% në raport me produktivitetin e punës. Përkundrazi, amerikanët e kishin deri në 40% peshën e taksës mbi punën.
Në këtë kontekst, një amerikan, duke punuar më shumë fitonte apo ruante për vete 60% të asaj që ai fitonte, ndërkohë që një europian fitonte vetëm 40% të saj, ndërkohë që pjesën tjetër duhet ta përfitonte në kuadrin e modelit social si shërbim apo kompesim publik.
Në vitin 2004, ekonomisti francez A.Delaigue shtronte pyetjen se “përse prej shumë vitesh, përqindja normale e rritjes ekonomike në Europë është vetëm 1% dhe ajo e SHBA 3% ? Me këtë ritëm, gjatë 50 viteve të ardhshme PBB europian do të rritet me 65% ndërkohë që ai ameriakn me 340%…pra, nqs sot europianët janë 30% më të varfër se amerikanët, mbas 50 viteve ata do të jenë 3-4 herë më të varfër se ata” .
A janë europianët kaq dembelë”? Europianët e “dekurajonin” punën dhe për pasojë, zvogëlonin rritjen ekonomike. Taksat progressive mbi të ardhurat nga puna e asfiksuan parimin “kush punon shumë duhet të fitojë më shumë”, duke krijuar një shtresë të tërë “dembelësh” që përfitonin nga “shpërndarja e të ardhurave nga taksat” dhe vetë filozofia e modelit social europian që e kërkonte barazinë e njerëzve nëpërmjet politikave publike të rrishpërndarjes.
Zbulimi i efektit të binomit “ofertë pune-fiskalitet” evidentoi dhe implikimet e shumta që ai jep në politikat ekonomike. Për Prescott, ai ndikon vec të tjerave edhe në zgjedhjet apo politikat që duhen bërë në fushën e financimit të sistemit të pensioneve. problem që mund të zgjidhet duke modifikuar sistemin fiskal dhe nxitjen e europianëve që të punojnë më shumë. Modeli që ai përdor bazohet në hipotezën dhe rezultatet e “Ekonomisë së re klasike që lejon përcaktimin e një elasticiteti të fortë të ofertës së punës.
Ky elasticitet që Prescott e llogarit rrotull shifrës 3, ofron mundësi të mëdha manovrimi për politikat ekonomike, sepse nëse elasticiteti është i dobët, atëherë dhe zgjedhja e politikave është e kufizuar : duhen rritur taksat për të punësuarit ose duhet të ulen pagesat e pensioneve. Elasticiteti i fortë i ofertës së punës tregon se në masën që popullsia plaket, premtimi dhe garantimi i pensioneve mund të mbahet duke zvogëluar “taksën mbi punën”. Për pasojë, duke bërë hipotezën se kursimet individuale për pensionet nuk konsiderohen si një taksë, dhe për pasojë nuk kufizojnë ofertën e punës, Prescott mbron idenë se duke ndryshuar sistemin e pensioneve në favor të “sistemit të pensioneve të kapitalizuara”, europianët mund ta shtojnë më tepër pasurinë e tyre.
Prescott këmbëngul se vetëm shtimi i punës con në rritjen e prodhimit dhe për pasojë në rritjen ekonomike dhe rritjen e pasurisë individuale e cila i krijon mundësi direkte e indirekte shtetit që ti shtojë të ardhurat nga taksat edhe kur ngarkesa apo pesha fiskale mbetet e ulët. Në këtë situatë, të dyja palët, shteti dhe punonjësit, janë të kënaqur. Shteti fiton duke lënë të fitojnë dhe punonjësit. Shprehje si “rilancimi i ekonomisë me fonde publike” apo “zvogëlimi dhe kontrolli i mbinxehjes ekonomike” nuk kanë asnjë sens : agjentët ekonomikë e dinë që sinjalet janë vetëm sinjale dhe jo ndryshime reale. Ata i anashkalojnë apo shpërfillin politikat ekonomike duke i parashikuar “efektet e tyre artificiale në raport me llogjikën e tregut” që qeveritë shpresojnë të realizojnë.