A mos na erdhi Mini-Schengeni nga qielli?!
Se a ishim apo jo në dijeni për prejardhjen e Mini-Schengenit, se a e pranuam apo kundërshtuam atë nëpër takime të niveleve më të larta me BE-në, Shtetet Anëtare të saj dhe vendet e rajonit tonë ende problematik, se a vuajmë për protagonizëm personal para çfarëdo konsensusi të domosdoshëm shtetëror, se a jemi apo jo në gjendje t’i përcjellim dinamikat rajonale dhe evropiane që prekin dhe do të prekin drejtëpërdrejtë të ardhmen e Kosovës, mbetet më së miri të shihet se sa do të dimë dhe si do t’i qasemi mënyrës së zhbllokimit të pozicionit të Kosovës për një integrim të domosdoshëm e të qëndrueshëm rajonal e evropian.
Bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë janë parakushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe njëra nga strategjitë për të adresuar sfidat me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor. Këtë e dëshmojnë veprimet e BE-së karshi rajonit tonë që nga viti 1999. Për të stabilizuar rajonin tonë të trazuar, Gjermania – menjëherë pas luftës në Kosovë, pra në vitin 1999 – kishte iniciuar Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore. Ndërkohë që BE në vitin 2000 kishte filluar me Procesin e Stabilizim Asociimit. Të dyja këto iniciativa shiheshin si përmbushëse ndaj njëra tjetrës, ashtu sikurse që shiheshin edhe si paralelizma mes BE-së dhe Shteteve Anëtare të saj.
Qëllimi i BE-së dhe shteteve të fuqishme të saj ishte që përmes këtyre iniciativave të kontribuohej në rritje të bashkëpunimit në fushat e zhvillim ekonomik, politik dhe sigurisë për tërë rajonin e Evropës Juglindore, me theks të veçantë Ballkanin Perëndimor. Si pasardhës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore në shkurt të vitit 2008 në Sofje u formua Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (angl. Regional Cooperation Council – RCC-) me Sekretariat në Sarajevë, i cili aktualisht drejtohet nga Majlinda Bregu, ish-Ministre e Integrimit Evropian të Shqipërisë.
Nëse kthehemi ca vite mbrapa, nuk mund të mos e përmendin faktin që menjëherë pas marrjes së postit të Presidentit të Komisionit Evropian nga Jean-Claude Juncker në nëntor të vitit 2014, Bashkimi Evropian po përjetonte ditët më të vështira si rezultat i krizës financiare që kishte goditur BE-në dhe tërë globin. Presidenti Juncker kishte deklaruar në vitin 2014 që gjatë mandatit të tij pesëvjeçar “nuk do të kishte zgjerim të BE-së.” Kjo deklaratë në shumë qarqe pati tingëlluar si ndërprerje dhe dekurajim i procesit të Integrimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Për të mbajtur gjallë perspektivën evropiane për rajonin problematik të Ballkanit Perëndimor kishte lindur Procesi i Berlinit i iniciuar nga Gjermania, i cili fillimisht ishte paraparë për periudhën 2014-2018. Përpos Gjermanisë këtu u përfshinë Austria, Franca, Italia, Kroacia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar, kurse nga Ballkani Perëndimor ishin dhe janë 6 vendet (Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Maqedonia).
Qëllimi i Procesit të Berlini ishte dhe është avansimi i rend-ditës evropiane në tri drejtime: 1) Rritja ekonomike dhe konektiviteti, 2) Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal, dhe 3) Zhvillimi shoqërisë civile dhe konektivitetit njerëz me njerëz. Si Procesi i Berlinit ashtu edhe Pakti i Stabilitetit qenë hartuar jashtë kornizës së BE-së për zgjerim, por që nga shumë qarqe u panë si procese përmbushëse karshi rend-ditës evropiane dhe procesit të zgjerimit të BE-së. Për më tepër qëllimi ishte që rajoni i Ballkanit Perëndimor të orientohej drejt BE-së e jo kah Rusia, Kina, Turqia dhe Vendet e Golfit, të cilat përmes investimeve dhe masave të buta (soft measures) po mundohen të shfrytëzojnë çfarëdo vakumi të krijuar në rajon.
Për zbatimin Procesit të Berlinit filluan të organizoheshin Samite Vjetore duke filluar së pari me atë në Berlin në gusht të vitit 2014, pastaj 2015 në Vjenë, 2016 në Paris, 2017 në Triestë dhe 2018 në Mbretëri të Bashkuar. Krahas Samiteve kishte edhe shumë takime të tjera të nivelit më të ultë me karakter rajonal, e tëra kjo për të afruar perspektivën evropiane sa më afër qytetarëve.
Ideja e Zonës Ekonomike Rajonale për Ballkanin Perëndimor
Meqë rajoni Ballkanit Perëndimor vazhdonte të kishte edhe ende ka probleme të theksuara të fqinjësisë dhe bashkëpunimit rajonal jo të mirë, atëherë kjo temë përbënte rend-ditën kryesore të çfarëdo iniciative që mund t’i servohej rajonit. Ideja e Mini-Schengenit buron nga ky tundim i pafund i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili edhe sot ka vështirësi sa i përket bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë. Përvoja e ka dëshmuar që sa më shumë që izolohen shtetet aq më e tensionuar bëhet situata e përgjithshme dhe aq më e pashpresë bëhet e ardhmja.
Prandaj, me kërkesë të 6 Kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit të Triestës në korrik të vitit 2017 është përgatitur Plani i Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale në kontekst të Procesit të Berlinit. Ky plan parasheh integrim ekonomik rajonal në përputhje me kërkesat e parashtruara nga Kryeministrat e vendeve të rajonit. Rend-dita që parasheh ky plan përfshinë: promovimin e integrimit të mëtejmë të tregut rajonal, krijimin e një hapësire rajonale dinamike për investime, lehtësimin e mobilitetit rajonal dhe krijimin e një rend-dite dixhitale të integruar.
Për të qenë në linjë me Procesin e Berlinit edhe Bashkimi Evropian në shkurt 2018 kishte miratuar Strategjisë për Ballkanin Perëndimor, e cila, ndër të tjera, parasheh themelimin i Zonës Ekonomike Rajonale (Regional Economic Area –REA-) ku do të përfshiheshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Për të zbatuar këtë strategji, BE kishte filluar një sërë takimesh të nivelit të lartë në rajon. Samiti i parë BE-Ballkan Perëndimor që prej vitit 2003 në Selanik është mbajtur në Sofje në maj 2018, në të cilin përpos strukturave më të larta të BE-së morën pjesë dhe udhëheqësit më të lartë politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata të Kosovës.
Vlen të theksohet që Plani i Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale rrjedh nga angazhimet e ndërmarra në kuadër të kornizës së CEFTA-s dhe Stategjisë për Evropën Juglindore 2020 (South Eastern Europe -SEE 2020-) dhe është i bazuar në parimet dhe rregullat e CEFTA-s dhe BE-së të reflektuara në Marrëveshjet Stabilizim Asociim me vendet e rajonit. Ky plan përfshinë zbatimin e veprimeve prej periudhës 2017 deri në 2020 dhe disa aktivitete deri në vitin 2023.
Identifikimi i problemit në gjenezë
Ideja e fuqizimit të bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë pjesë e secilit takim, ku kanë marrë pjesë drejtuesit më të lartë politik të Kosovës në të gjitha iniciativat rajonale. Edhe në Samitet e Procesit të Berlinit kanë marrë pjesë niveli më i lartë i politikës kosovare duke filluar nga viti 2014 e deri më sot. E Zona Ekonomike Rajonale, e cila i hap rrugë Mini-Schengenit është pikërisht ajo për të cilën të gjithë drejtuesit politik të rajonit vazhdimisht janë pajtuar, përfshirë ata të Kosovës. Bile edhe Kryeministri në ardhje Albin Kurti, parimisht nuk ishte kundër Mini-Schengenit duke thënë që “është dashur të pritej formimi i qeverisë e pastaj të vendosej për Mini-Schengen.”
Problemi me të cilin shumë shpejtë do të mund të përballemi është se çfarë do të thotë spektri politik i Kosovës, nëse presidenca e kroate e BE-së, që fillon nga 1 janari 2020, do të fuste në rend dite formimin e Mini-Schengenit, duke ditur që Zona Ekonomike Rajonale do të jetë paraprijëse e Mini-Schengenit? A do të jemi në gjendje që t’i kundërvihemi një ndërmarrjeje të tillë?!
Nëse i lëshojmë një sy rrafshit ndërkombëtar, shohim se krijimi i Zonave të Tregtisë së Lirë (Free Trade Areas) dhe Unioneve Doganore janë trend global i pa-anashkalueshëm. Që nga viti 1967 kemi Zonën e Tregtisë së Lirë ASEAN (Association of Southeast Asian Nations) në përbërje të Indonezisë, Singapurit, Malejzisë, Filipineeve, Vietnamit, Bruneit, Kamboxhës, Myanmarit, dhe Laosit; nga viti 1991 kemi MERCOSUR në përbërje të Brazilit, Argjentinës, Uruguajit dhe Paraguajit; nga viti 1994 kemi NAFTA (North American Free Trade Area) në përbërje të SHBA-së, Kanadës dhe Meksikës. Edhe Turqia ka Union Doganor me Bashkimin Evropian që nga viti 1995.
Që nga viti 1951 kemi Bashkësinë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik (BETHÇ) në përbërje të Gjermanisë, Francës, Italisë, Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut. Nga BETHÇ rrodhi ajo që sot e njohim si Bashkimi Evropian që ka tregun e përbashkët, unionin doganor, valutën e përbashkët dhe Sistemin Schengen me lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. E Bashkimi Evropian, në rrafsh global, shihet si forma më e avansuar dhe më e suksesëshme e integrimit rajonal në botë deri më sot.
Nuk duhet harruar se hapja dhe unifikimi i tregjeve ishte bazë për BE-në. Mbi këtë bazë u hapen rajone të ndryshme në glob duke hyrë në Zona të Tregtisë së Lirë, shpesh shpërputhje me klimën mes shteteve pjesëmarrëse si rezultat i së kaluarës komplekse mes tyre. Kush do ta kishte besuar që Gjermania dhe Franca do të pajtoheshin kur kjo e para e kishte sulmuar Francën në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore?! Kush do ta kishte besuar që Polonia dhe Izraeli do të bashkëpunonin me Gjermaninë pas Holokaustit?! Kush do ta kishte besuar që investitorët japonezë do ta vërshonin bregdetin kinez dhe jug-korean me investime multi-miliardëshe duke qenë pushtues i tyre?! Kush do ta kishte besuar që BE do të hynte në Union Doganor me Turqinë duke marrë parasysh klimën që ekziston në BE mbi Turqinë ose e kundërta?!
Në një situatë normale, Mini-Schengeni do t’u bënte mirë ekonomive të Ballkanit Perëndimor duke rritur shkëmbimin e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe mobilitetin e njerëzve. Por, Kosova duke pasur probleme serioze me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, është e vështirë të paramendosh mirë-funksionimin e një Mini-Schengeni, pavarësisht se si do të dukej. Nëse thuhet Schengeni ka funksionuar mirë mes Vendeve të BE-së dhe rrjedhimisht do të duhej të funksiononte edhe në Ballkan Perëndimor, ky do të mund të kundër-argumentohej duke thënë Vendet e BE-së janë futur në Schengen me kushte të barabarta dhe njohje të ndërsjellë, kurse futja e Kosovës në një Mini-Schengen me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, përderisa këto të fundit nuk e njohin shtetësinë e Kosovës dhe aq më tepër bëjnë pengesa të vazhdueshme kundër pavarësisë dhe eksporteve të Kosovës, do ta bënte ju-funksional çfarëdo Mini-Schengeni.
E njëri prej argumenteve për mos-hyrje në Mini-Schengen do të ishte mos-funksionimi adekuat i marrëveshjes së CEFTA-s (Central European Free Trade Agreement) mes Kosovës, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Ky është argumenti kryesor që spektri politik i Kosovës është dashur ta theksonte para konceptimit dhe krijimit të çfarëdo iniciative rajonale e jo ta heshtë atë. Një Mini-Schengen që nuk përfshinë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë i dështuar.
Nëse Serbia, Bosnja e Hercegovina do ta njihnin pavarësinë e Kosovës dhe ta shihnin Kosovën si partner të barabartë, atëherë një Mini-Schengen do të mund të kishte kuptim. Argumenti se Serbia do të jetë shteti më i fortë në Mini-Schengen nuk qëndron për ta kundërshtuar atë nga Kosova ose Shqipëria, sepse po të ishte ashtu atëherë as BE nuk do të ekzistonte, sepse brenda saj ka Gjermaninë si shtetin më të fortë karshi Francës, Italisë e shumë shteteve tjera, ose edhe NAFTA nuk do të funksiononte, sepse SHBA është shumë më e fortë se sa Meksika dhe Kanadaja, nuk do të funksiononte as MERCOSUR duke pasur Brazilin si shtetin më të fuqishëm në të, ose siç nuk do të mund të funksiononte ASEAN duke pasur Indonezinë shtetin më të fuqishëm në të.
Fundja, edhe kur Kosova të futet në BE, aty do të ketë Gjermaninë dhe Shtete tjera që janë shumë më të fuqishme. Gjithmonë, në një Zonë të Tregtisë së Lirë, Union Doganor apo formë tjetër të lidhjes mes shteteve, ka pabarazi mes shteteve në aspektin e zhvillimit ekonomik. Edhe Turqia është më e dobët se sa BE, por ka hyrë në Union Doganor me BE-në, sepse përfitimet nga hapja janë shumë më të mëdha se sa nga mbyllja.
E gjitha që u tha më lartë, tregon se pa u arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë – fatkeqësisht – tepër i vështirë nëse i pamundshëm thellimi i bashkëpunimit rajonal. Tashmë dihet që sa i përket arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse kemi në njërën anë BE-në, e cila përmes Mini-Schengenit mundohet që dalëngadalë t’i përafrojë aq shumë vendet e Ballkanit Perëndimor sa një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte para faktit të kryer dhe si rrjedhojë të arrihej, ndërsa në anën tjetër kemi qëndrimin amerikan që kërkon arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse sa më shpejtë që të jetë e mundur, diçka që pastaj do t’i hapte plotësisht rrugë integrimit të plotë rajonal dhe evropian.
Spektri politik i Kosovës pa përjashtim duhet ndërprerë praktikat e deklaratave ditore për përfitime ditore për hir të elektorateve të veta dhe të arrijë konsensusin e nevojshëm për tema të mëdha. Nëse vërtetë kemi qenë kundër Mini-Schengenit është dashur ta themi të gjithë që nga gjeneza e tij e filluar në Samitin e Triestës në korrik 2017 nën udhëheqjen e presidencës italiane të BE-së, e jo vazhdimisht t’u themi po iniciativave të ndryshme e jo pastaj kur ato na servohen të heshtim, kundërshtojmë apo të japim arsyetime të çuditshme. Një qasje e tillë na ul seriozitetin para BE-së dhe iniciativave të ndryshme rajonale. Pra, duhet të jemi plotësisht koherent dhe konsistent në hapa politikë, përndryshe do të jemi vetëm konsumues të iniciativave e aspak bashkë-projektues të tyre.