Izolohen punëtorët e “Gëzimi Ynë”, drejtoresha e çerdhes jep detaje
Prej 27 rasteve të fundit të konfirmuara me koronavirus në Kosovë, 5 raste janë nga komuna e Fushë Kosovës. E një grua e infektuar doli të jetë edukatore e çerdhes publike të kësaj komune. Në një prononcim për FaktePlus, drejtoresha e çerdhes “Gëzimi Ynë”, Sherife Tërnava ka treguar se a ka pasur kontakte stafi me edukatoren e prekur nga Covid-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës çdo ditë po kryen testime të mostrave nga Klinika Infektive për të gjurmuar kontaktet e rasteve me Koronavirus në Kosovë.
Ndërsa, më 1 qershor nga 172 mostra, janë konfirmuar edhe 27 raste të reja me Covid-19.
IKShPK ka njoftuar se ndër to në Komunën e Fushë Kosovës janë 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Bresje).
E njëri nga këto raste del të jetë një edukatore e çerdhes publike në Fushë Kosovë. Kjo ka bërë që çerdhja “Gëzimi Ynë” të mos jetë e hapur si të tjerat nëpër vendbanimet e ndryshme të Kosovës.
Një ekip nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka qëndruar gjatë ditës tek çerdhja, e cila ka qenë e mbyllur me dry.
Ndërsa në një prononcim për FaktePlus, drejtoresha e çerdhes “Gëzimi Ynë”, Sherife Tërnava ka treguar se a ka pasur kontakte stafi me edukatoren e prekur nga Covid-19.
Ajo thekson se edukatorja e infektuar ka qenë në pushim të lehonisë dhe se nuk ka pasur kontakte me edukatoret e tjera.
“Është një edukatore e infektuar por ajo ka qenë në pushim të lindjes dhe nuk ka pasur kontakte me neve. Nuk ka qenë në çerdhe. Por, ne duhet të marrim masa që të verifikojmë se a ka pasur kontakte edukatorja e infektuar me edukatorë të tjerë. Arsyeja pse e kemi mbyllur çerdhen është sepse deri të marrim informacione nëse kanë pasur kontakte mes vete. Për momentin nuk kemi dyshime nëse edhe dikush tjetër është i infektuar”, ka thënë drejtoresha Tërnava.
Ajo tutje ka treguar se ka kërkuar nga drejtoria komunale e Fushë Kosovës që të behët testimi i të gjithë edukatorëve dhe punëtorëve në këtë çerdhe.
“Kemi biseduar me drejtorin komunal që të hulumtojmë kontaktet e rastit dhe kemi kërkuar që të bëjmë analizat të gjithëve dhe kemi vendosur që për një kohë edukatorët të izolohen”, ka thënë ajo.
Drejtoresha e çerdhes “ Gëzimi ynë”, Sherife Tërnava ndër të tjera ka pohuar se puna me fëmijët nuk ka filluar dhe se edukatorët nuk kanë qenë në punë, mirëpo FaktePlus merr vesh se edukatorët janë lajmëruar në vendin e tyre të punës pa nisur puna me fëmijë.
“Me fëmijë ne nuk kemi pasur mësim dhe nuk kemi pasur kontakte sepse nuk kemi filluar punën më 1 qershor sepse nuk kemi qenë gati për punë”, shton mes tjerash Tërnava.
Ndryshe rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe komuna e Fushë Kosovës, nga e cila thuhet se gjendja e të infektuarve është stabile.
Ali Topalli, zëdhënës në këtë komunë tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se bëhet fjalë për një familje, një burrë dhe grua, si dhe tre fëmijët e tyre.
“Bëhet fjalë për një familje, jeton në Bresje, është infektuar me Covid-19, është rast kontakti me familjarët e tyre në komunën e Vushtrrisë” ka shtuar Topalli.
Sipas Topallit, gjendja e të infektuarve është e mirë.
“Në bazë të vizitave që kemi pas sot, pra shërbimet e shëndetit, kanë konfirmuar që gjendja e tyre është e mirë. Ata janë në vetizolim dhe nuk kanë shenja të përkeqësimit”, theksoi ai.
Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se çerdhja “Gëzimi Ynë”, për këtë arsye nuk do të ripahet edhe për një kohë.
Në një njoftim, thuhet se rihapja nuk do të bëhet edhe pse është çerdhja është e gatshme për të ofruar shërbim./FaktePlus
E konfirmon komuna, edukatorja e çerdhes në Fushë Kosovë e prekur me koronavirus