E konfirmon komuna, edukatorja e çerdhes në Fushë Kosovë e prekur me koronavirus
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës çdo ditë po kryen testime të mostrave nga Klinika Infektive për të gjurmuar kontaktet e rasteve me Koronavirus në Kosovë.
Deri më sot në Kosovë, numri i personave të infektuar me këtë sëmundje ka arritur në 1,110, kurse janë shëruar 843.
Ndërsa, më 1 qershor nga 172 mostra, janë konfirmuar edhe 27 raste tw reja me Covid-19.
IKShPK ka njoftuar se ndër to në Komunën e Fushë Kosovës janë 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Bresje).
Ali Topalli, zëdhënës në këtë komunë tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se bëhet fjalë për një familje, një burrë dhe grua, si dhe tre fëmijët e tyre.
Gruaja e prekur me Covid-19 ka qenë edukatore e kopshtit “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovës.
Topalli deklaroi se e njëjta nuk ka qenë dje në çerdhe për shkak se është në pushim të lehonisë.
“Gruaja e infektuar ka punuar në çerdhen “Gëzimi Ynë”, ka qenë shtatzënë para një kohe, ndërkohë që tash është në pushimin e lehonisë. E njëjta nuk ka qenë dje në çerdhe, për shkak se ka ndërprerë marrëdhënien e punës gjatë shtatzënisë”, tha Topalli për Fakte Plus.
Megjithatë, ai shtoi se kjo familje është infektuar pas kontakteve që ka pasur me familjarë në komunën e Vushtrrisë.
“Bëhet fjalë për një familje, jeton në Bresje, është infektuar me Covid-19, është rast kontakti me familjarët e tyre në komunën e Vushtrrisë” ka shtuar Topalli.
Sipas Topallit, gjendja e të infektuarve është e mirë.
“Në bazë të vizitave që kemi pas sot, pra shërbimet e shëndetit, kanë konfirmuar që gjendja e tyre është e mirë. Ata janë në vetizolim dhe nuk kanë shenja të përkeqësimit”, theksoi ai.
Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se çerdhja “Gëzimi Ynë”, për këtë arsye nuk do të ripahet edhe për një kohë.
Në një njoftim, thuhet se rihapja nuk do të bëhet edhe pse është çerdhja është e gatshme për të ofruar shërbim./FaktePlus