Burgjet janë bomba e kurdisur për koronavirus
Paramendojeni situatën e përhapjes së infeksionit në hapësirat e ngushta të burgjeve – ku në një dhomë/hapësirë ka katër (4) të burgosur, me krevate një-mbi-një. Ose një numër të konsiderueshëm të personave në një pavijon.
Shkruan: Arianit Koci
Bombë e kurdisur.
1.
Një prej parakushteve kryesore për mospërhapjen e Koronavirusit COVID-19 në mes tjerash është distanca sociale.
Por, si realizohet kjo nëpër burgjet e Kosovës?
A ka kushte që kjo të realizohet te ne?
A po merret kush me këtë problematikë, duke pasur parashysh faktin që një shpërthim eventual në hapësira të mbyllura siç janë burgjet, mund të na shkaktojë probleme të mëdha.
Pajtohemi që deri tani, situatën e kemi menaxhuar mirë. Por, në këtë fatkeqësi na ka prirë fati: jemi popullata më e re në Evropë, nuk jemi vend turistik – nuk ka lëvizje të mëdha të njerëzve, dhe ndër të parët në regjion kemi ndërmarrë masa parandaluese.
Natyrisht, kemi edhe elemente negative: sistemin shëndetësor nuk e kemi “të shëndetshëm”, ndërkaq përhapja eventuale agresive e Koronavirusit në Kosovë do të shkaktonte kolapsimin e QKUK-së.
Për më tepër, jemi shteti me më së paku respiratorë në regjion dhe më gjerë.
Prandaj, na duhet disiplinë.
Por, përveç disiplinës, na duhet edhe mençuri dhe përshtatje në rrethanat në terren.
Të mos harrojmë: tani kemi numrin tre (3) shifror të të infektuarve.
Prandaj, besoj që edhe nëpër burgje tona duhet të mendohet se si të krijohen kushtet për aplikimin e distancës sociale.
2.
Drejtoria e burgjeve ka reaguar me kohë dhe gjithashtu me kohë i ka ndërmarrë disa masa parandaluese, siç janë:
⁃Ndalimi i vizitave;
⁃Krijimi i hapësirave të izoluara;
⁃Kujdesi i shtuar në të gjitha nivelet, prej ushqimit deri te higjiena;
⁃Obligimi i gardianëve që t’i vendosin maskat dhe dorëzat gjatë orarit të punës;
⁃Karantinimi i domosdoshëm i çdo të burgosuri apo të paraburgosuri, pas vizitës mjekësore jashtë burgut;
⁃Ndalimi i përkohshëm i transferimeve etj.
Por, tani duhet t’i fuqizojmë masat preventive dhe ta gjejmë formën kreative juridike që disa të burgosurve/të paraburgosurve t’u mundësohet Qëndrim i Përkohshëm në Shtëpi, si një leje e veçantë gjatë kohëzgjatjes së pandemisë të shkaktuar nga Koronavirusi COVID-19.
Aktualisht janë disa pengesa ligjore për shkakun se për lirimin e përkohshëm eventual të tyre, vendosë gjykata kompetente. Dhe për trajtim individual të çdo rasti veç e veç, nuk e di sa kemi kohë dhe resurse njerëzore.
Sidoqoftë, mund të gjenden zgjidhje në kuadër të ligjeve pozitive, ashtu që të krijohen kushtet për luftimin e pandemisë edhe nëpër burgjet tona.
Paramendojeni situatën e përhapjes së infeksionit në hapësirat e ngushta të burgjeve – ku në një dhomë/hapësirë ka katër (4) të burgosur, ose një numër të konsiderueshëm të personave në një pavijoe. Në disa raste krevatet janë një-mbi-një.
Bombë e kurdisur!
3.
Një i infektuar me Koronavirus në burg mund ta përhapë virusin në mënyrë eksponenciale.
Natyrisht, për fitimin e të drejtës për qëndrim të përkohshëm në shtëpi nga i paraburgosuri apo i burgosuri duhet të plotësohen disa kritere që paraprakisht përcaktohen:
⁃të dënuarit i kanë mbetur deri në tre (3) vjet dënim pa i vuajtur nga dënimi;
⁃vuan nga ndonjë sëmundje kronike e rrezikshme për jetën;
⁃e ka moshën mbi 65 vjet;
Kritere të ngashme mund të përcatohen edhe për të paraburgosurit.
Këtë të drejtë nuk do ta gëzonin personat që kanë kryer vepra penale të cekura taksitivisht – posaçërisht personat që kanë kryer vepra penale me elemente të dhunës dhe recidivistët.
Besoj që lirimi i përkohshëm një (1) mujor, me mundësi të vazhdimit, nuk do ta rrezikonte sistemin e burgjeve, për shkak se ashtu-kështu të gjithë kufijtë tanë dhe të shteteve përreth janë të mbyllur hermetikisht. Me fjalë të tjera, nuk po rrezikojmë për shkak se personat e dhunshëm vazhdojnë të mbeten në burgje, e të tjerët që evetualisht lirohen pëkohësisht, nuk kanë shumë mundësi për të ikur.
Në anën tjetër, lirimi i vendeve nëpër burgje do të krijonte parakushte për kontrollimin më efikas të pandemisë për personat e mbetur në burgje.
Sidoqoftë, ky propozimin imi ad-hoc duhet të plotësohet edhe me rekomandimet e personave kompetentë nga lëmitë e ndryshme, në komisionet që duhet të formohen enkas për këtë punë.
Nuk kemi shumë kohë. Prandaj, të veprojmë deri sa nuk është bërë vonë!