Kosovë-Serbi koha për zgjidhje ka ardhur
Shkruan: Alketa Gashi – Fazliu
Trenat po i ndezin motorët: Amerika dëshiron të sigurohet që ata nuk janë në kurs përplasjeje.
Treni i Kosovës po del nga stacioni. Me qeverinë e sapokrijuar, Kosova më në fund vendosi një lokomotivë të re në binarët e vjetra dhe të ndryshkura. Kësaj lokomotive i duhet të tërheqë ngarkesën e saj të çmuar me 2 milion banorë në një trase të mbajtur keq, në një rrugë plot rreziqe gjeopolitike, me kthesa të forta dhe binarë fort të dëmtuar nga mungesa kronike e investimeve.
Kjo është hekurudha që na dërgon në Evropë. Për Kosovën ky është drejtimi i vetëm.
Treni tjetër -Serbia- ecën përpara me parametra të ndryshëm. Karrocat e saj janë më të forta, motori është më i madh, hekurudha më moderne. Ajo është në disa mënyra – jo vetëm gjeografikisht – më afër cakut. Ndryshe nga Kosova, Serbia ka një zgjedhje. Ajo mund të ndërtojë një autostradë më të shpejtë për Evropë, ndërsa ruan për siguri një linjë rezervë që çon në Lindje. Qasja e dyfishtë (ose e trefishtë) e Serbisë duket se po i jep rezultatet që ajo kërkon. Të gjithë duket se duan të jenë aty. Investimet janë të pranishme, kontratat janë nënshkruar, fondet nuk duken se mungojnë.
Treni i Kosovës dhe ai i Serbisë nuk do kthehen kurrë më në rrënojat e stacioneve jugosllave që lanë pas. Njëri tren është më i madh, por jo domosdoshmërisht më i mirë. Tjetri është më i vogël, por jo domosdoshmërisht më i keq. Për asnjërin nuk ka kthim mbrapa. Por drejtuesit e tyre duket se i kanë disa probleme: disa në Kosovë thonë se Kosova assesi nuk bëhet pa kërkuar ndjesë Serbia. Ata të Serbisë dhe opinioni i saj publik thonë: “Le ta shtypim Kosovën (përsëri!), Kjo është ajo për të cilën jemi krijuar, kjo është ajo që më së paku mund të bëjmë”.
Nëse ata që drejtojnë flasin kështu, përplasja duket e pashmangshme.
Për ta shmangur përplasjen, gjërat duhet të ndryshojnë shumë shpejt.
Roli i BE-së
Në ditën e fundit të janarit, shefi i politikës së jashtme të BE-së Borrell ishte në Beograd për të diskutuar për normalizimin e politikës së jashtme me Kosovën. Ai tregoi mbështetjen financiare që BE i jep Serbisë: 2.5 miliardë euro të dhëna Serbisë, gjatë dekadës së fundit.
Borreli i tha Vuçiçit: “negociatat e pranimit të Serbisë mund të vazhdojnë më shpejt”. Sigurisht që munden. Ofertat nuk i mungojnë atij vendi që e di se e ka një zgjedhje. Ose dy. Ose më shumë. Për Serbinë nuk është vetëm Rusia. Jo vetëm Rusia dhe Turqia. Duke folur globalisht, Kina është gjithashtu në prag të derës. Nga mesi i këtij muaji, shefi i politikës së jashtme të BE-së Borrel informoi Serbinë se një i dërguar i Posaçëm i BE-së për procesin Kosovë-Serbi do të emërohet pasi ai nuk ka kohën e mjaftueshme për t’u angazhuar për këtë, edhe pse ai personalisht do të ndihmojë. I dërguari i ri i BE së shpejti do të kontrollojë shëndetin e motorëve dhe kredencialet e drejtuesve të rinj të trenit të Kosovës, për të siguruar që Kosova dhe Serbia të mos përplasen në atë rrugë të vetme që çon Kosovën në Evropë. Fillimisht, një këshilltar i politikës së jashtme shumë i respektuar dhe i aftë dhe ambasadori i Gjermanisë në KB i afërt me kancelaren Merkel u përfol se do të plotësonte atë pozicion. Ai u tërhoq në minutën e fundit.
Die Schadenfreude – “gëzimi dashakeq”
Me sa duket, një përplasje e mundshme në linjën Kosovë-Serbi është ende në menunë e ditës.
Kjo shtron pyetjen: nëse do ketë konflikt, atëherë kush përfiton prej tij? Përgjigja e parë – është e ndërlikuar. Mjaft akterë, përfshirë politikanë të së tashmes dhe të së kaluarës, gazetarë të paguar që të veprojnë që nga Evropa si “talking heads” dhe lider të opinionit të këtushëm e të atjeshëm, akterë jo-shtetërorë me prerogativa thuajse mbretërore, të mbështetur nga organizata joqeveritare e diplomatë që veprojnë në sfond, larg vëmendjes së syrit të publikut dhe nga kontrolli i taksapaguesve të Sh.B.A dhe evropian, vazhdojnë të kërkojnë shtyerjen deri në pafundësi të zgjidhje të konfliktit shumëvjeçar Kosovë-Serbi. Ky i tyri nuk është veç një gabim. Është krim. Ata që shtiren si të gjithëditur, vazhdojnë përfitojnë tani, ashtu si në vitet e kaluara – financiarisht dhe politikisht – nga kjo.
Një pjesë e mirë e atyre që nuk e duan zgjidhjen – e këta janë shqiptarë e serbë, të huaj dhe bashkëpunëtorë të tyre vendor – ushqehen me konflikte vetëm pasi bëjnë para duke mos i zgjidhur. Për ta, kërcënimi i pafund i një konflikti Kosovë-Serbi është skenari më i mirë i mundshëm. Për ta, përpjekja e udhëhequr nga Presidenti Trump për t’i ulur Kosovën dhe Serbinë në tryezën që zgjidhin përfundimisht konfliktin e tyre me kushte të përcaktuara, përfundimtare, historike është më e rrezikshme se vetë lufta. Përgjigja e tyre për mundësinë e kompletimit të procesit të paqes jepet nga një mori përfaqësuesish të tyre. Ata paraqesin argumente të ndryshme, por pajtohen në një pikë qendrore – një zgjidhje përfundimtare Kosovë-Serbi për momentin nuk është e mundur.
Është e pamundur dhe e rrezikshme.
Janë qindra e mijëra gjëra që duhet të bëhen së pari përpara se Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje të qëndrueshme me njëra-tjetrën. Për shembull: Serbia së pari duhet të kërkojë falje. Ose: Kosova së pari duhet të luftojë korrupsionin. Harrojini zgjidhjet. Qëndrojmë te problemet.
Shtëpia e Bardhë është krejtësisht e vetëdijshme për këtë. Ajo i njeh personat që e bëjnë këtë. Ajo gjithashtu ka qëndrim të qartë për këtë: Kushdo që i bëhet pengesë zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi SHKEL interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kush po punon për një konflikt të ri?
Nëse nuk ka marrëveshje paqeje, a do të ketë një konflikt? Një gjë është e sigurt: ata që do të përfitonin nga një aksident hekurudhor apo nga probleme teknike në linjën Ballkan-Evropë nuk e fshehin gëzimin e tyre duke parë shanset që rriten.
Armiqtë e Kosovës, po aq sa kritikët e zakonshëm të Amerikës, preferojnë të shohin kaos në politikën e jashtme amerikane, kohë të pasigurta për Ballkanin, jashtë çdo rendi legjitim ndërkombëtar. Rreziku i madh, shprehen ata, është një SHBA nën udhëheqjen e Trump. Pasi Trump nuk është Amerika. Po çfarë thonë ata në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, nëse ato veprojnë si dy shtete të pavarura, sovrane, të afta të bien dakord përfundimisht për një zgjidhje përfundimtare, nëse Evropa dhe SH.B.A. janë dakord? Në asnjë mënyrë. Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë. Asnjëherë nuk do të lejohet.
Epo, shanset janë, kjo është pikërisht ajo që do të ndodhë.
Kjo është e vetmja gjë që mund dhe duhet të ndodhë.
Pyetja është kur.
Furia anti-Trump
Shumë prej mendjeve të ndritura që duan ti caktojnë rrugën trenit të Kosovës sot, ankohen se referendumi i Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump si President i Amerikës paska shënuar fundin e projektit të lavdishëm Euro-Atlantik për Kosovën. Për ta, gjërat nuk do të bëhen kurrë më rozë siç kanë qenë më parë.
Kanë të drejtë – për ta kjo situatë është shumë problem.
Çështja është – pse problemi i tyre duhet të jetë problem për Kosovën?
Penguesit aktual të marrëveshjes së paqes Kosovë-Serbi argumentojnë se Presidenti Trump dëshiron ta shet Kosovën në Serbi dhe pastaj të hyjë në pazare me Rusinë. Së pari Lindja e Mesme, pastaj Ballkani, pastaj bota. Sapo të vendosen kredencialet e politikës amerikane si shkatërruesi i botës, ata duan të shtyjnë të gjithë Ballkanin të besojnë se SH.B.A. do të bëjë kërdi në rajon, si pjesë e planit të tij për një apokalips global të afërt! Nëse pjesa më e madhe e opinionit publik në Ballkan dhe në Kosovë e beson këtë rrëfim, atëherë dëmi tashmë është kryer.
Megjithatë, edhe nëse kjo taktikë ndërtohet nga një rrjet i ndërlikuar politikanësh të korruptuar, diplomatësh të dikurshëm dhe të tanishëm, biznesesh dhe interesash gjeostrategjike, loja përfundimtare është e thjeshtë. Këta faktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë armiqësorë ndaj Presidencës Trump nuk duan të shohin që dy shtete sovrane bëjnë një marrëveshje me njëra-tjetrën nën drejtimin e SHBA.
Të paktën jo tani. Ndoshta në afatgjatë, kur të gjithë, përfshirë veten e tyre, do të jenë të vdekur. Por për momentin, ata duan të shohin që dialogu Kosovë-Serbi thjesht të dështoj ose të zgjatet pafundësisht, në mënyrë që ata të legjitimohen përgjithmonë nga e vërteta e profecisë së tyre.
Kundërshtarët e marrëveshjes Kosovë-Serbi janë të fortë në Serbi ashtu siç janë në Kosovë. Në Serbi, Kryeministrja Ana Brnabić ishte ndër të parat që komentoi me ironi për marrëveshjen hekurudhore Kosovë-Serbi të drejtuar nga SHBA: “Çfarë do të na duhej lidhja hekurudhore ose fluturimi nëse nuk ka njeri për të udhëtuar? Saktësisht i njëjti reagim erdhi nga disa koka këtu në Kosovë: “Për çfarë na duhen këto lidhje trenash dhe fluturimesh?”
Po sikur ti përdorim për të shkuar në Evropë?
Dialogu Kosovë-Serbi është më i rëndësishëm sesa Kosova dhe Serbia të marra bashkë
Tani le të sfidojmë një mit tjetër – atë që pretendon se Presidenti Trump dëshiron që Kosova dhe Serbia të bashkojnë duart në një martesë të detyruar në mënyrë që Trump të marrë meritat e një procesi paqeje që do t’a ndihmojë atë të rizgjidhet në zgjedhjet e ardhshme.
Nuk ka një të pavërtetë më fyese se kjo. Votuesit amerikanë as që e dinë se çfarë janë Kosova dhe Serbia ose ku janë të vendosur në hartë. Ata duan që Trump të fokusohet në çështjet reale të SHBA për të marrë votat në SHBA.
Atëherë, çfarë ka në Kosovë dhe Serbi për Presidentin Trump?
Penguesit e dialogut Kosovë-Serbi pohojnë me ngulm se “revolucionet e revoltës” në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA që vendosën Donald Trump dhe Boris Johnson në krye të vendeve të tyre, kanë shkatërruar një herë e përgjithmonë kapacitetet e politikës së jashtme si të Londrës, ashtu edhe të Uashingtonit.
Ata argumentojnë se vizioni i Trumpit për Ballkanin Perëndimor dhe për botën vuan nga paaftësia e tij e natyrshme për të zbatuar politika koherente. Opinioni publik bombardohet me idenë se Trump nuk është në gjendje të ketë një vizion afatgjatë. Se Trump i harton politikat e tij duke parë Fox News. Me fjalë të tjera, Trump do marrëveshje të shpejta, thjesht për të realizuar fitimin e tij, dhe ai që Trump merr është ose fitim në para ose në popullaritet, ose ndoshta të dyja- e pasi të ndodhë kjo atëherë SHBA më në fund do të largohen skena, dhe gjithçka që mbetet pas do të bjerë përtokë.
Asgjë nuk mund të jetë më e gabuar se kjo. Interpretimet e gabuara çojnë në formulim të gabuar të problemeve. Problemi nuk është se disa (b)analistë luajnë lojën e fajit dhe flasin për shkatërrimin përfundimtar të rendit ndërkombëtar liberal.
Problemi është që udhëheqësit tanë e blejnë këtë narrativë.
Kjo është një lojë e rrezikshme. Disa politikanë vendas, me mijëra kilometra larg nga qendra e politikës botërore, po mendojnë se kanë rol kyq për të luajtur dhe mendojnë, se meqë aeroplanmbajtësja e quajtur Amerikë ka rënë në duart e kapitenit të gabuar, ata do të jenë pilotët kamikazë që do ti bien asaj.
Duke përsëritur mantrat anti-Trump, ata shndërrohen në kundërshtarët e tij aktivë, të rekrutuar për të luftuar verbtazi kundër diçkaje që nuk do të pushojë kurrë së qeni – realitetit të fakteve – e për të kundërshtuar një plan dinak që nuk eksziston.
Jo! Presidenti Trump nuk dëshiron të përfitojë nga kaosi në Ballkan për nxitur më shumë probleme në rajon. Jo për hir të egos së tij të tejmbushur. As për hir të parave dhe publicitetit. As për të dyja këto kombinime. Ose për ndonjë gjë tjetër që mund të mendohet. Politika e Shtëpisë së Bardhë nuk është as afatshkurtër, as ditëshkurtër. Dhe me siguri nuk i mungojnë informacionet e detajuara mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. As për ata që mbajnë Kosovën peng sot, e që duan ta mbajnë peng përjetësisht.
Ajo që duan Shtetet e Bashkuara është një zgjidhje solide dhe sovrane Kosovë-Serbi.
Kjo është ajo që do të marrin Serbia dhe Kosova në fund.
Partnerët amerikanë në Kosovë dhe Serbi mund të jenë të sigurt për këtë. Penguesit e marrëveshjes Kosovë-Serbi e dinë lojën e tyre, dhe loja e tyre është që këtë zgjidhje të pashmangshme ta ngadalësojnë me synimin që ta bëjnë të pamundur. Ka ardhur koha që këta iluminues vendorë dhe ndërkombëtarë të heqin dorë nga roli i mësuesit ndaj Amerikës. Amerika është e qartë për punët e saj në Kosovë e për marrëdhëniet e saj me botën.
Paralajmërimet joproduktive në lidhje me atë se si një Perëndim i thyer e një Evropë e përçarë nuk do të jetë në gjendje t’a kthejë Kosovën dhe Serbinë në tryezën e bisedimeve nuk kanë të ngjarë të ndalet së shpejti. Por diçka tjetër duhet ndalur. Duhet ndalur dëgjimi i tyre.
Çka pastaj me Kosovën?
Me koalicionin qeveritar më në fund të krijuar, është koha që liderët e rinj të Kosovës të rifillojnë pa kushte, pa prapamendime, dhe pa bishtnime bashkëpunimin e plotë me aleatin strategjik. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin pohuar se nuk duhet të kishte ndërhyrje në politikën e brendshme të Kosovës që pak ditë para se të bëhej koalicioni qeveritar! Në respekt të këtij qëndrimi, ShBA qenë të gatshëm të punonin me çdo qeveri të ligjshme që do të dilte nga negociatat e liderëve politikë të Kosovës. Kjo është e vërteta. ShBA nuk paragjykuan askënd.
Por çfarë ndodhi nga ana jonë? Muaj të tërë kanë kaluar që nga tetori 2019, e Kosova nuk ka fituar bash asgjë! SHBA deklaruan se qëllimi i tyre është të punojnë për Kosovën! Për një Kosovë të prosperuar, paqësore dhe të fortë, të aftë të fokusohet në ekonomi së pari, e gatshme dhe e aftë për tu përballur me sfidën e saj historike- një marrëveshje e plotë e përfundimtare me Serbinë që nuk lë vend për gabime dhe nuk transmeton kosto për brezat e ardhshëm.
Në këtë sfidë historike, Kosova mund të mbështetet në miqësinë e qëndrueshme të mikut dhe aleatit të saj të madh. Që Kosova të ketë sukses, ajo duhet të jetë e guximshme dhe e sinqertë. Ajo gjithashtu të jetë e gatshme të dëgjojë çfarë po thonë SHBA dhe aleatët e saj më të afërt.
Injorimi i SHBA-ve është një lajm i keq. Është një fatkeqësi që ende dikush në Kosovë mendon se Kosova mund ta lejojë këtë! Megjithatë, mund t’ju kujtohet se një vit më parë, më 11 shkurt 2019, administrata amerikane paralajmëroi Kosovën krejt qartë si më poshtë:
Po citoj:
“Veprimet (ndërmarrë nga Kosova) minojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të vazhduar të bashkëpunojnë me ju në një gamë të gjerë të objektivave të përbashkëta” (…) “Pasi që kërkesat tona (…) të mos kalonin pa vëmendje, ne kemi vendosur të ndërmarrim hapa për të treguar shqetësimin tonë, në lidhje me partneritetin tonë të sigurisë. ” (…) “Ne do t’i shohim me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do t’i rishikojmë nëse ato duhet të kufizohen.” (…) “Kosova nuk ka mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për shumë vite për të realizuar një të ardhme në të cilën njerëzit e Kosovës mund të jetojnë ashtu si ata zgjedhin, në paqe. Lufta e Kosovës për liri kapi imagjinatën e amerikanëve. Mijëra diplomatë dhe ushtarë amerikanë janë përfshirë personalisht në përpjekjen për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e jashtëzakonshme që në fund të fundit kemi bërë gjithçka bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë dhe nuk injoron këshillat tona. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë të gatshëm të ndihmojnë dhe mbështesin Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë, e cila është e qëndrueshme, e zbatueshme ku përfitojnë të dyja palët!
E mbyllim citimin.
Koha për të vazhduar më tej
Të bësh të shurdhërin dhe të luash viktimën nuk do të funksionojë kurrë me SH.B.A. Në sytë e SHBA, Kosova dhe Serbia janë të detyruara të punojnë si partnerë. Partneritetet strategjike nuk funksionojnë nëse Kosova vazhdon të përqendrohet në armiqësitë e kaluara dhe ato të tanishme, moralizimet, mohimet dhe gjysmë të vërtetat, derisa një klikë e ngushtë përfituesish mbush xhepat me të ardhura të paligjshme nga një shkëmbim anormal ndërkufitar i mallrave.
Bashkëpunimi për çështje jetike toleron zero justifikim. Cilado përpjekje për të mbajtur gjallë një konflikt të vjetër që rrezikon jetën e të gjithëve për të siguruar të ardhmen e disave nuk është zgjidhje. Strategjia e atyre që shtyjnë pafundësisht hapat që do të konsolidojnë përfundimisht shtetësinë e Kosovës në një rajon të paqësuar, nuk është “Made in Kosova”.
Miqtë e Kosovës e dinë këtë. Partnerët e saj të sigurisë e dinë këtë. Muajt e ardhshëm do t’ia bëjnë të qartë popullit të Kosovës se cilët janë miqtë e tyre të vërtetë dhe kundërshtarët e tyre më të ashpër.
Heqja pa kushte e tarifës ndëshkuese ndaj Serbisë nuk është veprim i gabuar. Nuk është dorëheqje nga sovraniteti. Pazaret me tarifën me ShBA nuk vijnë aspak në shprehje. Pasi ShBA nuk ka dalë të blejë aksione paqeje në tregun e gjelbërt të Prishtinës!. Sh.B.A dhe pothuajse të gjithë të tjerët kanë kërkuar – jo thënë – Kosova ta heq atë. Ka arsye të mira për të. E njëjta kërkesë i’u bë e po i bëhet qeverisë së re të Kosovës. Nuk duhet të thuhet jo këtu! E as të nxirren opsione e të bëhen kinse negociata që askush nuk i kërkon!
Sipas fjalëve të Sekretarit të Shtetit të SHBA Mike Pompeo: “Heqja i tarifave për mallrat nga Serbia (…) do të jetë e rëndësishme për ta sjellë [Prishtinën dhe Beogradin] përsëri në tryezën e bisedimeve.” Pompeo gjithashtu i kërkoi Kosovës të përfitonte nga planet e mbështetura nga SHBA për të rikthyer lidhjet ajrore dhe hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit.
Piskamat për tarifën nuk janë afirmim i sovranitetit të Kosovës. Janë minim e shkatërrim i drejtpërdrejtë i tij. Ato nuk sjellin avantazh përveçse do pikë politike në tregun ditor të Kosovës! Tarifa është një pengesë për ShBA, dhe aleatët e saj nuk e duan. Varet nga Kosova që të vendosë se çfarë do të bëjë me të. Deri më tani nuk ka bërë asgjë, duke i treguar botës që Kosova, Sh.B.A dhe pjesa tjetër e botës së lirë nuk janë në të njëjtën linjë. Personalisht mendoj se nuk mund të ketë një kërcënim më të madh për Kosovën se sa kjo.
Është koha të ecim më tej. Është koha që Kosova të dalë nga vetëkënaqësia e të qenit e fokusuar tek vetja, e zhytur në politikën e saj të brendshme. Është koha që Kosova të shohë më larg, pasi koha po i mbaron. Nuk ka më kohë për llogaritjet e mëtejshme të ndarjes së pushtetit, ose për planifikimin e koalicioneve të radhës për të minuar koalicionin aktual qeveritar. Ata që duan që dialogu Kosovë-Serbi të dështojë, ata thonë se problemi i vetëm i Kosovës është Serbia, ata që po investojnë në dështimin e dialogut duke gërryer besimin nga brenda dhe nga jashtë, nuk e kanë vetëm gabim! Do të ishte kriminale që atyre që gabojnë me qëllim tu jepet shansi të gabojnë përsëri.
Qeveria e re është mandatuar nga populli i Kosovës pikërisht për të kundërshtuar pretendimin e kahershëm të armiqve të Kosovës se Kosova nuk mund të kujdeset për veten e saj. Kjo qeveri nuk do të lejohet kurrë të bëjë më pak se kaq. Kjo nuk është çështje e politikës partiake; fati i Kosovës nuk duhet të ndikohet nga lufta se kush do marrë më shumë pushtet në të tashmen, e se kush do njihet si shpëtimtar i së ardhmes. Kosova ka shumë për të bërë.
Por mos të harrojmë: asnjë akt populist -asnjë ulje pagash për zyrtarët qeveritarë, asnjë ngritje statujash për kampionët sportivë, asnjë tarifë ndëshkuese ndaj fqinjëve grindavecë, – nuk do t’i shërbejë Kosovës në planin afatgjatë.
I dërguari special i SHBA për dialogun Serbi-Kosovë e ka bërë të qartë: le të fillojmë me ekonominë. Le të punojmë së bashku që bizneset të vijnë në Kosovë. Le të punojmë për një ekonomi të shkallës. Le të bëjmë që biznesi i madh amerikan të interesohet për Kosovën. Le të punojmë së bashku për të kultivuar atë interes.
Biznesi nuk është kura që shëron gjithçka. Sidoqoftë, Kosova duhet të fillojë të ecë bashkë me biznesin në rrugën e shërimit. Pra, le të jemi të sinqertë, punëtorë dhe me dëshirë të fortë. Le të fillojmë të ngremë ura për biznesin. Le të punojmë për ekonominë, e mos vazhdojmë lojën e vjetër se kush e ka fajin. Le të shohim se çfarë mund të bëhet për një vend që vuan nga nënvleftësime të mëdha dhe mungesa kronike të investimit. Le të shohim se çfarë mund të bëjmë në të vërtetë për këtë vend të ri, në interes të të gjithëve.
Koha nuk po luan në favor të Kosovës. Kryeministri Kurti duhet urgjentisht të fillojë punën, tani, kundër kohës. Kosova duhet të fillojë t’i bëjë gjërat të ndodhin, dhe për këtë, ajo duhet të fillojë të kërkojë më tej se vetvetja.
Shumë më tej.