Si ndodhi vrasja e hajnit dhe plagosja e pronarit të shtëpisë në Shtime
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e hershëm të së mërkurës në komunës e Shtimes. Një person mbeti i vrarë dhe një tjetër është plagosur, pasi disa persona ia kishin mësyrë një shtëpie për ta grabitur.
E gjithë kjo ngjarje nisi kur katër persona të maskuar e të armatosur rreth orës 3:30 të mëngjesit ai kishin mësyrë për të kryer një grabitje në një shtëpi në një paralagje të Shtimes, respektivisht në fshatin Godanc.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ishte e para që raportoi për këtë ngjarje tragjike, e cila më vonë u konfirmua edhe nga policia.
LEXO: Një i plagosur dhe një i vrarë në Shtime
Mirëpo, ka qenë pronari i shtëpisë, i cili edhe pse ishte i vetëm në shtëpi, ka hetuar hajnat dhe ka dalë të ballafaqohet me ta.
Kështu, grabitësit kanë shtënë me armë zjarri dhe nga të shkrepurat ka mbetur i plagosur pronari i shtëpisë.
E pas krismave, kanë dalë në vendngjarje vëllezërit e pronarit të shtëpisë që ishte plagosur. Ata edhe pse të paarmatosur janë vënë në ndjekje të grabitësve, duke e zënë njërit prej tyre.
Sipas asaj që ka mësuar FaktePlus ka qenë njëri prej vëllezërve të pronarit të plagosur që e kishte zënë njërin prej grabitësve jashtë oborrit të shtëpisë, ku edhe atje kishte pasur shkëmbim zjarri, por nga ballafaqimi fizik duke u përleshur edhe me shkopinj druri, aty ka mbetur i vdekur njëri nga grabitësit.
E ndërkohë rastin e vrasjes e plagosjes e ka konfirmuar edhe Policia e Rajonit të Ferizajt, por deri më tani nuk dihet për identitetin e grabitësve që kanë arritur të ikin.
LEXO: Policia e konfirmon vrasjen dhe plagosjen në Shtime
“Disa persona kanë tentuar që të hyjnë në një shtëpi private. Pas këtij tentimi, pronarët e shtëpisë i kanë hetuar grabitës dhe kanë reaguar, mirëpo grabitësit kanë gjuajtur me armë në drejtim të pronarit duke e lënë të plagosur. Më pas familjarët e tjerë e kanë i kanë ndjekur grabitësit, duke e zënë njërin prej tyre dhe rrahur me shkopinj druri. Nga lëndimet e marra njëri prej grabitësve ka ndërruar jetë. Rasti ka ndodhur rreth orës 3:30 të mëngjesit të sotëm”, ka thënë major Mehmetali Hajdini për FaktePlus.
E nga e gjithë kjo ngjarje të rëndë, i arrestuar ka mbetur vetëm njëri prej familjarëve të të plagosurit, por jo edhe grabitësit e tjerë, pasi ata janë në arrati dhe policie ende nuk ka arritur t’i kapë.
Kujtojmë se kohën e fundit janë shtuar rastet e vjedhjeve dhe grabitjeve të armatosura në gjithë Kosovën. Nga këto raste pati edhe viktima.
Rast i ngjashëm si ky në Shtime ka ndodhur 8 muaj më parë edhe në lagjen “Vetërnik” të Prishtinës.
Atë kohë disa hajna kishin hyrë për të vjedhur në një shtëpi, ndërsa pronari i saj kishte shtënë në drejtim të tyre, duke e lënë të vdekur njërin prej tyre./FaktePlus