Policia e konfirmon vrasjen dhe plagosjen në Shtime
Zyrtarët policorë nga rajoni i Ferizajt e kanë konfirmuar ngjarjen e rëndë që ka ndodhur pas mesnate në Godanc të Shtimes, ku një person mbeti i vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Ashtu siç raportoi Agjencia e Lajmeve FaktePlus edhe zyrtarët policorë kanë konfirmuar se vrasja dhe plagosja në Shtime ka ardhur pasi disa persona kanë tentuar të kryejnë grabitje në një shtëpi private.
Rastin e ka konfirmuar majori Mehmetali Hajdini nga Stacioni i Policisë në Ferizaj, i cili tha se me rastin janë duke u marrë që nga ora 3:30 njësitet hetuese policore.
“Disa persona kanë tentuar që të hyjnë në një shtëpi private. Pas këtij tentimi, pronarët e shtëpisë i kanë hetuar grabitës dhe kanë reaguar, mirëpo grabitësit kanë gjuajtur me armë në drejtim të pronarëve duke e lënë një të plagosur. Më pas familjarët e tjerë e kanë i kanë ndjekur grabitësit, duke e zënë njërin prej tyre dhe rrahur me shkopinj druri. Nga lëndimet e marra njëri prej grabitësve ka ndërruar jetë. Rasti ka ndodhur rreth orës 3:30 të mëngjesit të sotëm”, ka thënë major Mehmetali Hajdini për FaktePlus.