Zyrtari i VV-së për ‘Bretkosa’: E përshtatur me përditshmërinë kosovare e cila e ka rrëshqitur padashje në cinizëm e depresion
Shfaqja “Bretkosa” ka filluar të shfaqet tashmë në teatrot e Kosovës.
“Bretkosa” është rishfaqur mbrëmë në teatrin e AAB-së ‘Faruk Begolli’, ku u mirëprit shumë nga publiku. Për këtë shfaqje me regji të Burbuqe Berishas, e shkruar nga dramaturgu kroat Dubravko Marinkoviq u thuren shumë lavdata.
Ishte kreu i vetëvendosjes Albin Kurti i cili e përcolli nga afër e që tha fjalë të mëdha për shfaqjen dhe aktorët.
Lavadata pati edhe zyrtari i lartë i Vetëvendosjes në Shqipëri, Arbër Zaimi.
Ai tha se kjo shfaqje parashkruan realitetin e kosovarëve të përshtatur me përditshmërin dhe të kaluarën e saj.
Zaimi në facebook ka përshkruar spcifikat e shfaqjes ‘Bretkosa’.
Reagimi i plotë i tij në facebook:
Mbrëmë pashë këtë shfaqje të dramës “Bretkosa”, shkruar nga një dramaturg kroat, D. Mihanoviç, vënë në skenë prej një regjisoreje e një trupe shqiptare, e përshtatur me përditshmërinë e një shtrese popullore kosovare, e cila e ka humbur shpresën dhe ka rrëshqitur padashje e pavetëdijshëm në nihilizëm, cinizëm, depresion.
Çka është “bretkosa”? Amfibi përrallor që ka potencial ambig, të shndërrohet në princ a në përbindësh, mvaret kush e puth e çfarë ka në mend.
Drama zhvillohet e gjitha në një berberhane. Berberi, një ish futbollist i cili pavarësisht talentit nuk mundi të zhvillohej dot, për shkak të historisë së vendit, një ish luftëtar për çlirimin e vendit i cili nuk ka dashur të bëhet pjesë e vjedhjeve në emër të çlirimit, i cili ka humbur në luftë shokë fëmijërie, shokë shkolle, shokë futbolli e shokë lufte. Traumat e tij duket se ndërtojnë para syve të publikut personazhin pozitiv, por, dhe këtu është merita e dramaturgut që e paraqet njeriun në kompleksin e vet, ai nuk është pa anë të errëta. Së fundi është braktisur prej gruas e fëmijëve, për shkak të dhunës së tij që shpërthen hera-herës. Protagonisti nuk e justifikon dhunën e tij, e fajëson vetveten dhe i jep të drejtë familjes që e ka lënë, duke e ditur se ka humbur më të vlefshmen jetë bashkë me ta. Na tregon se ka shkuar edhe te psikiatri, njësoj si të tjerë me histori të ngjashme, por më pas pati pacientë, ish-veteranë që u vetëvranë. Kështu që hoqi dorë nga psikiatri.
Berberit i është mbyllur bota para syve, dhe synon të paktën të shpëtojë të vëllanë dhe një shok e komshi, të cilët, më të rinj, nuk kanë qenë ushtarë në luftë por përjetojnë megjithatë traumat e një shoqërie ku vlerat janë të paqëndrueshme dhe njeriu është i braktisur. Berberi përpiqet t’ia mbushë mendjen të vëllait të ndërtojë një raport sinqeriteti me gruan e të heqë dorë nga bixhozi e alkooli, por vëllai ka humbur punën e vetëbesimin, e çdo përpjekje për vetëpërmirësim i duket e kotë. Pas shumë debatesh berberi përpiqet t’i imponojë përmirësimin vëllait të vogël përmes autoritetit të moshës, luftës, e në fund, briskut në qafë. Por dhuna e autoriteti nuk luajnë më asnjë rol, dhe e humb edhe vëllain.
Gjithçka duket se merr fund për të, teksa i avitet vetëvrasjes. Por e shpëton, jo ndonjë engjëll, por një i ri krejt axhami, që hyn rastësisht në berberhane, jo për t’u qethur por për të shitur libra për të fituar ndonjë pare (se i papunë dhe ai). I riu, fillimisht i trembur, pastaj edhe empatik, e fton berberin të luajë futboll me të rinj të tjerë, një mbrëmje në javë. Kështu fillon risocializimi dhe rikthimi në jetë i një njeriu të mbaruar.
Drama ka potencialin të të përlotë, sepse nuk duket si vepër e trilluar. Nuk tregon viktima të pafajshme apo shpëtimtarë fisnikë. Të traumatizuarit traumatizojnë, viktimat viktimizojnë, të dhunuarit burim shpërthyes dhune. Qerthulli i vetëshkatërrimit i tillë, me njerëz që komunikimin duhet ta rishpikim individualisht, pasi që u është thyer e përbashkëta, në një shoqëri ku secili është veç për vete e zoti duket se është kthyer kundër të gjithëve… (a s’ka aty një jehonë prej “Kaspar Hauserit” të Herzog-ut?).
Përmes medias vjen aty edhe imazhi i vetëproklamuar i qeveritarëve e i ndërkombëtarëve që “bëjnë namin” me zhvillime të papara, ndërkohë që jeta mjerohet, paçka se berberi e fik radion. Vjen edhe imazhi i deputetit që josh studente fare të reja duke u dhuruar ajfonin e fundit. Vjen edhe pamundësia për të nisur një ekonomi, jo pse u mungojnë idetë, vullneti e puna njerëzve, por se për ta filluar sipërmarrjen e re duhet të bësh qysh në fillim ose kapital ose krim.
Megjithatë, në fund, shërimi e gjen një rrugë, përmes rëndësisë së të voglës, jetimit të së përditshmes së bashku, dhe një solidariteti mes brezave, ku – ndryshe nga klisheja – i vogli e merr përdore të vjetrin, i cili ka frikë të mbetet vetëm (a s’ka aty një jehonë prej “Vjedhësit të biçikletave” të De Sica-s?).
Mbrëmë pashë këtë shfaqje të dramës “Bretkosa”, shkruar nga një dramaturg kroat, D. Mihanoviç, vënë në skenë prej një…
Julkaissut Arbër Zaimi Tiistaina 13. lokakuuta 2020
Kurti mbrëmë ishte në teatër, ka disa fjalë për shfaqjen “Bretkosa” dhe aktorët