Kurti mbrëmë ishte në teatër, ka disa fjalë për shfaqjen “Bretkosa” dhe aktorët
Mbrëmë është dhënë shfaqja “Bretkosa” në teatrin e AAB-së – Faruk Begolli.
E këtë shfaqja nga afër e ka përcjellur lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti. Ky i fundit për këtë shfaqje tha se ka përjetuar ndjesi të rrallë.
Kurti tha se kjo shfaqje ngjallë mendime të cilat mbajnë në kujtime edhe pasi të përfundon shfaqja.
Ndryshe shfaqja “Bretkosa” është rrëfim për të gjithë njerëzit e ditëve të sotme, të cilët jetojnë në kohën e keqkuptimeve dhe vetmisë, në kërkim për dashurinë e jetën kuptimplote, ka bërë një bujë të madhe dhe vazhdimisht është duke pasur interesim nga njerëzit për ta parë dhe kuptuar mesazhin e saj.
Në këtë shfaqje luajnë: Zeka (Ilir Tafa), i cili është një veteran i luftës dhe vuan nga Sindroma Post Trauamtike (PTSD). Një njeri të cilin familja e ka lënë pasi që ka qenë i dhunshëm.
Në anën tjetër është vëllai i tij Toni (Donat Qosja). Ai është një burrë familjar i cili ka humbur punën dhe ngushëllimin e gjen në pijë dhe në kumar.
Vëllai i madh dëshiron ta bindë të voglin që të ndryshojë, ndoshta edhe me forcë. Në mes të gjithë kësaj gjendet miku i tyre, një taksist (Basri Shala) i cili ka ikur gjatë luftës dhe e ka lënë Kosovën. Si dhe shitësi i librave (Valmir Krasniqi).
Reagimi i plotë i Kurtit:
Mbrëmë isha i ftuar në një shfaqje të veçantë, “Bretkosa”, të shkruar nga autori kroat, Dubravko Marinkoviq. Aktorët Ilir Tafa, Basri Shala, Valmir Krasniqi dhe shoku im i gjimnazit, Donat Qosja, luajnë një dramë mbresëlënëse, me regji nga Burbuqe Berisha.
Kishte shumë kohë që doja ta shihja këtë shfaqje, por gjithnjë dilte diçka që në moment të fundit më pengonte. E mbrëmë, kur e pashë, përjetova ndjesi të rralla. Kjo dramë i flet shumë aktualitetit tonë, e të ngjall mendime të cilat të mbajnë mbërthyer për orë të tëra, edhe pasi përfundon shfaqja. Të dëshpëruarit pasionantë (si te dramat e Tennessee Ëilliams) dialogojnë me gjuhë të mprehtë dhe të shlirshme (sikur te dramat e David Mamet).
Bashkë me ne, në publik ishin shumë studentë të psikologjisë. Më erdh mirë. Teatri, shfaqjet, filmat, ekspozitat e arti në përgjithësi, duhet të bëhet pjesë e metodës arsimore, dhe jo vetëm në fakultet. Studentët e nxënësit mund të mësojnë prej artit, e ata pastaj mund të na e mësojnë atë edhe ne.