Viti i Speciales – kush janë mbi 200 të ftuarit nga Haga
Numër i madh i ish- luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë vitit 2019 kanë marrë ftesa nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar rreth luftës së fundit në Kosovë.
Disa si dëshmitarë, e disa të tjerë si të dyshuar, e disa pa e ditur se në çfarë cilësie janë ftuar, gjatë tërë vitit janë paraqitur në Dhomat e Specializuara për të dëshmuar për veprimtarinë e tyre gjatë luftës 1998-1999.
E, deri në gjysmën e parë të vitit 2019 numri i atyre që janë ftuar nuk ka qenë aq i madh.
Në mesin e tyre që janë ftuar gjatë kësaj kohe, kanë qenë ish- komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, ish- ushtarja e UÇK-së, Rajmonda Rreci, ish- gjenerali i UÇK-së, Lahi Brahimaj, vëllai i aktivistit të vrarë të LDK-së, Imer Imeri, deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi, ish- shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Operativës së Brigadës 123 në Suharekë, Agim Kuçi, ish-ushtarët e UÇK-së, Xhevdet Thaçi, Osman Korpuzi, Ismet Tara i njohur si komandant Hoxha, mandej Bashkim Ndrecaj, Ahmet Rrahmanaj, Remzi Shala i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, ish- komandanti i njësisë speciale Mendim Daka, i njohur me nofkën ‘Sharri’, ish-gazetari i njohur Nuhi Bytyçi, ish-ushtari i UÇK-së, Ramiz Qeriqi i njohur si komandant ‘Luani’, ish- komandanti i UÇK-së për Zonën e Nerodimes, Shukri Buja, ish- zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ish luftëtarë të tjerë.
Mirëpo, numri i ftesave është intensifikuar në gjysmën e dytë të vitit 2019, ku ftesa nga Specialja kanë marrë edhe deputetë, kryetarë komunash e madje edhe figura të larta politike, shkruan FaktePlus.
Ajo që tronditi opinionin kosovar ishte ftesa e Speciales për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, më 19 korrik, e i cili do të paraqitej si i dyshuar, shkruan FaktePlus.
Kjo ftesë bëri që Haradinaj të jep dorëheqje nga posti i kryeministrit, derisa vendimin e bëri të ditur në mbledhjen e rregullt të Qeverisë.
Haradinaj, kishte thënë se nuk dëshiron të dalë para gjykatës si i pari i Qeverisë, por si një qytetar i vendit që atje do të shkojë për ta mbrojtur Kosovën.
“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jeni të parët që ju informoj. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante, do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër t’i shërbej vendit. Dorëheqja është e parevokueshme”, kishte thënë ai.
Pas kësaj ftese ndaj Haradinajt pati reagime të shumta. Ndër, ta ishte edhe kryetari i OVL-së, së UÇK-së, Hysni Gucati, duke thënë se Gjykata Speciale po gjykon vetëm pjesëtarët e UÇK-së e jo ata që kanë bërë krime në Kosovë.
Madje, sipas tij kjo gjykatë është politike dhe e njëanshme.
Numri i ftesave dita – ditës rritej, derisa pas Haradinajt ftesë nga Specialja morën edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ajo e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, mandej Rilind Berisha zyrtar në Ministrinë e Drejtësisë, i cili gjatë kohës së luftës ishte fëmijë, zyrtari i AAK-së, Lulzim Kabashi, ish- ushtari i UÇK-së, Petrit Bojaxhiu, anëtari i Kryesisë njëherit Kryetar i degës së Prishtinës Fatmir Sopi dhe veterani i UÇK-së, Sejdi Veseli, mandej Fadil Beka i cili gjatë kohës së luftës ka shërbyer si mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Drenicës, ish- ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri, ish- eprori i Zonës Operative të Llapit, Sali Mustafa, ish- deputeti Nuredin Ibishi e ish- ushtarë të tjerë.
Më 19 tetor Specialja kishte ftuar edhe ish- ushtarin e UÇK-së, Gani Krasniqin tashmë zyrtar i Vetëvendosjes, ish- ushtarin Sejdi Veselin, ish- eprorin e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish agjentin e SHIK-ut, Naim Miftarin, drejtorin e Zyrës për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, Driton Lajçin, njërin prej themeluesve dhe komandantëve të UÇK-së, Azem Sylën, ish- zëvendësministrin në Ministrinë e Diasporës, Isni Kilajn, ish- ushtarin e UÇK-së, Jetullah Krasniqin, ish- rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashin, Shaban Sylën i cili është i dënuar në rastin e njohur si “Bllaca 2”, ish- ushtarin Elmi Bytyqin, Xhevdet Kelmendin, e ish- ushtarë të tjerë.
Ftesë nga Specialja mori edhe njëri prej figurave të larta në Kosovë, ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit, kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, i njohur në luftë me nofkën “Luli”.
Veseli e mori ftesën më shtatë nëntor, ndërsa në Hagë u paraqit më dhjetë dhjetor.
Menjëherë pas marrjes së ftesës, Veseli, ka folur para mediave për këtë ftesë, duke thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht.
“Gjithë jetën kam qenë i angazhuar për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë. E kam nisur si fëmijë, si nxënës i shkollës fillore në Mitrovicë, me demonstratat e prillit të vitit 1981, si pjesëmarrës, e pastaj në shumicën prej tyre edhe si organizator dhe drejtues. Nga mesi i viteve ’80, unë kam hyrë me ideal në organizatat patriotike, anti-jugosllave, për ta kundërshtuar robërinë dhe për të punuar për lirinë. Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit”, tha Veseli.
Pas Veselit, ftesë nga Specialja ka marrë edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ish- komandanti i UÇK-së dhe Zonës së Dytë të TMK-së në Prizren, Selim Krasniqi, ish-luftëtari, Halil Çadraku, Xhavit Elshani, e Durmish Gashi.
Më dhjetë nëntor, Specialja i dërgoi ftesë edhe ish- pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimit.
Kjo gjë u bë e ditur nga vetë Selimi, i cili deklaroi se është i ftuar në cilësinë e të dyshuarit.
“Ju njoftoj që, ashtu sikurse edhe pothuajse të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe shumë luftëtarë tjerë të Lirisë, jam i ftuar që të intervistohem nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në cilësinë e të dyshuarit”, kishte thënë Selimi.
Gjatë vitit 2019 ftesë nga Specialja kanë marrë edhe Shefqet Buçaj, ish- ushtar i UÇK-së, nga Zona e Pashtrikut, ish- pjesëtari i UÇK-së Samidin Xhezairi, i njohur me emrin komandant Hoxha nga Prizreni, ish- ushtari Sejdi Berisha, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, e të tjerë.
Së fundmi ftesë nga kjo gjykatë ka marrë edhe kryetari i Degës së AAK-së, në Prishtinë, Brahim Mehmetaj dhe ish- komandanti i UÇK-së, Sabit Geci.
E, duke parë numrin e madh të ftesave në dy muajt e fundit të vitit 2019, zyrtarë nga OVL e UÇK-së, kishin deklaruar se në javën e parë të muajit dhjetor mund të ndodhë që të ngritën edhe aktakuzat e para.
Pikërisht për numrin e madh të ftesave nga kjo gjykatë dhe për deklaratat e zyrtarëve të OVL e UÇK-së, Agjencia e Lajmeve FaktePlus, kishte kërkuar përgjigje edhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.
Zëdhënësi i kësaj zyre, Christopher Bennett, pa dashur që të jep më shumë detaje rreth asaj se kur pritet të ngritën aktakuzat e para dhe sa është numri i të intervistuarve deri më tani nga kjo gjykatë, ka thënë se nuk japin detaje për këto raste.
“SPO nuk jep informacion për hetimin e këtyre rasteve për arsye etike, profesionale dhe ligjore”, ka thënë Bennet për FaktePlus.
Në vitin 2020 bëhen pesë vjet që nga miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
E, me miratimin e këtij ligji është thënë se mandati i Dhomave të Specializuara është pesë vjeçar, shkruan FaktePlus.
Që prej vitit 2015 kur edhe është miratuar ky ligj është bërë e ditur që ky i fundit ka juridiksion mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.
Vlen të theksohet se Specialja ka përmbyllur vitin 2019 me mbi 200 ftesa për ish- ushtarët e UÇK-së.
Ndonëse ende nuk ka pasur aktakuza, avokatët thonë se kjo pritet të ndodhë më 2020-n, meqë Prokuroria është në prag të përfundimit të hetimeve.
Mirëpo kjo Gjykatë, që pritet t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë, ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë./FaktePlus