Specialja rrit numrin e ftesave, flet nga Haga për FaktePlus zyrtari i Gjykatës
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të Gjykatës Speciale me seli në Hagë po vazhdon edhe më tutje me intervistimin e të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve lidhur me krimet që supozohet se ndodhën gjatë periudhës 1998 e deri në vitin 2000.
Gjykata Speciale ditëve të fundit ka intensifikuar punën e saj. Madje, javën e fundit numri i ftesave nga Dhomat e Specializuara është rritur dhe po shkon mbi pesë gjatë ditës.
Vetëm gjatë ditës së djeshme nga kjo gjykatë kanë marrë ftesë pesë persona, shkruan FaktePlus.
Bëhet fjalë për ish- deputetin dhe ish- rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, të dënuarin për rastin “Bllaca 2”, Shaban Syla, ish- ushtarin e UÇK-së, Jetullah Krasniqi, kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifin, si dhe ish-ushtarin e UÇK-së, Fazli Behramin.
Disa prej këtyre të ftuarve nga Specialja kanë treguar se në çfarë cilësie janë ftuar, e disa jo.
Javën e kaluar nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka paralajmëruar se gjatë këtij muaji priten edhe arrestimet e para në Kosovë nga Gjykata Speciale.
E, duke parë rritjen e numrit të ftesave nga kjo gjykatë, deklaratat e zyrtarëve të OVL e UÇK-së, Agjencia e Lajmeve FaktePlus, ka kërkuar përgjigje edhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.
Zëdhënësi i kësaj zyre, Christopher Bennett, pa dashur që të jep më shumë detaje rreth asaj se kur pritet të ngritën aktakuzat e para dhe sa është numri i të intervistuarve deri më tani nga kjo gjykatë, ka thënë se nuk japin detaje për këto raste.
“SPO nuk jep informacion për hetimin e këtyre rasteve për arsye etike, profesionale dhe ligjore”, ka thënë Bennet për FaktePlus.
Ndërsa, i pyetur se sa ka shpenzuar buxhet kjo gjykatë që nga themelimi e deri më tani për aktivitetet e saj, Bennet ka thënë se as për këtë nuk mund të flet.
“Për çështje buxhetore, ju lutemi vendosni pyetjen tuaj pranë Dhomave të Specializuara”, ka thënë shkurt ai.
Gjatë ditës së hënë Specialja, ka ftuar për intervistim edhe ish- komandantin e UÇK-së, Azem Sylën, si dhe ish- ushtarët Naim Miftarin dhe Isni Kilajn.
Të premten ftesë nga Specialja ka marrë edhe ish- luftëtari i UÇK-së, Nuredin Ibishi.
Ndërsa, gjatë së enjte Specialja, ka ftuar edhe ish- komandantin e FSK-së, Kadri Kastratin si dhe ish- ushtarin e UÇK-së, Salih Mustafën.
Të mërkurën nga kjo gjykatë është ftuar edhe ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Gjatë së martës, së javës së kaluar Specialja ka dërguar edhe tri ftesa të tjera për ish-ushtarët e UÇK-së.
Bëhet fjalë për Fadil Bekën, i cili gjatë kohës së luftës ka shërbyer si mjek i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, si dhe për dy ish- pjesëtarët e UÇK-së, Fatmir Sopin dhe Sejdi Veselin.
Ndryshimet kushtetuese që i kishin hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale ishin votuar me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 3 gusht të vitit 2015.
Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës i kishin thënë “Po” themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Në momentin e votimit në seancë kishin qenë të pranishëm 117 deputetë./FaktePlus