Varfëria e skajshme në Kosovë (VIDEO)
Është fjalë me vetëm shtatë shkronja, por që në thelb mbanë “shtatë mijë probleme” të shumë familjeve në Kosovë.
VARFËRI fjale kjo, të cilën shumë familje në Kosovë dinë ta përshkruajnë më së miri, pasi bashkëjetojnë prej kohësh me të. Madje 5.3 për qind e familjeve kosovare janë dhe më keq, pasi ata jetojnë në varfëri të skajshme.
Në çdo cep të rrugëve në të gjitha qytetet e Kosovës, në koshe bërlloku, e ku jo, shohim burra e gra të shtyrë në moshë, të rinj e fëmijë, të cilët kërkojnë diçka për të ngrënë dhe për të siguruar mbijetesën e familjes.
Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Botërore dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë 5.3 për qind e popullsisë së Kosovës që jetojnë me më pak se 1.20 cent në ditë.
Kurse, 17.6 për qind e popullsisë në Kosovë, jetojnë në nivelin e varfërisë absolute.
Sipas këtyre të dhënave, një person i rritur në Kosovë jeton me më pak se 1 euro e 82 centë.
Keq me jetesë janë edhe familjet që jetojnë me asistencë sociale. Aktualisht janë 24 mijë e 526 familje në Kosovë, që brenda 10 muajve (janar-shtator 2019), i kanë shfrytëzuar ndihmat sociale që jep shteti.
Kështu ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Në periudhën janar – shtator 2018 numri i shfrytëzuesve të ndihmës sociale në nivel vendi ka qenë 25 mijë e 259 familje, me 103.094 anëtarë të familjes, me shumë mujore 2,686,217.50 €, kurse në shtator të vitit 2019 kishte 24.526 familje, me 99.718 anëtarë të familjes, në shumë mujore prej 2,603,022.50€”, thuhet ë përgjigjen e kësaj ministrie.
E shkalla e papunësisë në Kosovë sipas të dhënave zyrtare është 25.3 për qind, ku në këtë përqindje më shumë janë gra e vajza.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 17 tetori i çdo viti shënon Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.
Që nga viti 1993, në këtë ditë mbahen aktivitetet për të ndërgjegjësuar njerëzit për nevojën e zhdukjes së varfërisë në mbarë botën dhe veçanërisht në vendet në zhvillim.
Ani pse 17 tetori u njoh si ditë zyrtare nga viti 1993, në shumë vende të botës kjo ditë përkujtohet që nga viti 1987.
Kjo pasi, më 17 tetor të vitit 1987, më shumë se 100 mijë persona u mblodhën në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë ekstreme, dhunës dhe urisë.
Që prej atij momenti individë dhe organizatat në mbarë botën e shikonin 17 tetorin si një ditë ku mund të rikujtonin përkushtimin e tyre për t’i dhënë fund varfërisë.