Taksa ndaj Serbinë nuk po zbatohet plotësisht
Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur shqetësime se taksa prej 100 për qind e vendosur ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk është duke u zbatuar në tërësi.
Përmes një konference për media zyrtarë nga ky subjekt politik kanë thënë se përgjegjës për lejimin e kontrabandës me këto mallra janë Ministria e Financave dhe institucionet në varësi si Dogana dhe Anti-kontrabanda si dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Policia e Kosovës.
Anëtari i Vetëvendosjes, Salih Zyba tha se në treg janë duke u vërejtur manipulime të shumta duke përdorur flamujt e vendosur pranë produkteve.
“Ka manovra të shumta me flamuj që janë të vendosur e nuk po përkojnë me vendet e origjinës siç e kërkon udhëzimi administrativ”, deklaroi Zyba.
Sipas Vetëvendosjes të dhënat e Doganës së Kosovës për importin, janë në mospërputhje me produktet që gjenden në treg.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntor i vitit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane, pasi që si e tillë ka efekt negativ në vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.