DASH-i thirrje Qeverisë: Rikthejuni bashkëpunimit, po vini në rrezik mundësitë tuaja
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ia bëjnë të qartë Qeverisë së Kosovës se duhet t’i kthehet bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë të saj, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, në një konferencë të mërkurën.
Miller ka shprehur sërish shqetësimin e SHBA-së për vendimet “e vazhdueshme të pakoordinuara” të lidershipit të Kosovës.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës po vë në rrezik mundësitë që shteti i ka krijuar me ndihmën e SHBA-së në rrugën drejt integrimit.
“Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara të lidershipit të Kosovës. Besojmë se ata kanë vënë në rrezik mundësitë, të cilat ne e kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë. Nëse shikoni ngjarjet që nga pavarësia e Kosovës, SHBA-ja fuqishëm ka mbështetur integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci multietnike sovrane. Por, të realizohet ky vizion ne kemi bashkëpunuar me liderë të suksesshëm politikë të Kosovës në masa që kanë forcuar paqen e prosperitetin në vend ndërsa avancon Kosovën në rrugën euroatlantike. Ajo që e inkurajojmë Qeverinë e Kosovës të bëjë është që të rikthehet në bashkëpunim të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. E kemi bërë këtë të qartë, ia kemi bërë të qartë Qeverisë edhe privatisht”, ka deklaruar Miller.
Policia e Kosovës të hënën, 5 gusht, ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, që kishin vepruar ilegalisht. Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë quajtur veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar nga autoritetet e Kosovës, ndërsa është paralajmëruar se ky vendim mund të ketë ndikim negativ për heqjen e masave ndaj Kosovës.