Suspendohen policët e mbrojtjes së afërt që u zunë në kafene
Policia e Kosovës njofton se ka marrë masa disiplinore ndaj tre zyrtarëve policorë të mbrojtjes së afërt, të cilët ishin zënë duke shkelur urdhrin për “disiplinë”.
FaktePlus ka raportuar se me të filluar viti 2020, ka nisur sërish të shkelet urdhri i drejtorit që u ndalon rreptësisht punonjësve të policisë frekuentimin e kafeneve, restoranteve, njësive tregtare e çfarëdo mjedisi publik gjatë ditëve dhe orarit të punës.
Në fakt shkelja e urdhrit është bërë paraditen e 3 janarit (ditë e premte) kur tre zyrtarë policorë të mbrojtjes së afërt (një kapiten, një police dhe një polic), janë zënë duke qëndruar gjatë orarit të punës në kafebar “Mamunia” në Prishtinë.
Lidhur me këtë rast agjencia ka kërkuar të marrë përgjigje edhe nga Zyra për informim e Policisë së Kosovës, dhe dje kemi pasur një kontakt telefonik e sot në mëngjes kemi dërguar pyetje me shkrim për rastin në fjalë.
Vetëm pasi është publikuar artikulli, zyra për informim e Policisë së Kosovës ka kthyer përgjigje, në të cilin thuhet se rastin në fjalë me kohë dhe në ditën që ka ndodhur e kanë iniciuar për shkelje të brendshme disiplinore dhe policët tashmë janë suspenduar.
“Në rastet kur punonjësit e PK-së nuk respektojnë procedurat/udhëzimet e brendshme, përfshirë respektimin e orarit të punës (pushimit), atëherë sipas procedurës standarde iniciohet rasti për shkelje të brendshme disiplinore, ashtu siç është vepruar edhe në rastin në fjalë”, thuhet në përgjigje.
Tutje thuhet se Policia e Kosovës në vazhdimësi ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në ngritjen e mëtutjeshme të integritetit dhe performancës së punonjëseve të saj, dhe për këtë ka krijuar me kohë mekanizmat e kontrollit të brendshëm policor, të cilët kryejnë inspektime në fusha të ndryshme brenda PK-së.
Si do qoftë, duhet theksuar se suspendimi ndaj tre policëve të mbrojtjes së afërt u bë publik vetëm pas rrafsh një jave dhe raportimit të FaktePlus.
Kujtojmë se vetëm pak ditë pasi e mori detyrën e drejtorit të përgjithshëm në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj pati deklaruar se përveç tjerash ka synim dhe do të angazhohet për të vënë disiplinë në Polici.
E në shumë raste më parë, Qalaj nuk ka hezituar të suspendoj edhe nga 15 policë kur janë zënë duke shkelur urdhrin e tij për “disiplinë”.
Kurse për rastin e këtij viti edhe pse është bërë një javë prej kur policët shpërfillën urdhrin për “disiplinë”, drejtori Rashit Qalaj nuk ka treguar deri sot për masat disiplinore të ndërmarra ndaj tyre.
Rashit Qalajt i hasi sharra në gozhdë, s’ka guxim t’i suspendojë tre policët e mbrojtjes së afërt
Qalajt duket se i ka hasur sharra në gozhdë, pasi dyshohet se ka pasur interferime politike që policët e mbrojtjes së afërt të mos suspendohen.