Rashit Qalajt i hasi sharra në gozhdë, s’ka guxim t’i suspendojë tre policët e mbrojtjes së afërt
Vetëm pak ditë pasi e mori detyrën e drejtorit të përgjithshëm në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj pati deklaruar se përveç tjerash ka synim dhe do të angazhohet për të vënë disiplinë në Polici.
Kështu, Qalaj pati nxjerrë një urdhër të brendshëm që u ndalon rreptësisht punonjësve të policisë frekuentimin e kafeneve, restoranteve, njësive tregtare e çfarëdo mjedisi publik gjatë ditëve dhe orarit të punës.
“Dua që të mbahem mend për disiplinën që do ta sjellë në institucionin e Policisë së Kosovës. Asnjë polic të mos qëndrojë në kafiteri”, kishte thënë mes tjerash Qalaj në një intervistë televizive.
E ky urdhër e rregull i drejtorit në mjaft raste është sfiduar seriozisht, duke u shpërfillur e shkelur nga zyrtarët policorë në gjithë vendin, por edhe në kryeqytet, aty ku e ka zyrën drejtori Qalaj.
Pra, jo rrallë ka ndodhur që pjesëtarët e policisë në uniformë të jenë parë duke qëndruar në kohë të ndryshme nëpër kafene, restorante e lokale të ndryshme.
Vetëm gjatë një dite të isnpektimit në muajin prill të vitit 2019 ishin zënë me dhjetëra policë duke qëndruar kafeneve të Prishtinës dhe për këtë shkak ishin suspenduar nga puna 15 policë në Prishtinë, të cilët ishin dërguar edhe në komision disiplinor.
E me të filluar viti 2020, ka nisur sërish të shkelet urdhri i drejtorit.
FaktePlus mëson se paraditen e 3 janarit (ditë e premte) tre zyrtarë policorë të mbrojtjes së afërt (një kapiten, një police dhe një polic), janë zënë duke qëndruar gjatë orarit të punës në kafebar “Mamunia” në Prishtinë.
Një epror me gradë të lartë në Polici i ka treguar agjencisë në kushte anonimiteti, se me rastin në fjalë është i njohur vetë drejtori Qalaj.
Lidhur me këtë rast agjencia ka kërkuar të marrë përgjigje edhe nga Zyra për informim e Policisë së Kosovës, por deri në kohën e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.
Deri sot që është bërë një javë prej kur policët shpërfillën urdhrin për “disiplinë”, drejtori Rashit Qalaj nuk ka ndërmmarrë masa disiplinore si më parë.
Qalajt duket se i ka hasur sharra në gozhdë, pasi dyshohet se ka pasur interferime politike që policët e mbrojtjes së afërt të mos suspendohen.
FaktePlus mëson se lidhjet e kapitenit dhe zyrtares policore me krerë të lartë të institucioneve, kanë ndikuar që Qalaj të mos ketë guxim të merr vendim ndëshkues ndaj tyre.
Duhet thënë se përveç shkeljeve si kjo e 3 janarit, brenda Policisë së Kosovës ka zyrtarë që janë gjetur të përfshirë në vepra të ndryshme penale vitin e kaluar. Vetëm gjatë 2019-s Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë një sërë veprimesh, me ç’rast ka arrestuar 35 policë dhe suspenduar 64.
Statistika të dhëna nga IPK për vitin 2019:
Janë pranuar dhe administruar mbi 1.400 ankesa të qytetarëve;
– Janë trajtuar 279 raste penale në IPK;
– Janë ngritur 64 kallëzime penale dhe 21 raporte të veçanta;
– Janë arrestuar 35 punonjës policorë;
– Janë suspenduar 64 punonjës policor;
– Janë transferuar 8 punonjës policorë;
– Janë inspektuar 7 fusha të menaxhimit policor, nga të cilat kanë rezultuar rreth 70 rekomandime;
– Raportet e inspektimit janë më voluminoze dhe më përmbajtjesore me rekomandime përkatëse për përmirësim të punës dhe performances së Policisë./FaktePlus
Sqarohet Policia: Për tre zyrtarët e mbrojtjes së afërt kemi hapur rast