Skënder Komoni, zv-kryesues i ri i Bordit të Drejtorëve të AKP-së
Me rastin e skadimit të mandatit të zëvendëskryesuesit të bordit, të Agjencisë Kosovare të Privatizimit Bajram Zejnullahu, Bordi i kësaj agjencie e emëroi zëvendës kryesuesin e ri të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Skënder Komoni, mandati i të cilin fillon prej datës 17 dhjetor 2018.
Zyra për informim e AKP-së bëri të ditur se Bordi gjithashtu miratoi valën e re të shitjes së aseteve me Nr.44, e cila do të përmbajë asete nga rajone të ndryshme të Kosovës, si dhe aprovoi transaksionet e valës së shitjes me Nr. 43.
Në këtë mbledhje Bordi miratoi kërkesën e Komunës së Drenasit për dhënien e pëlqimit për lejimin e bartjes se një prone të ndërmarrjes shoqërore Radiotelevizioni i Prishtinës në pronësi të Kuvendit Komunal Drenas konform vendimit të Qeverisë për shpronësim.
Gjithashtu, Bordi aprovoi propozimin për marrëveshje me Komunën e Prishtinës për pagesën me këste të mjeteve pasi të merret vendimi nga Qeveria për shpronësim të ndërmarrjes shoqërore “IMN Kosova”.
Bordi shqyrtoi dhe miratoi edhe raportet e Komisioneve për qiradhënien e aseteve të N.Sh-ve si dhe u shqyrtuan dhe u miratuan edhe raportet rekomanduese të Komisionit për asete specifike si dhe për shitjen e aseteve përmes negociatave direkte.