Britanikët reagojnë ndaj Qeverisë për zgjedhjen e drejtuesve në AKP
Qeveria e Kosovës nuk është duke e respektuar për asnjë pozitë marrëveshjen e realizuar me ambasadën britanike për rekrutim në pozita drejtuese kur fjala vjen për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Emri i drejtorit menaxhues, kryesuesit të bordit si dhe anëtarit të bordit në AKP janë vlerësuar pa pjesëmarrjen e ekipit profesional të ambasadës.
Kohavision ka siguruar dy shkresa të ambasadës drejtuar Zyrës së Kryeministrit si dhe Komisionit për Zhvillim Ekonomik, për t’i paralajmëruar për shkeljen e marrëveshjes.
Në shkresën e parë thuhet se, përkundër kërkesës së ambasadës drejtuar Qeverisë, Kuvendit dhe AKP-së, procesi i emërimit në këto pozita është bërë pa projektin e ambasadës.
Por, në përgjigjen e këshilltares politike të kryeministrit, Meliza Haradinaj, Qeveria arsyetohet se pika 1 e Nenit 12 të plotësim dhe ndryshim të Ligjit për AKP, ia mundëson qeverisë propozimin e emrave pa procedura të konkurrimit.
Ndërsa, në përgjigjen pasuese të ambasadës thuhet se ligji nuk e përcakton nëse procesi është i hapur apo me rekomandime.
Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje nga vetë nënshkruesi i kësaj marrëveshjeje, kryeministri Ramush Haradinaj, por ai nuk është përgjigjur.
Ndërsa, ambasada britanike ka treguar se qeveria nuk i ka njoftuar fare.
“Pozitat e kryesuesit dhe anëtarit të Bordit të AKP-së kanë qenë të përfshira në listën e pozitave të dakorduara, që nga nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit mes Kuvendit, Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës britanike. Pozita e Drejtorit Menaxhues është bërë vakante më vonë, mirëpo, me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës, ne e kemi përfshirë edhe këtë pozitë në listën e pozitave të cilat do të rekrutohen përmes projektit të rekrutimit, gjegjësisht përmes partnerit zbatues.
Përfundimisht, partnerit zbatues nuk i është kërkuar përfshirja në asnjërin proces”, ka thënë Loreta Buzhala nga Zyra për informim në Ambasadën britanike.
Drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj, u zgjodh përmes rregullores së brendshme, me propozim të kryesuesit të bordit.
Ndërsa, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, gjatë mbledhjes të së enjtes, ka proceduar në Kuvend vendimin e qeverisë për Bajram Zejnullahun, kryesues bordi dhe Hajzer Salihun, anëtar bordi.